E premte, 24 Prill, 2026

Berisha: Rama do paditet për mashtrim publik për mbrojtjen që i bëri Mirlindës, dënohet me mbi 5 vite burg! Edi Rama lavdëron aty ku vjedh më shumë

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një deklaratë për mediat para Kuvendit, akuzoi qeverinë për keqpërdorim ekstrem të parlamentit dhe shmangie nga problemet jetike të qytetarëve. Ai theksoi se, ndryshe nga vendet e Europës që po ndërmarrin masa për të përballuar rritjen e çmimeve, në Shqipëri mungojnë lehtësirat ekonomike për qytetarët.

Berisha u ndal te rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, duke theksuar se qeveria aktuale ka përfituar nga kriza duke rritur barrën mbi konsumatorët. Ai solli si shembull Greqinë, e cila ka ndërmarrë masa konkrete financiare për qytetarët, ndërsa Shqipëria, sipas tij, ka çmime më të larta të karburanteve në rajon.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës iu kushtua çështjes së AKSHI-t, të cilën Berisha e cilësoi si “një nga dosjet më kriminale në historinë e vendit”. Ai akuzoi qeverinë për përqendrim të tenderave të teknologjisë dhe për përfshirje të personave të afërt me pushtetin në përfitime të paligjshme. Sipas tij, hetimet janë të pjesshme dhe nuk prekin “kokën e aferës”.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi gjithashtu se ka pasur dëshmi dhe përgjime që implikojnë figura të rëndësishme, por që nuk janë hetuar nga drejtësia. Ai vlerësoi sekuestrimet e fundit të pasurive, por i konsideroi të pamjaftueshme.

Në lidhje me reformën zgjedhore dhe kushtetuese, Berisha deklaroi se Partia Demokratike është e hapur për dialog, por nuk pranon kushte që pengojnë zgjidhjen e çështjes zgjedhore.

Në fund, ai kritikoi ashpër mediat dhe analistët që manipulojnë opinionin publik në favor të qeverisë, duke i cilësuar si “mafie e fjalës së lirë”.

PRONONCIMI I PLOTË

Keqpërdorim ekstrem i parlamentit për të larguar tematikën nga interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë.

Këto kohë, qeveritë dhe parlamentet e Europës janë marrë me një seri masash, një breshëri masash për të lehtësuar gjendjen ekonomike, financiare të qytetarëve për shkak të rritjes së madhe të çmimit të naftës dhe çmimeve të tjera në mbarë Europën dhe botën.

Se cila është pasoja e kësaj rritje mbi qytetarët shqiptarë, mjafton t’u rikujtojë se taksa kryesore që ata paguajnë nga i sapolinduri tek ai që është në ditën e fundit të jetës së tij, është TVSH-ja.

Dhe nga TVSH-ja, narkoqeveria e Edi Ramës ka vjelur këto kohë 14 përqind më shumë se sa në muajin paraardhës.

E tëra kjo quhet taksë konsumatori, taksë e paguar nga ato qenie të gjalla që konsumojnë.

Asnjë rikthim, asnjë lehtësim, në një kohë kur vetëm dje, kryeministri i Greqisë informoi se përcaktoi 500 milionë euro për të lehtësuar pasojat e krizës së naftës.

Përcaktoi 150 euro për çdo fëmijë.

Përcaktoi 150 euro për pensionistët ndën 300 euro.

Këto nuk përfshijnë fermerët, që po e po e kanë të garantuar.

Pra, Shqipëria përkundrazi merr dhjetëra milionë euro më shumë nga qytetarëët duke përfituar nga kriza dhe kjo kryekëput falë taksës ndëshkuese të Edi Ramës mbi naftën.

Maqedonia dje e shiste naftën me 150 lekë, Shqipëria me 200 lekë në mbarë territorin.

Pra, 50 lekë më shtrenjtë.

Lehtësira të mëdha janë bërë për qiratë, janë dhënë bonuse në dorë për ushqimet.

Në Shqipëri, Edi Rama mendon vetëm për veten dhe familjen e tij.

Së dyti, jam këtu për të denoncuar sakatimin që po i bëhet dosjes së AKSHI-t.

Dosja e AKSHI-t është një nga dosjet më të shëmtuara, më kriminale në historinë e vendit.

Dosja e AKSHI-t është dosja në të cilën familja e Edi Ramës dhe Edi Rama kanë grabitur qindra e qindra milionë euro.

AKSHI është agjencia e parë publike e shtetit shqiptarë, në garën e të cilës janë marrë pengje jo një, po disa persona, për shkak të tenderave, se ato duhet t’i fitonte gjithmonë Armand Frangu.

AKSHI është agjencia, të cilës Edi Rama me një vendim qeverie të vitit 2017, përqendroi të gjithë tenderat kombëtare të fushës së high tech, në një kohë kur më përpara secila ministri, secili dikaster i bënte vetë ato tendera dhe nuk ekzistonin kurrë koncepte të tilla.

Por çfarë ka ndodhur tani?

Ka ndodhur që publikisht siç jeni në dijeni, jo tani, por dy vite më parë, unë kam lexuar para jush, para medieve dhe shqiptarëve, një informacion të marrë direkt nga prokuroria, në të cilin Gerond Meçe, i regjistruar në regjistrim ambiental, çka do të thotë se ishte ulur në një tavolinë ku kishte regjistrues, i thotë bashkëbiseduesit se ABS-ja nuk është kompani e imja, por e Armand Frangut, pavarësisht se është në emër tim.

Dhe se Linda pa diskutim është patronazhistja e AKSHI-t.

Patronazhistja e AKSHI-t, thotë Gerondi, është Linda e Surrelit.

Keni parë ju të thirret Linda e Surrelit për këtë punë?

Ekziston në dosje kjo.

Keni parë të thirret Armand Frangu, i cili ka marrë me qindra tendera me procedurë sekrete në kundërshtim flagrant me ligjin?

Keni parë të thirret Edi Rama se pse i përqendroi të gjitha tenderat e IT në një agjenci? Çfarë e shtyu?

Atëherë çfarë kemi të bëjmë?

Kemi të bëjmë me një proces i cili shpërtheu për shkak të meritës së Gerond Meçes që u arratis në një ambasadë, bëri dëshmi.

Ai dhe jo vetëm ai se është edhe një shtetase tjetër që ka bërë dëshmi.

Është edhe Daniel Shima, i cili është një person enigmatik dhe problematik, por edhe ai, sipas disa burimeve mediatike, ka bërë dëshmira rrënqethëse.

Të gjitha këto dhe përqendrimi mbetet tek Mirlinda, ndaj të cilës Edi Rama u bë avokat publik.

Të pyes unë ty Isa, a mundet të dalë një zyrtar i lartë dhe të mbrojë në konflikt të plotë interesi njërën Lindë, kur indirekt prapa saj fshihet Linda tjetër?

Ky është absolutisht mashtrim publik dhe dënohet 5 vite e sipër me kodin penal të Shqipërisë.

Dhe ne do e dërgojmë në gjykatë për mashtrim publik.

Po pa diskutim. Dhe mashtrim publik me konflikt interesi brenda.

Sepse këtë mashtrim nuk e ka bërë për të mbrojtur Lindën e AKSHI-t, por e ka bërë për të mbrojtur Lindën e Surrelit.

Te tjera

Lajme te tjera