E premte, 24 Prill, 2026

“Shqiptarët në Kanada janë komuniteti më i mirë, ndërsa Shqipëria është kampione në respektimin e pakicave”, ambasadorja Artemis Malo në një rrëfim të ndjerë për jetën, rrënjët dhe shqiptarinë

Share

Në një intervistë të veçantë dhe të ngrohtë për “Albanian Oda Podcast” të moderatorit Xhemi Agaj, Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo, ndan rrëfime për jetën, karrierën dhe dashurinë e saj të thellë për atdheun. Ajo flet me sinqeritet për rrënjët familjare, përkushtimin ndaj shërbimit publik dhe rolin që diplomacia luan në afrimin e njerëzve. Me një qasje humane dhe filozofike, Ambasadorja thekson se lidhjet më të forta ndërtohen për idenë dhe vlerat, jo për individët. Ajo ndan gjithashtu mendime mbi forcën e komunitetit shqiptar në Kanada dhe kontributin e tyre të vyer. Ky është një rrëfim që bashkon zemrën dhe misionin – një histori për shqiptarinë që udhëton me dinjitet në çdo cep të botës.

Xhemi Agaj: Sot me ne është ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, zonja Artemis Malo. Artemis, mirë se erdhët në Albanian Oda Podcast.

Ambasadorja Artemis Malo: Mirë se ju gjeta. Faleminderit shumë për ftesën, edhe urime të përzemërta.

Xhemi Agaj: Unë dua ta nis bisedën me takimin tonë të parë që e bëmë vitin e kaluar, kur ishte hera e parë që erdhët të na vizitoni si ambasadore e zgjedhur. Nuk e harroj atë takim të parë asnjëherë, ishte shumë i përzemërt. Qysh aty e kuptova që ne jemi me fat që kemi një grua zonjë, një profesioniste, një nënë dhe një ambasadore shumë të qëlluar. Jemi shumë me fat që të kemi, dhe unë publikisht dua të falënderoj për përkrahjen që nga dita e parë, sidomos ti e di udhëtimin tonë për podkast. Jam nderuar që je sot këtu.

Ambasadorja Artemis Malo: Unë të falënderoj shumë për fjalët shumë të mira që më ke drejtuar. Në fakt, unë e ndiej veten me fat sepse detyra ime përkon në një vend ku është **diaspora më e mirë shqiptare**. Këtë e them me bindje të plotë, edhe në bazë të vlerësimeve statistikore, jo vetëm se dua unë të jetë kështu, por është fakt. Dhe një nga përfaqësuesit më të mirë që unë kam njohur për të përcjellë zërin e diasporës shqiptare në Kanada, pa dyshim që je ti.

Xhemi Agaj: Faleminderit shumë! Ndihem shumë i gëzuar. Faleminderit për këtë kompliment, Artemis. Unë gjithmonë e filloj bisedën: Kush është Artemis? Kur ka qenë gocë e re, ku u rrit, si u shkollua? Na flet pak për fëmijërinë tënde në Shqipëri?

Ambasadorja Artemis Malo: Me shumë kënaqësi. Është hera e parë në fakt që kam një intervistë personale. Zakonisht jam mësuar me intervista profesionale dhe zyrtare. Shumë pak flas për veten time, por me ty do të flas shumë lirshëm, sepse është ajo ndjenja (vibes) që ti i krijon njerëzve si miq të hershëm dhe ne jemi vetvetja kur flasim me ty, si para kamerave, si pas kamerave.

Unë kam lindur në qytetin e Gjirokastrës dhe kam jetuar aty pjesën më të madhe të jetës time, nga dy prindër minoritarë me origjinë greke. Nëna ime ishte mjeke dhe im atë, i cili është ndarë nga jeta, një inxhinier. Kanë qenë studentë ekselentë gjatë gjithë karrierës së tyre. Mirëpo, për shkak të biografisë, fati i asaj kohe i detyroi t’i shërbenin sistemit të atëhershëm larg njëri-tjetrit. Nëna ime u emërua mjeke në fshatrat e largëta të Gjirokastrës, në një zonë ku atëherë ishte shumë vështirë edhe infrastruktura, pra nuk kishte komunikim shumë nëpërmjet transportit për të ardhur në Gjirokastër. Im atë, pavarësisht se mbaroi universitetin me medalje të artë në inxhinieri, sistemi i atëhershëm e dërgoi në veri të Shqipërisë, në Batër, në Martaneshë, për të shërbyer si kryeinxhinier. Pas lindjes sime, im atë u emërua për të qenë pak më afër familjes, në një qytet të vogël ku kishte sërish minierë guri, në qytetin e Memaliajt. Kanë qenë pothuajse shumë të vështira kushtet për të qenë shumë pranë. Detyrimisht, në këto kushte, unë jam rritur me gjyshen time.

Xhemi Agaj: Nga mami apo nga babi?

Ambasadorja Artemis Malo: Nga mami. Sepse gjyshja e babait jetonte në minoritetin grek, në zonën e Dropullit të Gjirokastrës. Mua më duhej të isha në Gjirokastër. Kam ndjekur aty shkollën me gjyshërit e mi, me gjyshen dhe me gjyshin. Shumë herë mamin dhe babin i takoja darkave ose fundjavave. E dini që atëherë s’ka pasur të shtunë, por ka pasur vetëm të dielë, kështu që këtë e quanin “të dielën familjare”. Kam qenë, në fakt, sipas gjyshërve të mi, një fëmijë shumë i mbarë, një nxënëse shembullore, siç më quanin atëherë. Më pas erdhi në jetë edhe një vëlla. Unë kam vetëm një vëlla. Ai sot jeton prej shumë vitesh në Suedi, është profesor. Edhe ai ka qenë pas moshës 18 vjeç gjithë kohës në studime jashtë dhe nuk ka qenë në Shqipëri, por vjen shumë shpesh, shkon shumë shpesh në Shqipëri. Pas studimeve të shkollës së mesme, që prindërit e mi gjykuan që unë të studioja në një shkollë profesionale të gjuhëve të huaja, unë vendosa që shkollën e lartë ta vazhdoja në Londër. Mirëpo, sërish ishte e pamundur sepse më rastisi një periudhë shumë e vështirë në Shqipëri. U desh të përballeshim me vitet ’96, ’97, e më pas ’98, trauma shqiptare. Kjo na la shumë pasoja ne që jetuam në një moshë, nuk do ta quaja madhore, por në një moshë që ne filluam të njihnim veten dhe u rritëm. Për shkak të atij viti, vendosa të studioja universitetin e parë; mbarova Gjuhë Angleze, fillimisht në Gjirokastër, pastaj në Tiranë. Ndoqa studimet e masterit profesional në fushën e përkthimit. Pastaj bëra doktoraturën si eksperte komunikimi, por kryesisht në fushën e linguistikës dhe të krahasimit të gjuhës shqipe me gjuhët e tjera, ku kam bërë bosht edhe gjuhën angleze. Mora titullin docent, që është një titull akademik në nivelin universitar për dhënien e leksionit. Kam bërë universitetin e dytë në Juridik, në Tiranë, dhe më pas masterin profesional në Administrim Publik. Ky rrugëtim akademik më bëri shumë të papritur, të cilin unë e dashuroja, sepse qysh fëmijë, ndoshta kam qenë 17, 18, 19 vjeç, unë u bëja mësim gjithë fëmijëve të lagjes. I mblidhja dhe u mësoja herë greqisht, që i kisha të trashëguar në shtëpi nga gjyshërit, herë anglisht, herë italisht, sepse ne në televizorët tanë kishim vetëm italisht. Për shkak se ishim në një qytet kufitar, shumica dinin edhe greqisht. Unë kisha edhe anglishten. Mami im, që adhuronte Francën, këmbëngulte që unë të mësoja frëngjisht. Dhe automatikisht unë nuk e di se si u rrita mes pesë gjuhëve. Dhe u bëra mësuesja e lagjes, ekzakt. Prindërit e lagjes të pallateve aty përreth më thoshin: “Mos e ndërpre se na pëlqen që vijnë fëmijët në shtëpi dhe na thonë ndonjë fjalë.” Kështu që filluan të më paguanin me orë mësimi. Isha shumë e vogël. E quaj veten kontribut në financat familjare që në atë moshë. Babai im ishte një njeri që kishte një “shpirt rebel,” sepse nuk pranonte dot padrejtësinë. I dukej sikur kastës së minoritetit grek, i bëhej padrejtësi, por dhe ata vetë bënin padrejtësi. Ai filloi të më frymëzonte duke më thënë që ne jemi ata që mund të ndryshojmë mirëqenien tonë, nuk mund të presim nga askush. Pas gjithë rraskapitjeve që kishin kaluar në gjithë Shqipërinë nga Batra, Martaneshi—ku sistemi donte t’i internonte profesionalisht—ata patën edhe internim familjar. Familja e nënës sime, që është me origjinë nga fshati Kakavije, është internuar gjithë familja. Daja i nënës sime është pushkatuar dhe është varur në mes të fshatit për t’u bërë shembull se gjoja ne ishim grekë tradhtarë të Shqipërisë. Kjo na kushtoi shumë, sepse ne ishim më shqiptarë nga gjithë shqiptarët. Ne aty e gjetëm gjenezën, aty e gjetëm veten dhe nuk luajtëm kurrë me historinë. Ne ishim në Shqipëri, ne jemi shqiptarë. Babi na ka rritur me parimet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, dhe nuk kemi dalë kurrë me flamurin e përfaqësimit as të shtetit grek. Pavarësisht se jemi shumë krenarë që kemi origjinën greke, jemi shumë krenarë që ne disponojmë dy kultura, dy gjuhë, dy histori në krahasim me njerëzit e tjerë që janë shqiptarë dhe kanë vetëm një. Ishim shumë krenarë për faktin që ne kishim një gjë ekstra për të treguar dhe për të ndarë me bashkëdhetarët tanë në Shqipëri. Erdhi një moment që im atë, së bashku me mamin tim, kërkuan që ne të sillnim drejtësinë në kuptimin shoqëror aktual, jo për të ndryshuar situatat, por të jetonim me dinjitet, për t’u vlerësuar si shqiptarë me një kontribut të ndershëm në shoqërinë shqiptare, intelektualë të zotët dhe njerëz të vlerësuar. Papritur, im atë më kërkoi që unë të angazhohesha fillimisht në forumet politike të partisë së të drejtave të njeriut, që quhej atëherë partia që përfaqësonte minoritetin grek. Unë isha shumë skeptike, sepse grupi i cili e drejtonte mua më kishte zhgënjyer ndër vite. Pavarësisht se tentova të bashkëpunoja dhe të jepja kontributin tim si një e re me intelekt, me një formim—për brezin tim, isha nga ato studente të dalluara. Nuk m’u dha kjo e drejtë në atë lob. Unë kërkova të isha një e re e shoqërisë shqiptare, pavarësisht origjinës. Ne në Shqipëri duhet të jemi shumë krenarë që kemi **nëntë pakica kombëtare** dhe jemi të gjithë njësoj. Respekti i të drejtave të minoritetit në Shqipëri ka qenë një nga shembujt më të mirë ndër vite, dhe këtë e them nga eksperienca familjare. Ne kemi vuajtur në kohën e sistemit, ashtu si të gjithë shqiptarët. Unë kam dashur shumë që të jem një mbështetëse, një aktiviste shumë e denjë për t’i mbrojtur këto të drejta. Pata fatin që të punoj me ligjin e pakicave kombëtare si zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndoshta kjo ka qenë një pjesë që kam dashur ta bëj shumë krenar tim atë. Por në atë periudhë, si studente, nuk u prita, nuk u përqafova nga këto grupe të minoritetit grek aspak mirë. Ata që raportonin në sistem ndoshta kanë qenë anëtarë të këtij grupi për njëri-tjetrin, gjë që mua inteligjenca, morali, dinjiteti nuk ma lejonte.

Ambasadorja Artemis Malo: Qëllime meskine personale. Fatkeqësia më e madhe është që çdo njeri angazhohet politikisht, por nuk i di motivet personale. Unë them gjithmonë: Ne duhet të lidhemi për idenë, jo për individin.

Xhemi Agaj: Këtu dua të bëj një pyetje: Çfarë mendon, ku qëndron Shqipëria si shtet në Evropë në dhënien e të drejtave të pakicave? Siç e di, unë jam nga Kosova dhe Kosovës iu imponua me një farë fryme. Ishte një pavarësi e kushtëzuar. Unë mendoj që pakicat në Kosovë kanë më shumë të drejta se kudo tjetër në Evropë. Ku qëndron Shqipëria në këtë mes? Ku qëndron, si mendon Shqipëria, sepse ke qenë zëvendësministre dhe ke punuar në ligj, ku qëndron në krahasim me të tjerët?

Ambasadorja Artemis Malo: Unë do të them vetëm një fjali, Xhemi, sepse nuk dua të filloj. Edhe pse ky programi jot nuk ka asnjë frymë politike, për këtë të përgëzoj. Unë do të them si unë e kam konceptuar detyrën politike: Nëse Politika nuk është interes publik, atëherë nuk është mirë të angazhohet askush që e shikon përtej kësaj. Politika është një angazhim, është një profesion, është një sakrificë, është një përkushtim për të mirën publike, për interesin publik. Ti je aty për të ndryshuar atë gjë që mendon se mund ta ndryshosh për të mirën publike dhe jo personale. Për sa i përket qëndrimit të qeverisë shqiptare për pakicat kombëtare, unë sot në 2025-ën jam më shumë se krenare, dhe jam thjesht e pikëlluar për faktin që ne nuk e promovojmë sa duhet. Ne jemi një shembull i pabesueshëm për kombet e tjera. Shqipëria dhe Kosova, dy motra të pavarura, por që kanë të njëjtin baba, të njëjtat parime dhe të njëjtin gjak. Kemi nëntë pakica kombëtare (në 3 milionë rezidentë shqiptarë) — ky është një raport fantastik. Këto nëntë pakica janë të njohura me ligj. Shumë pak shtete kanë ligj të posaçëm për pakicat kombëtare, dhe ndër to Shqipëria është një kampion. Pakicat vulnerabël, siç është pakica rome, kanë avantazhe pozitive në fushën e arsimit, përjashtohen nga tarifat e studimeve universitare dhe pasuniversitare. Sot kemi përfaqësues të denjë nga ky komunitet, si një zëvendësministre për mirëqenien sociale në Ministrinë e Shëndetësisë. Këto janë pakica që jetojnë lirshëm në të gjithë terrenin e Shqipërisë ku dëshirojnë dhe nuk ka asnjë kriter që i lokalizon.

Xhemi Agaj: A mendon që Shqipëria është më zemërgjerë në krahasim me shtete të tjera kur vjen pyetja për pakicat? Apo ka të bëjë me shpirtin shqiptar? Unë mendoj që shpirti i shqiptarit është një shpirt i mirë, i pranueshëm. Mendon që është më zemërgjerë se vende të tjera, apo është imponuar, apo është kombinimi i të gjithave?

Ambasadorja Artemis Malo: Nuk besoj se ka asnjë imponim. Ne jemi këta që jemi. Kemi qenë kështu të hershëm: Tolerancë fetare, tolerancë etnike, bashkëjetesë harmonike. Feja e shqiptarit është shqiptaria. Kjo është një thënie që vjen nga Rilindja. Unë nuk besoj se ka shtet më tolerant dhe një bashkëjetesë kaq qytetare. Janë të tjera gjërat që mund të krijojnë reaksion midis shqiptarëve, por kurrsesi origjina ose besimi fetar. Kjo nuk ka ndodhur.

Xhemi Agaj: Tani, në rrugëtimin tënd diplomatik, kur ke qenë zëvendësministre, cilat janë përshtypjet e diplomatëve të huaj në takime? Si na shohin ata?

Ambasadorja Artemis Malo: Unë do të them vetëm një fakt: Sot jam diplomate dhe i shërbej shqiptarëve pa asnjë ngjyrim politik. Ngjyra jonë është kuq e zi dhe vetëm kjo na bashkon. Por, në rolin e zëvendësministres, unë të garantoj se shumica e diplomatëve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri kanë kërkuar të gjithë të shtojnë mandatet, të qëndrojnë më tepër. Kjo i thotë të gjitha. Vijnë në Shqipëri të përgatitur. Shumica prej tyre mësojnë edhe pak shqip. Ne i presim dhe duke thyer ndonjëherë edhe rregullat e protokollit, për t’i bërë të ndiejnë më familjarë me ambientin tonë. Kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira në arenën ndërkombëtare dhe sot imazhi i Shqipërisë gëzon momentet më të bukura të veta në qarkun diplomatik. Trupa diplomatikë në Shqipëri janë ata njerëz që e kërkojnë Shqipërinë, pastaj e dashurojnë Shqipërinë dhe nuk duan të largohen nga Shqipëria.

Xhemi Agaj: Duan ta vazhdojnë mandatin.

Ambasadorja Artemis Malo: Në përgjithësi, unë kam pasur takime zyrtare, formale, por pastaj edhe miqësore. Kemi arritur të bëjmë miq të mirë të Shqipërisë. Shqipëria është vlerësuar shumë për respektimin e të drejtave të minoriteteve në çdo raport ndërkombëtar. Duke marrë shkas nga shtetet fqinje, po flas për Greqinë: Greqia nuk ka një ligj (për minoritetet).

Xhemi Agaj: Mirë, këtu dua të ndalem. E di që është “hot topic” edhe çështja çame, që është një nyjë e madhe ende e pazgjidhshme. Pastaj është ai ligji i luftës që është një dokument që ekziston ende dhe nuk di pse s’është larguar deri më tani. Ka edhe pyetja për arvanitasit. Ku qëndron çështja çame, zyrtarisht në çështje diplomatike?

Ambasadorja Artemis Malo: Nuk do futemi shumë këtu. Unë do të tregoj shumë shkurt një histori time personale. Duke më gjykuar si një politikane me origjinë greke, paragjykimet për marrëdhëniet me komunitetin çam kanë qenë pafund. Ndërkohë, unë i kam miq shumë të mirë, kam miqtë më të ngushtë dhe kam edhe familjarë me origjinë çame, dhe jam shumë krenare për ta. Nga ana tjetër, pala greke, për sa kohë unë përfaqësoja Ministrinë e Jashtme, nuk e ka pranuar si çështje. Është diçka mbi ne, diçka që nuk mund të zgjidhet në nivelet diplomatike të vogla. Janë negociata të mëdha. Në vitet 2017-2018 ne kemi pasur një dosje të madhe negociatash me Greqinë, ku ishin disa pika duke filluar nga marrëveshja e detit. Sigurisht, ishte parashikuar në këtë dosje edhe çështja çame. Për shumë arsye gjërat janë pending. Dua të tregoj diçka shumë modeste: Kur u emërova për herë të parë në 2017 zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkova të takoja ministrin e atëhershëm, zotin Ditmir Bushati. Më thanë që do të jem në zyrën ku ka qenë ish-zëvendësministri para meje, i cili vinte nga një koalicion: zoti Halil Hyseni. Kolegët më thanë: “Halili është çam.” Kjo më intrigoi shumë.

Gjëja e parë që kam bërë, i kam kërkuar asistentes të më kontaktonte me ish-zëvendësministrin, sepse doja ta takoja. Kur erdhi zotëria—një zotëri i nderuar, një avokat—unë u emocionova aq shumë sa m’u mbushën sytë me lotë. I thashë: “Unë jam Artemis, dhe unë ju kam thirrur vetëm për të pirë një kafe me ju dhe për t’ju falënderuar për stafetën që më keni lënë.” I thashë: “Dua që bashkë ne të dy t’i japim një shembull që nuk na ndan asgjë, na bashkon shqiptaria. Gjithë të tjerat i përkasin historisë dhe ne nuk mund ta zgjidhim sot.” Unë gëzoj sot dhe dua ta përshëndes, një zotëri që përfaqësonte komunitetin çam dhe ishte emëruar zëvendësministër në atë periudhë. Dua të tregoj në aspektin tim personal: unë nuk kam asnjë lloj kompleksi, asnjë lloj ndarje, nuk kam asnjë lloj paragjykimi për askënd. Ne nuk e zgjedhim origjinën. Nuk e zgjedhim ne bërjen e historisë dhe veprimet historike, dhe nuk i ndryshojmë dot sot. Ajo që ne kemi në dorë dhe që mund të bëjmë është që fëmijëve tanë t’u trashëgojmë një botë më të mirë. Nëse fëmija im vjen në shtëpi dhe më thotë: “Kam një shoqe që është çame dhe jam paragjykuar,” unë do ta kritikoj shumë, sepse shoqja, e para, është shqiptare.

Xhemi Agaj: Unë mendoj që jemi me prejardhje të njëjtë, ne jemi pellazgë të gjithë: ishin ilirët, trakasit dhe helenët. Unë jam shumë krenar që populli im, shteti im, qoftë Shqipëria apo Kosova, i kemi trajtuar me shumë dinjitet ata, dhe kjo duhet të vlerësohet. Nuk duhet më shqiptari të akuzohet e të poshtërohet. Krenaria ime vjen edhe nga diversiteti ynë: një popull, i vetmi popull, me katër fe zyrtare: Suni Islam, Bektashianët, Katolikët dhe Ortodoksët. Unë jam i gëzuar ku qëndrimet e tua ndihmojnë shumë shqiptarët, në të njëjtën kohë edhe pse jam minoritare. I ke bashkëndërtuar të dyja aq mirë, aq bukur. Ato që kanë ndodhur duhet së paku të evidentohen, të thuhet: “Hej, kjo ishte gabim, duhet të kërkohet falje.” Dua të të pyes pak për babin. Babai, kur punonte në Shqipëri, ishte larg mamit?

Ambasadorja Artemis Malo: Sistemi ishte i tillë që ti do t’i shërbeje atdheut aty ku kishte nevojë. E drejta e shkollës/bursa ishte një privilegj shumë i madh. Babai u rrit në konvikt. Me mamin tim janë njohur që në gjimnaz. Mami në mjekësi u shkëput një vit (për shkak të sistemit), dhe ata sërish ishin bashkë. Babi mbaroi më herët dhe u vendos që do shërbente në Batër, në Martaneshë. Kështu u vendos, sepse gjyshi i tij dikur ishte arratisur në Australi. Unë kam lindur pas viteve ’80, kështu që më kapi periudha e parë e demokracisë, sistemi ishte duke pësuar tranzicion. Mamin e kanë emëruar në një zonë kaq malore të Gjirokastrës, sa edhe sot akoma rruga dhe infrastruktura nuk ka përfunduar në 2025-ën.

Xhemi Agaj: Ke kujtime nga…?

Ambasadorja Artemis Malo: Kam shumë kujtime. Kur kandidova për deputete, njerëzit më thoshin: “Ti je një shqiptare nga veriu në jug,” sepse babi kishte krijuar shumë miq aty ku ishte, dhe mami gjithashtu në jug të Shqipërisë. Unë e ndiej veten të shtrirë në gjithë Shqipërinë.

Xhemi Agaj: Shkollimi juaj për linguistikën, për gjuhën. Ku qëndron gjuha shqipe në familjen e gjuhëve evropiane? Unë mendoj që është më e vjetra tani.

Ambasadorja Artemis Malo: Si shkencëtare, pra si doktor shkencash, shqipja është një degë e veçantë. Nëse do ta studiojmë pemën e gjuhëve indoeuropiane, do shohim që shqipja është konsideruar si gjuha më e vjetër, më e lashtë. Ka shumë gjuhëtarë që mbrojnë me argumente pretendimin e tyre se rrënja e çdo fjale të gjuhës shqiptare ka një gjenezë që ia kanë dhënë, ose e kanë marrë edhe gjuhë të tjera. Sot në 2025-ën, jam duke punuar me artikuj të ndryshëm shkencorë për të vazhduar me titullin e radhës. Kur unë bëja doktoraturën, ishte shumë e vështirë të gjeja materiale. Sot, nëse bën një kërkim të thjeshtë pa filtra në internet për të krahasuar gjuhën shqipe me gjuhët e tjera, ka pafund analiza historike gjuhësore.

Xhemi Agaj: Unë mendoj se ende nuk është bërë shumë zyrtarisht, sepse e vërteta duhet të dalë në mënyrë shkencore, jo nga ana politike. Mendoj që duhet të punohet më shumë zyrtarisht rreth kësaj. A do bëhet ai konsolidimi i gjuhës?

Ambasadorja Artemis Malo: Në Shqipëri kemi institucione shumë të forta që punojnë për gjuhën shqipe dhe kemi një departament me akademikë të nderuar. Kur bëra titullin e doktoraturës, profesorit tim ia propozova: “Krahasimi i formave të pashtjelluara në gjuhën shqipe me atë angleze.” Profesori më tha: “Artemis, do shkruash ‘Gjuha Shqipe Standarde’. Nuk mund të thuash ‘Gjuha Shqipe’, sepse gjuha shqipe nuk është ajo gjuhë që ti e merr të mirëqenë.” Kapitujt e parë kanë qenë format (paskajorët, përcjellorët) duke i krahasuar me infinitivin e anglishtes. Aty pastaj lindi ideja të bënim edhe një pasqyrë krahasimi me gjuhët e Ballkanit. Në Shqipëri kemi një pasuri dialektesh. Të garantoj që veriorët me jugorët brenda në Shqipëri e kanë pak të ngadaltë kuptimin dhe komunikimin, aq më tepër me shqipen e Kosovës. Unë gjithmonë i referohem faktit që nuk na ndan asnjë gjë, na dallon vetëm dialekti.

Xhemi Agaj: Unë vetëm mendoj që është bërë padrejtësi historike gegënishtes, duke besuar që është bazamenti i gjuhës shqipe, dhe duhet bërë më shumë që të pasurohet gjuha shqipe. Gjuha e nënës time, gegënishtja ime, nuk është zyrtarisht në fjalor. Pse nuk përdoret ajo (fjala *ftikë*) dhe shumë fjalë të tjera që ne ndonjëherë dyshojmë a janë shqip apo kanë prejardhje të ndryshme?

Ambasadorja Artemis Malo: Çdo gjë fillon në rrënjë, studiohet rrënja se si është transformuar. Mos harro, kemi një ndikim të pashmangshëm historik nga sundimi osman. Gjuha shqipe ka pësuar transformime dhe metamorfoza në shumë etapa. Ne ishim në udhëkryqin e Ballkanit. Kuptohen ndikimet, edhe në Kosovë, që janë ndikime sllave, fjalë që janë futur nga gjuha serbe. Xhemi, unë jam partizane e mendimit që institucioni kryesor për trashëgiminë e gjuhës është familja, kudo qofshim. Akademikët kanë prodhuar shumë vepra dhe libra, por unë e para nuk e blej atë libër t’ia jap vajzave të mia, sepse unë në shtëpi detyrimisht kam origjinalitetin e gjuhës të familjes dhe të zonës ku jam rritur. E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë. Nëse nuk ia përcjellin natyrshëm gjuhën e nënës (të rajonit dhe të dialektit ku u rrite), mos prit kurrë që kjo të trashëgohet nga librat. Dialektologjia ka qenë nga lëndët më të vështira, sepse nuk ke teori. Nëse ti nuk e jeton atë, ti nuk e memorizon.

Institucioni kryesor është familja. Nëse familja nuk e përcjell trashëgiminë, sepse gjuha nuk është thjesht gjuhë, **gjuha është kulturë, është histori, është traditë. Unë jam shumë mirënjohëse prindërve dhe gjyshërve të mi që ne në shtëpi, le të them 80% të kohës, flisnim greqisht. Im atë kishte pikërisht këtë teori në kokë: “Nëse unë nuk ta trashëgoja atë që mua më ka trashëguar gjyshja dhe stërgjyshja ime, ti s’ke ku ta mësosh, sepse ti nuk jeton në ambient grekofon.” Të njëjtin shembull unë dua ta kaloj edhe tek shqiptarët e diasporës. Nëse në shtëpi ajo është jeta e përditshme, komunikimi më i pashmangshëm dhe më i nevojshëm. Ata që jetojnë madje në Montreal, detyrimisht do mësojnë edhe frëngjisht, edhe anglisht, por ama shqip duhet të flasin në shtëpi. Gjuha është praktikë.

Xhemi Agaj: Angazhimi juaj si ambasadore këtu. Çfarë shërbimesh afron ambasada? Cilat shërbime, që the se janë diku 30 e sa?

Ambasadorja Artemis Malo: Të gjitha shërbimet tashmë janë digjitale. Ne e kemi kthyer sistemin pothuajse *paperless*. Shërbimet e jashtme shkojnë nëpërmjet platformës “shko.al” në sistemin “e-Albania”. Aty, një qytetar interesohet për çertifikatat, legalizimet, regjistrimet, prodhimin e pasaportave dhe të kartave të identitetit. Mundësojmë njohjen e patentave. Njohim edhe disa diploma të universiteteve të ndryshme që kanë marrë shqiptarët në Shqipëri. Me Kanadanë jemi duke punuar fort për njohjen e plotë të sigurimeve shoqërore, pra që të kemi një marrëveshje të mirëfilltë për pensionet. Ne do të kemi një konsullatë të përgjithshme në Toronto.

Xhemi Agaj: Ky është lajmi i mirë!

Ambasadorja Artemis Malo: E kam kërkuar në mënyrë të veçantë ministrit Hasani. Tani jemi në finalizim të projektit për të hapur një konsullatë. Sugjerimi im personal është që ta kemi të përbashkët me Kosovën. Kemi shembuj shumë të mirë, për shembull në Mynih, Gjermani.

Xhemi Agaj: Kjo ishte fantastike! Nëse bëhet një marrëveshje dypalëshe, do ishte shumë më i mirë. Shpresoj të realizohet.

Ambasadorja Artemis Malo: Unë po punoj shumë fort për këtë.

Xhemi Agaj: Titullarët e ambasadave nuk mund të kenë shtetësi me shtetin ku do shërbejnë. A duhet të jetë patjetër shtetas i Shqipërisë të jetë konsull?

Ambasadorja Artemis Malo: Jo detyrimisht. Kriteri i parë është të jetë një shtetas shqiptar. Por nëse një shtetas që është me origjinë kosovare disponon edhe shtetësinë shqiptare…

Xhemi Agaj: Mendova për vete (qesh) : A mund të aplikoj për konsull? Ta them troç, ëndërr e kam!

Ambasadorja Artemis Malo: Do bëhet shumë shpejt! Edhe unë e kam ëndërr që të bëhen këtu: pikë së pari, ajo godina e përbashkët, të jenë dy konsujt.

Xhemi Agaj: Është një ndjenjë e madhe të kemi nënshtetësinë shqiptare.

Ambasadorja Artemis Malo: Ka disa kritere patjetër. Është edhe klauzola e interesit kombëtar për shqiptarët që nuk janë shqiptarë legalë, por që paraqesin interes kombëtar. Ka një dispozitë ligjore për këtë.

Xhemi Agaj: Të kthehemi tek shërbimet. Ku qëndron marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kanadasë për patentat?

Ambasadorja Artemis Malo: Ka disa specifika të caktuara për llojin e patentës. Ne kemi një rubrikë “Konsulli Juaj” për të informuar qytetarët. Në momentin që një qytetar na paraqet kërkesën dhe dokumentacionin, ne e delegojmë në institucionet përkatëse në Shqipëri (Drejtoria e Përgjithshme e Patenteve) për të kthyer një përgjigje se si rezulton patenta shqiptare, për ta konvertuar pastaj në një nivel të caktuar me patentën kanadeze. Unë nuk jam shumë eksperte e patentave. Kam pasur gjithmonë tim shoq në krah, edhe për këtë e falënderoj se është pak e vështirë.

Xhemi Agaj: Ti je shumë me fat!

Ambasadorja Artemis Malo: Jam shumë me fat. Ai është shumë besimtar i rregullt, dhe unë këtë e respektoj shumë. Ndonjëherë e përdor edhe si shembull për t’u thënë të huajve: Unë jam një çift që po ju jap shembull se si është bashkëjetesa, harmonia dhe toleranca fetare në Shqipëri. As ai mua, as unë atë kur jemi njohur, nuk e kemi pyetur: “Çfarë besimi fetar ke?” Kjo është një karakteristikë e gjithë shqiptarëve. Kemi tejkaluar.

Xhemi Agaj: Jeni çift shumë i mirë. Shkoni shumë mirë dhe Hysni e kupton shumë mirë pozitën tënde. Shihet që e ka mbështetjen 100%. Mua më pëlqen ajo bota e atij, është i ëmbël për të ndenjur, është i lehtë, i kuptueshëm, dhe ka një energji të mirë.

Ambasadorja Artemis Malo: Ne jemi rritur në familje të cilat, pavarësisht sfidave të shumta që u është dashur të përballen, ne jemi rritur mirë. Jam shumë mirënjohëse për edukatën dhe parimet që na kanë ngulitur prindërit. Ne konkursin nuk e kemi me asnjë, e kemi vetëm me vete. Në momentin që njeriu kërkon të bëjë konkurs me veten e vet dhe nuk ka asnjë problem me botën jashtë, i pranojmë siç janë dhe mundohemi të ofrojmë mbështetjen modeste. Prindërit e mi ishin rritur mirë, njerëz shumë të ndershëm që arritën t’i përballonin sfidave të sistemeve dhe ishin shumë të respektuar. Sot jam shumë krenare dhe më mbushen sytë me lotë kur në Kanada, shumë inxhinierë më marrin dhe më thonë: “Je goca e Kostës ti? Ambasadorja e re, je gocë e Kosta Malos?” Babai im u nda herët nga jeta, 68 vjeç. Unë shoh bashkëmoshatarët e tij sot, dhe kjo është trashëgimia që kam gëzuar nga ai.

Xhemi Agaj: Ke qenë e lidhur me babanë?

Ambasadorja Artemis Malo: Kam qenë, e kam pasur mentorin tim personal, jo vetëm baba, por edhe shok. Ishte burrë i mençur, shumë.

Xhemi Agaj: Çfarë është duke punuar ambasada, përveç takimeve të thella?

Ambasadorja Artemis Malo: Konkretisht, unë në 14 shtator bëra një vit. Një nga sfidat që kam personalisht, e kam me shumë merak, është **linja direkte e transportit Kanada-Shqipëri** (ndoshta Montreal-Tiranë ose Toronto-Tiranë). Shumë shqiptarë më janë drejtuar duke më thënë: “E kemi ëndërr të kemi një linjë direkte, sepse jemi kaq vite të lodhur nëpër aeroporte me tranzit nëpërmjet Evropës, dhe shumë shtrenjtë.” Stafi im (dy vajza dhe një djalë) punojnë orar pa orar. Më duhet të ndjekim ritmin e autoriteteve kanadeze, të cilin ne e kemi emëruar “ritmi i breshkës.” Nuk mund ta shpreh akoma se ku jemi, sepse marrëveshjet midis shteteve derisa të firmosin janë gjithmonë konfidenciale. Por them se jam në rrugë shumë të mirë. Gjithashtu, edhe konsullata që do të hapet mund të thuhet publikisht. Në vijim, jemi duke punuar shumë në bashkëpunimin akademik. Për fat të keq, Kanadaja me Shqipërinë nuk kishte asnjë memorandum bashkëpunimi midis universiteteve ose ministrive të Arsimit. Jam duke rekrutuar një grup profesionistësh që të krijojmë një bord vullnetar këshillues pranë ambasadës, në mënyrë që të këshillojnë ambasadën për bashkëpunime të mundshme në emër të të dyja shteteve. Ju keni dy shtëpi, jeni sa kanadezë aq dhe shqiptarë. Spanja ka mbi 400 marrëveshje universitare me Kanadanë. Pse të mos kemi dhe ne të paktën 20? Bashkëpunimi midis fushës akademike dhe institucioneve qeveritare për mua është një pikë shumë e rëndësishme. Ka mundësi edhe në shumë fusha të tjera, si në mjekësi dhe në kulturë. Kam kërkuar të kemi programe pilot, ku mund të shkojnë grupe studentësh të bëjnë *exchange*, në mënyrë që të njohin Shqipërinë, historinë, arkitekturën, arkeologjinë.

Xhemi Agaj: Dua të bëj një pyetje për komunitetin tonë. Përshtypjet e tua kur erdhe, si e gjete komunitetin shqiptar?

Ambasadorja Artemis Malo: Unë fillova dhe bëra një hulumtim, pyeta shoqatat, emrat e rëndësishëm: Kë duhet të takojmë? Unë kam një dobësi për moshat e mëdha, sepse ata kanë dhënë gjithë jetën kontribut, dhe presin vetëm një vlerësim. Synova fillimisht të takohesha me shqiptarët më të vjetër në Kanada. Toronto është zemra e shqiptarisë në Kanada dhe këtë e dimë të gjithë. Më folën në Shqipëri: “Do shkosh aty dhe do kesh shqiptarë të mirë, të integruar, shqiptarë me dinjitet, shqiptarë që ia kanë ngritur fytyrën Shqipërisë.” Shtator, Tetor, Nëntor, kam qenë në një ëndërr që nuk ndalej 24 orë. Dua t’i falënderoj të gjithë për sakrificat dhe arritjet tuaja, sepse na keni lehtësuar dhe na keni krenuar. Të gjithë trupit diplomatik kur më pyesin, unë u them: “Janë shqiptarët më të mirë, komuniteti më i mirë.”

Xhemi Agaj: Ma thuaj statistikisht, në çfarë kuptimi është më i miri?

Ambasadorja Artemis Malo: Do ta them në mënyrë zyrtare: Shqiptarët që kanë hyrë në Kanada, kanë hyrë me një rregullore të emigracionit të filtruar. Pra, nuk kanë ardhur as si refugjatë, as për çështje ilegale, as për azil politik. Kanë hyrë në bazë të një procedure shumë zyrtare, me aplikime, me shkollime, me detyrim të gjuhës angleze, me poena, duke plotësuar kritere. Shqiptarët e Shqipërisë, 80% e tyre, kanë filluar të gjithë shkollat nga e para, pavarësisht se kanë qenë avokatë, prokurorë, mjekë apo mësues në Shqipëri. Këtu kanë ardhur pasi kanë fituar provimin dhe aplikimin, dhe kanë filluar nga e para shkollën. Kjo do të thotë që automatikisht ke një nivel intelektualësh të komunitetit. Janë shumë më të integruar. Të hysh në Kanada është shumë herë më e vështirë sesa të hysh në Greqi, Itali apo Gjermani. Ti duhet të kesh dokumentacion të rregullt dhe të kesh të qartë se ku po shkon. Në Shqipëri thoshin: “Më doli lotaria amerikane.” Unë u thosha: “Nuk është lloto, por është rekrutim.”

Xhemi Agaj: Unë mendoj që kjo “brain drain” është një problem gjeostrategjik i politikave të shteteve të mëdha, dhe shtetet e vogla humbin.

Ambasadorja Artemis Malo: Kjo është një formulë që ti nuk e shmang dot, sepse të gjithë kanë atë “Ëndrrën Amerikane”. Lëvizja e lirë sot është e drejtë e njeriut. Më vjen keq që ne jemi pak në numër. Këtu është dhimbja, këtu është rreziku: Kur je 4 milionë dhe ikin 2 milionë (gjysma e popullsisë). E njëjta gjë është raporti i popullsisë në Kosovë, që është keq.

Xhemi Agaj: Mbrëmë unë kisha hapjen e Odës së Podkastit. Dua të falënderoj përzemërsisht publikisht që erdhe, na përkrahe dhe na nderove shumë mua dhe Ervinit. Dua t’i di përshtypjet e tua.

Ambasadorja Artemis Malo: Unë u ndjeva e përkëdhelur për ty, sepse pashë që kishe një grup njerëzish që kishin ardhur posaçërisht për ty. Ju jap përgëzimet e mia të dyve, edhe familjeve tuaja që ju kanë mbështetur. Pashë njerëz të gëzuar, njerëz të bukur, njerëz të mirë, që të shikonin me adhurim. Duhet të ndihesh i përkëdhelur dhe me fat, sepse paske shumë njerëz që të duan fort dhe të respektojnë. Ajo që është e vështirë është të kesh miq përtej thjesht shoqërisë, dhe ti dje kishe shumë miq. Kishte një familje shumë të madhe aty. Ata thoshin: “Është Xhemi ynë, Xhemi që ne e duam fort, që ne e mbështesim, që do na nderojë. Është one of a kind.” Pastaj ishte “qershia mbi tortë”: Një shqiptar i Kosovës me kostum Çamërie! Kështu që e ke bërë një kombinim, ashtu siç prezantove edhe Ervinin. The që është një diversitet etnik, nga shumë zona, shumë krahina. Kur dole nga shkallët si dhëndri i dasmës, shumë bukur. Ke shpirtin e artistit, ta kam thënë që kur të njoha. Ti ke mekanizmin më të bukur për të ngritur ura komunikimi mes kombit tonë, mes Kanadasë dhe njerëzve tanë.

Xhemi Agaj: Artemis, jam shumë i lumtur që ishe, u kënaqëm. Në emër tim dhe të Ervinit, të falënderoj shumë që erdhe sot. Shpresoj që shumë shpejt të bëjmë edhe intervista të radhës. Deri në herën tjetër, të ruajt Zoti ty dhe stafin tënd. Faleminderit shumë!

Ambasadorja Artemis Malo: Faleminderit ty nga zemra. Unë do të vij patjetër, se ti ke kaq shumë detaje këtu brenda sa unë do rri t’i zbuloj të gjitha një nga një. Jo vetëm kur më fton ti, por edhe kur s’më fton ti, do vij herë pas here, se ky është një ambient që keni krijuar si në shtëpi. Më kishte marrë malli të jem në shtëpi shqiptare.

Xhemi Agaj: Faleminderit shumë! Shpresoj të bashkëpunojmë dhe të bëjmë gjërat e bukura, dhe ju uroj një ditë të mbarë. Respekt!

Ambasadorja Artemis Malo: Faleminderit shumë!

Te tjera

Lajme te tjera