E shtunë, 2 Maj, 2026

Arratisja e Ndocit/ 8 në pranga, nga zv.shefi i Policisë së Burgut Durrës te 5 efektivët që e shoqëruan e kryeinfermieri, shkarkohet zinxhiri drejtues! Burgjet: S’na informuan për vizitën as ne dhe as Policinë

Share

24 orë nga arratisja spektakolare e të paraburgosurit Altin Ndoci, Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve doli me një njoftim zyrtar. 8 persona nga burgu i Durrësit u arrestuan dhe pezulluan nga detyra. 4 të tjerë nga zinxhiri drejtues u shkarkuan.

Mes të arrestuarve, 5 policë nga grupi i shoqërimit, të cilët lëvizën me ambulancën e burgut, Altin Ndocin nga qelia në spital, në shkelje të procedurave, pa e prangosur, si një qytetar të lirë, edhe pse akuzohet nga SPAK për vrasje, konsideruar krahu i armatosur i organizatës kriminale të Çopjave të Elbasanit

Bashkë me policët, në pranga edhe kryeinfermieri i burgut Aulon Çuko, i cili firmosi dërgimin me urgjencë në spital.

Sipas drejtorisë së Burgjeve, Altin Ndoci ka kryer më 13 janar “një konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg”. Në njoftim nuk bëhet me dije që Ndoci të ketë pasur ndonjë urgjencë mjekësore, që të justifikojë vënien në lëvizje të menjëhershme të strukturave të burgut, të cilat planifikuan shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës brenda të njëjtës ditë.

Vizita është kryer në dhomën e izoluar në repartin infektiv në spitalin e Durrësit, ku më tej i është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga 2 policët që e ruanin te dera e dhomës spitalore, por gjatë këtij momenti i sulmoi dhe u arratis.

Për këtë shoqërim, nuk u njoftua drejtoria e përgjithshme e Burgjeve, dhe as policia e Durrësit, as për vizitën mjekësore, as për planin e masave. Kjo përgjegjësi, gjendet te Violeta Uka, punonjëse e policisë së burgjeve, e arrestuar, personi që duhej të kishte njoftuar sallat operative.

I teti i arrestuar, është Dezdemon Pazaj, shefi në detyrë i policisë së burgut të Durrësit i cili firmos planin e masave për shoqërimin e të paraburgosurit

Me firmë të ministrit të Drejtësisë, drejtori i burgut të Durrësit Indrit Cërloj u shkarkua nga detyra, bashkë me zinxhirin komandues, përfshirë drejtorin e policisë së burgjeve, Afrim Zeqiraj edhe pse ishte me leje.

Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kartelën e të paraburgosurit ku është përcaktuar shkaku që ai duhej të shkonte për vizitë në Spitalin Rajonal të Durrësit, planizimi i lëvizjes së tij nga qelia në Spital dhe masat e marra për sigurimin e tij, si dhe instruktazhi që është kryer me personelin sikurse e përmban rregullorja.

Përveç këtij njoftimi zyrtar të Drejtorisë së Burgjeve, Report Tv, mëson se në ambulancën që shoqëroi Altin Ndocin drejt spitalit, ishte edhe një tjetër i paraburgosur, për vepra të lehta penale, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Ai gjithashtu ka marrë trajtim te reparti i Infektivit, por 3 nga 5 policët e grupit të shoqërimit, e rikthyen me ambulancë në qeli. 2 efektivë të tjerë qëndruan me Ndocin deri në përfundim të mjekimit. Pra në momentin e arratisë, 38-vjeçari ka luftuar dhe i ka ikur nga duart, vetëm 2 policëve.

Sipas procedurave për shoqërimin e një të paraburgosuri duhet të jenë minimalisht 3 policë, njëri i lidhur me pranga dorë më dorë me të paraburgosurin. Por në këtë rast, ka pasur 5 policë për 2 të paraburgosur.

Plani i arratisë ishte i mirëorganizuar pasi në dalje të spitalit të Durrësit e priste një Audi A7, me targë të vjedhur ditët e fundit. Momentet e fundit të tij nga kamerat e sigurisë janë në autostradën Durrës-Tiranë. Kontrolle u bënë edhe në banesën e tij në Yzberisht, ku jeton bashkëshortja me vajzën, por familjarët i thanë policisë se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Gjatë mbrëmjes forca të shumta policie ushtruan kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës.

Kush është Altin Ndoci? 

Pjesë e krahut të armatosur të organizatës kriminale të Çopjave të Elbasanit, i rekrutuar si vrasës me pagesë nga Talo Çela dhe i akuzuar në disa vrasje mafioze në vend, Altin Ndoci cilësohet nga autoritetet si një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndoci me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”. Dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë e kanë përfshirë në disa vrasje të bujshme, mes tyre edhe masakra e Bradasheshit. 

TË ARRESTUAR DHE SHKARKUAR NGA DETYRA

Aulon Çuko- kryeinfermieri i Burgut të Durrësit (shkarkuar)

Dezdemon Pazaj- Zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit  (shkarkuar)

Dorian Saraçi– Kryeinspektor (shkarkuar)

Sali Ferollari– Inspektor (shkarkuar)

Preng Marvataj– Inspektor (shkarkuar)

Fation Baçi– Inspektor  (shkarkuar)

Aranit Çela – Kryeinspektor (shkarkuar)

Violeta Uka- Komisare (shkarkuar)

VETËM TË SHKARKUAR NGA DETYRA

Indrit Cerloj – Drejtor i Burgut Durrës

Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; /Report Tv/

Te tjera

Lajme te tjera