E premte, 24 Prill, 2026

Presidenti Begaj: Zhvillimet demografike po cenojnë sigurinë tonë kombëtare

Share

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka ngritur alarmin mbi ndikimin e zhvillimeve demografike në sigurinë kombëtare të vendit, duke e cilësuar këtë çështje si një ndër sfidat më serioze që përballet sot shoqëria shqiptare.

Gjatë fjalës së tij në një aktivitet të Akademisë së Shkencave, Kreu i Shtetit theksoi se rënia e ndjeshme e numrit të nxënësve, shfaqja e klasave kolektive dhe mungesa e gjallërisë në zonat rurale janë tregues të qartë të krizës demografike që po përjeton vendi.

“Zhvillimet demografike prekin themelet e shoqërisë sonë, të ardhmen tonë. Parashikimet janë pesimiste për shkak të lindshmërisë së ulët dhe emigracionit të vazhdueshëm”, u shpreh Begaj.

Sipas Presidentit, Shqipëria po përballet me një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore aktive, ndërkohë që papunësia mes të rinjve vijon të mbetet e lartë, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

“Trajtimi i demografisë duhet të jetë prioritet kombëtar. Kërkohen politika vizionare dhe afatgjata që të përballojmë këtë krizë në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurojmë të ardhmen e vendit”, theksoi ai.

Presidenti Begaj bëri thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunim institucional për të adresuar këtë sfidë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.

Te tjera

Lajme te tjera