Analisti Fatos Lubonja ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”, pas reagimeve të tij në mbrojtje të ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
I ftuar në emisionin Studio24, Lubonja u shpreh se që në fillim të Reforma në Drejtësi në Shqipëri ishte e vështirë të besohej se një kryeministër do të ndërtonte një sistem drejtësie që mund ta çonte edhe atë vetë para ligjit.
Sipas tij, shpesh është përhapur ideja se reforma në drejtësi iu imponua qeverisë nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai tha se nuk e ndan këtë qëndrim.
“Reforma u bë për të kapur drejtësinë dhe për të fuqizuar pushtetin e tij, por me një dinakëri, duke përdorur ndërkombëtarët”, u shpreh Lubonja.
Sipas analistit, kryeministri ka ditur të ndërtojë një imazh publik të një qeverie që promovon shtetin e së drejtës dhe integrimin europian, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas tij, ka bashkëpunuar me struktura të krimit të organizuar.
“Drejtësia si institucion nuk mund të funksionojë, sikur të kesh prokurorët më të mirë të botës, nëse nuk funksionojnë edhe institucionet e tjera në atë drejtim. Eshtë si flotë.
Kur të gjithë anijet shkojnë drejt korrupsionit, vjedhjes, klientelizimit, ti me një anije të vogël, SPAK t’i i kthen prapa, nuk funksionon. Ramës i duhej, i është dashur dhe do ta përdorë akoma për të bërë fasadën e futjes në Europë.
Rama ka qenë mjeshtër në lojën me dy fytyra. Në një anë takohet me krimin e organizuar në anën tjetër takohet me Tony Blair me këta gazetarët. Në një anë na shet një reformë në drejtësi që do të ndërtojë shtetin e së drejtës për të hyrë në Europë dhe nga ana tjetër bashkëpunon në mënyrë më konstante e galopante me krimin e organizuar. SPAK në kohën e Krajës ka funksionuar aty ku donte Rama, të kapte kundërshtarët. Kraja ka qenë ushtar i Ramës.
Rama është regjim që një ditë do të bjerë.
Lubonja u ndal edhe te roli i SPAK-ut, duke thënë se në fazat e para drejtuesit e prokurorisë mund të kenë qenë më të afërt me pushtetin politik, por më pas, sipas tij, kanë pasur edhe mbështetje nga ndërkombëtarët.
Megjithatë, ai shtoi se në këtë mbështetje ndërkombëtare sheh më shumë elementë fasade sesa substancë.
“Më thoni mua si ka mundësi që ky SPAK që qënkërka i pavarur nuk guxoka të thërrasë Edi Ramën kur e di gjithë Shqipëria që ai është kapobanda i kësaj organizate’ tha Lubonja.
Në fund, Lubonja tha se zhvillimet e fundit janë një provë për drejtësinë shqiptare, duke theksuar se nëse institucionet e reja të drejtësisë do të funksionojnë realisht, hetimet duhet të shkojnë deri në nivelet më të larta të pushtetit.
