Shqipëria shënjoi një tjetër hap historik në rrugën drejt BE. Në Bruksel u festua me tortë hapja e grupkapitullit të fundit të negociatave, ‘Bujqësia dhe Kohezioni’. Për Unionin tashmë nuk ka asnjë dyshim, që Shqipëria e ka vendin në BE. Këtë e bëri të qartë edhe Komisionerja Marta Kos, e cila bashkë me ministren e jashtme daneze, Marie Bjerre vlerësuan punën e bërë nga vendi ynë dhe hapjen e negociatave për të gjithë kapitujt në një kohë rekord, brenda 1 viti.
“Shqipëria vazhdon të njëjtin drejtim, të njëjtin ritëm, anëtarësimi do arrihet në një të ardhme të afërt. Shqipëria i përket familjes evropiane”, tha Bjerre.
“Shqipëria është një partner që mund të mbështetemi. Shqipëri vazhdo kështu, ne po përgatisim një shtëpi për ju në Europë”, tha Kos.
Për kreun e qeverisë, integrimi në BE është një proces që shkon përtej ngjyrave partiake. Ndërsa premtoi se Shqipëria do të ecë me të njëjtin ritëm për të punuar për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027, Rama theksoi se në Bruksel nuk përfaqësojnë një parti politike, por të gjithë kombin shqiptar.
“Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë”, tha Rama.
Kos u kujdes të nënvizojë se vendin tonë e pret një punë e gjatë përpara për të përmbushur të gjitha detyrimet e BE-së.
“Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin real”, tha Kos.
Çelja e negociatave u festua në Bruksel me një tortë me ngjyrën e kuqe të flamurit shqiptar, që Kos i dhuroi Ramës. Ishin dy ministret Majlinda Dhuka dhe Adea Pridenji që frynë qiriun me numrin 6, ndërsa tortën e preu vetë kryeministri Rama me Kos dhe Bjerre, të cilave u dhuroi shishe vere autoktone me skicimet të tij. Mbrëmë u hap në Bruksel edhe godina e Misionit të Shqipërisë në BE.
Tashmë Shqipëria ka hapur negociatat për 6 grupkapitujt: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, Axhendën e Gjelbër dhe Bujqësia dhe Kohezioni. BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër. Me hapjen e grupkapitullit të fundit vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.
