Gjykata Kushtetuese duket se i ka dhënë fund përplasjes mbi mandatin e anëtarëve të saj. Prej më shumë se një viti ka pasur mosmarrëveshje mes Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, teksa në prapaskenë kanë qenë edhe Kuvendi me Presidencën.
Fillimisht pati mosmarrëveshje mbi vakancën e lënë nga Elsa Toska e dorëhequr dhe Holta Zaçajt, të cilës i përfundoi mandati.
Kuvendi shpalli vakancën për mandatin e Elsa Toskës, duke deklaruar se ai zgjat deri në vitin 2028, teksa ka pasur zëra se në fakt mandati duhet të jetë deri në vitin 2025.
Skema e parashikuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në pjesën e dispozitave kalimtare, (Neni 86, pika 4) përcakton mënyrën se si do të bëhej përtëritja e gjyqtarëve deri në vitin 2022, për të garantuar, që në vitin 2025, 2028 dhe 2031, të mund të realizohej ndryshimi, me tre anëtarë, një për secilin organ emërtese (Presidenti, Parlamenti, Gjykata e Lartë). Një skemë e cila reflektonte dispozitat kalimtare të Kushtetutës (Neni 179, pika 3), të ndryshuara në kuadër të reformës në Drejtësi, ku parashikohej kufizimi i mandatit. Sipas procedurave, në vitin 2025 duhej të mbaronin mandatin Sonila Bejtja dhe Holta Zaçaj, propozime të Presidentit dhe Gjykatës së Lartë.
Por në vitin 2019, Parlamenti, rezulton të ketë qenë ai që nuk ka respektuar skemën, e përcaktuar nga Kushtetuta dhe Ligji i Gjykatës Kushtetuese, kur për mandatin pasues të Vladimir Kristos, i përmbyllur në vitin 2016, emëroi më 11 nëntor të vitit 2019, zonjën Elsa Toska për një mandat të plotë.
Më pas pati përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe Holta Zaçajt, e cila fillimisht nuk preferoi të dorëzonte mandatin, por më pas u tërhoq.
Pas gjetjes së zgjidhjes për mandatin e Holta Zaçajt, presidenti Bajram Begaj më 30 janar i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese ku kërkon sqarim për përtëritjen e pjesshme, nëse vlen për edhe për gjyqtarët e tjerë kushtetues që janë emëruar me vonesë, konkretisht Elsa Toskës, e cila dha dorëheqje në shtator 2024 dhe Sonila Bejtjës.
Lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, Presidenti kërkonte të sqarohej si do zgjidhet ngërçi dhe si do të bëhet ripërtëritja e mandatit të saj që përfundon në 2025-ën.
Begaj kërkoi që Gjykata të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të funksionojë ky mekanizëm, në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos krijohen deformime apo trajtime të pabarabarta për gjyqtarët e emëruar me vonesë.
Sot u mblodh Kushtetuesja, e cila duket se ka dalë me një vendim që iu jep fund ngërçit. Kushtetuesja arrin në përfundimin se mandati i Sonila Bejtjas mbyllet këtë vit.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar interpretimin mbi mandatin e anëtarëve aktualë, duke theksuar se, në këtë fazë tranzitore, do të zbatohet parimi i përteritjes së pjesshme të përbërjes së saj. Ky parim vjen si rrjedhojë e nevojës për rikthimin e funksionimit të rregullt dhe të balancuar të institucionit pas krizës kushtetuese të viteve të fundit.
Kushtetuesja shprehet se në të ardhmen do të zbatohet parimi i paprekshmërisë së mandatit 9-vjeçar, siç parashikohet nga Kushtetuta, por për rastet aktuale të ndërthurura me fazën e rindërtimit institucional, prevalon nevoja për përputhje me kalendarin kushtetues të përteritjes së anëtarëve.
“Qëllimi i dispozitës kushtetuese është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, parim i përcaktuar në nenin 125, pika 6, të Kushtetutës. Për këtë arsye, neni 179, pika 3, i Kushtetutës ka përcaktuar shkurtimin me më pak se 9 vjet të mandateve të dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, njëri deri në vitin 2025 dhe tjetri deri në vitin 2028. Për sa i përket “kohëzgjatjes së mandatit, sipas ligjit” të gjyqtarëve të tjerë, kjo dispozitë kushtetuese i referohet nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili ka përcaktuar skemën kohore të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, duke parashikuar përtëritjen e parë me një të tretën në vitin 2025, përtëritjen e dytë me një të tretën në vitin 2028 dhe përtëritjen e tretë me një të tretën në vitin 2031. Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson“, shprehet Kushtetuesja.
Gjykata ka vendosur të marrë vendim në një seancë më vete lidhur me shpalljen e vakancës, por nëse shihet vendimi më lart, kuptohet se Bejtja e mbyll këtë vit detyrën. Po ashtu edhe mandati i Toskës është brenda këtij viti.
