Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka deklaruar mbështetjen e Shqipërisë “përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës”, duke shënuar reagimin e parë zyrtar të shtetit shqiptar për sulmet ushtarake të Uashingtonit në vendin e Amerikës Latine dhe kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët do të gjykohen në New York për trafik droge, terrorizëm dhe trafik armësh.
“Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”, thekson Spiropali.
Ministrja shtoi se “si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale.”
Postimi i Spiropalit në X:
Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.
Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale.
Populli venezuelian ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës.
Si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale.
