Politika ka uruar 113-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur. Mesazhe jo vetëm nga vendi e Kosova, por edhe partnerët ndërkombëtarë. I pari që uroi ishte kryeministri Edi Rama, i cili përmes postimit të përditshëm në mëngjes, publikoi një fotografi nga monumenti i pavarësisë në Vlorë.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, shkroi kreu i qeverisë.
Nga SHBA, uroi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili vlerësoi partneritetin me Shqipërinë. Edhe Donald Trump i dërgoi një mesazh presidentit Bajram Begaj, të cilin e ndau në rrjete sociale. Begaj, duke e falenderuar për urimin, theksoi se mbeten të përkushtuar për të punuar krah aleatit të saj.
“Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, thuhet në mesazhin e Trump.
“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit, SHBA, dhe faleminderit Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta.”, shkroi më pas Begaj.
Edhe delegacioni i BE-së në Tiranë përcolli urimin e tij: “Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë”. Nuk mungoi edhe urimi nga NATO.
“…për t’u bashkuar me ne në festimin e Aleatit tonë Shqipërisë në Ditën e tyre Kombëtare!”, shkruhej në postimin e NATO-s, krahas disa fotove të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Edhe nga Kosova nuk munguan urimet. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke iu rikthyer ngjarjeve historike, bëri thirrje për një “Nëntor të Tretë”, i cili, sipas tij, duhet të vijë përmes përpjekjeve, punës dhe përkushtimit të përbashkët drejt të ardhmes së kombit.
“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, u shpreh Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përveç urimit, solli në vëmendje katër ngjarje historike që e shënojnë 28 Nëntorin.
“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare,” tha Osmani.
Nga qelia, Ilir Meta dha mesazhin e tij. Duke vlerësuar kontributin e figurave historike, ai thekson se patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për flamurin duhet të mbeten pishtar i përhershëm për kombin shqiptar.
“Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë,” shkruan Meta.
