E mërkurë, 22 Prill, 2026

PD 3 orë protestë, breshëri molotovësh drejt Kryeministrisë, militantët përplasje e gurë drejt policëve te Kuvendi! 11 efektivë të lënduar! PAMJE me dron

Share

E kishte paralajmëruar si protestën që do ta rrëzonte qeverinë, por edhe ky provë e radhës i Berishës, nisi e bitisi në më pak se tre orë, por me më shumë molotovë e gurë. E ndarë në dy akte dhune, të Kryeministria e Kuvendi, protesta la pas 11 efektivë policie të plagosur dhe 22 protestues të shoqëruar. Paralajmërimet se kjo protestë nuk përjashtonte asnjë skenar dhe gjuha e përdorur nga Berisha ditët e fundit kishte bërë që masat këtë herë para Kryeministrisë të ishin maksimale nga forcat e sigurisë.

Kordoni i parë i policisë nuk ishte më me gra dhe vajza, por dy rreshta të specialëve me skafandra. Efektivë kishte edhe në tarracat e kryeministrisë dhe godinave përreth. Ai që bulevardin e ka bërë vendin e protestës së pandalshme prej javësh, Adriatik Lapaj, ia liroi për pak orë Berishës.

23 minuta nga ora 17:00, kur kishte paralajmëruar nisjen e protestës, Berisha del nga zyrat e PD. Në rrugëtimin 10 minutash nga selia blu deri në Bulevard, në krah mbante Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin. Në një kohë kur thotë se qeveria është në grahmat e fundit dhe Rama po numëron ditët, thirrjes së Berishës për revoltë popullore iu përgjigjen vetëm militantët, të ardhur të organizuar nga e gjithë Shqipëria, siç treguan edhe pamje ekskluzive me dron.

Pas një ore, i fundit e merr fjalën Berisha. Në më pak se 20 minuta, me të njëjtin ligjërim si çdo ditë në konferenca për shtyp, demokratëve ua kujtoi edhe një herë luftën që sipas tij qeveria i ka bërë partisë së tyre.

“Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë”, tha Berisha.

Por pavarësisht kësaj për kreun e PD, opozita është shumë pranë fitores.

“Kemi arritur në kilometrin e fundit, para triumfit. Sot e kemi të qartë se diktaturat shemben me votë dhe vetëm me revoltë popullore. Koha ka ndryshuar, stina është e jona”, vijoi ai.

Valëvitja e flamurit nga ana e tij ishte sinjali se kishte ardhur momenti për molotovë. Teksa shkallët ishin në flakë dhe jeta e policëve në rrezik, Berisha shijonte skenën ende nga podiumi

‘Revolta’ e parapërgatitur para Kryeministrisë zgjati fiks 3 minuta e 50 sekonda, dhe nuk i rezistoi ujit të autobotëve të policisë dhe gazit lotsjellës.

Nga mikrofoni protestuesit u njoftuan nga organizatorët të zhvendosen drejt Kuvendit, ndërsa vetë Berisha largohet me makinë direkt në seli. Në krye të aktit të dytë të revoltës, Flamur Noka, Klevis Balliu e Luçiano Boçi që në parlament policinë e gjetën gati.

Në tentativën e parë për të çarë kordonin, me në krye Luçiano Boçin, edhe këtu protestuesit u shpërndanë menjëherë sapo hasën në kundërshtimin e policisë. Kaotikë, shumica të shpërndarë, vetëm disa prej militantëve bëjnë ping-pong gazi lotësjellës me policët në hyrje të godinës së seancave plenare.

Nuk mungojnë edhe gurët e panumërt në drejtim të forcave të rendit. Akteve të dhunës i vjen fundit, kur pranë Kuvendit tashmë mbërrijnë dy autobotet e ujit të policisë. Fillon shpërndarja dhe në pak minuta protestuesit e fundit “u strehuan” në selinë e PD.

Me skenarin e paraardhësit të tij Basha, që ngjashëm fliste për rrëzim të Ramës para çdo proteste, ishte radha e Berishës që revolucionin e nisur poshtë zyrës së Ramës ta mbyllte te shkallët e zyrës së tij

“Rama donte përleshje të protestuesve me policinë por ata do të përleshen me Edi Ramën. Fundi i merituar i Edi Ramës dhe narkoqeveritarëve të tjerë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësore, të cilët s’kanë ndërmarr asnjë akt”, tha Berisha.

Teksa kryeqyteti i rikthehet normalitet, institucionet nisin përballjen me pasojat.

Te tjera

Lajme te tjera