E martë, 16 Shtator, 2025

Urdhrat e fshehtë të SPAK për ngrirjen e kriptove: mekanizmi që bllokon milionat e krimit shqiptar

Share

Çdo transaksion në blockchain është i dukshëm dhe i regjistruar përgjithmonë, por kjo nuk e bën automatikisht të thjeshtë ndërhyrjen e institucioneve. Pas një adrese mund të fshihet kushdo, dhe fondet kalojnë nga një portofol në tjetrin brenda pak sekondash, duke u zhdukur në llogari anonime ku shteti nuk ka qasje. Për këtë arsye SPAK nuk synon kuletat private, por momentin kur kriptot futen në kompanitë e mëdha të këmbimit. Aty asetet nuk janë më vetëm kode dixhitale, por vlera që shndërrohen në euro dhe dollarë, dhe aty vepron urdhri gjyqësor i mbajtur sekret që i dërgohet kompanisë. Në çastin që ky urdhër zbatohet, llogaria bllokohet dhe pronari nuk ka më asnjë mundësi t’i lëvizë fondet. 

Ky mekanizëm është i njëjtë me atë që përdorin institucionet e drejtësisë në SHBA-BE, ndaj nuk përbën sekret hetimor, por praktikë të pranuar ndërkombëtarisht.

Operacioni “Gorgon” në nëntor 2024 tregoi për herë të parë publikisht se ky mekanizëm është përdorur. Hetimi kundër vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, i zhvilluar në bashkëpunim me Europol dhe policitë e disa vendeve europiane, çoi në sekuestrimin e një portofoli kripto me vlerë mbi 10 milionë dollarë. Ky bllokim u bë i mundur përmes një urdhri të fshehtë të komunikuar me një kompani globale stablecoin dhe një exchange ndërkombëtare. Pa këtë ndërhyrje, asetet do të kishin kaluar në portofola anonime dhe do të ishin bërë të pakapshme. Ky operacion tregoi qartë se SPAK kishte hyrë në një terren të ri: sekuestrimin e pasurive dixhitale.

Vetëm pak muaj më pas, operacioni “FRIDA-REFOX” i koordinuar nga Eurojust nxori në pah një tjetër rast. Një rrjet mashtrimesh me qendra telefonike, që punonte për të joshur qytetarë europianë të investonin në platforma të rreme, përdorte Bitcoin dhe stablecoins për të humbur gjurmët e fondeve. SPAK kreu kontrolle në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, arrestoi disa persona dhe sekuestroi pajisje kompjuterike, para cash dhe portofola kripto me vlerë rreth 15 mijë dollarë. Shuma nuk ishte e madhe, por fakti që fondet qarkullonin në kripto tregoi se kjo ishte bërë pjesë e pandashme e mashtrimeve kibernetike.

Në korrik 2023, operacioni “Dream Earnings” në bashkëpunim me Prokurorinë e Pordenones në Itali, shënjestroi një tjetër rrjet mashtruesish. Viktimat italiane investonin fillimisht shuma të vogla, shihnin fitime të rreme në ekran, dhe më pas sillnin më shumë para. Nga kjo skemë u përvetësuan rreth 4.7 milionë euro, të cilat u kthyen menjëherë në Bitcoin dhe u shpërndanë në llogari në Qipro, Lituani dhe Estoni. SPAK sekuestroi pajisje dhe dokumentoi procesin, por skema tregoi qartë se krimi përdorte kripto si fazën finale për fshehjen e fitimeve.

Këto operacione tregojnë me prova konkrete se urdhrat e fshehtë janë bërë mjet pune i zakonshëm. Korniza ligjore që e lejon këtë është kombinimi i Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit Antimafia, që i japin prokurorisë të drejtën të kërkojë sekuestrimin e pasurive të dyshuara si produkte të krimit. Manuali i vitit 2024 mbi rekuperimin e aseteve, i hartuar me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe me kontribut të prokurorëve të SPAK, e ka përfshirë qartë analizën e blockchain dhe sekuestrimin e kuletave dixhitale si pjesë të praktikës hetimore. Ky manual përcakton edhe rëndësinë e fshehtësisë: çdo njoftim i subjektit do të sillte zhdukjen e menjëhershme të fondeve.

Në praktikë, procedura është e qartë. SPAK identifikon një adresë kripto të lidhur me aktivitet kriminal, mbledh provat përmes analizës së transaksioneve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, i kërkon gjykatës urdhër sekuestrimi dhe më pas ia komunikon kompanisë së këmbimit. Kompania ka detyrim ta zbatojë, duke ngrirë llogarinë dhe duke mos informuar pronarin. Ky është momenti i vetëm ku asetet dixhitale mund të ndalohen.

Përveç rasteve të bëra publike, në redaksinë e Pamfletit kanë mbërritur të dhëna që flasin për dhjetëra urdhra të tjerë sekuestrimi të llogarive kripto, me vlera që arrijnë rreth 50 milionë euro. Këto të dhëna janë në proces verifikimi, por tregojnë se praktika e urdhrave të fshehtë nuk është përjashtim, por një metodë që po përdoret vazhdimisht.

Kjo sjell një problem të ri. Fshehtësia është e domosdoshme për të mos dekonspiruar hetimet dhe për të siguruar ngrirjen e menjëhershme të fondeve, por mungesa e transparencës krijon boshllëqe. 

Kur SPAK dërgon një urdhër të fshehtë tek një kompani këmbimi, llogaria ngrin menjëherë dhe fondet nuk mund të lëvizen. Por ky është vetëm hapi i parë. Jo çdo llogari e bllokuar përfundon në konfiskim. Disa mbeten të ngrira për muaj të tërë, disa të tjera lirohen pas vendimeve të mëvonshme gjyqësore, ndërsa një pjesë kalojnë në pronësi të shtetit. Këtu lind boshllëku më i madh: nuk ka të dhëna publike se sa urdhra bllokimi janë kthyer pas, sa janë shndërruar në sekuestrim përfundimtar dhe cilat mbeten të pezulluara. Pa këtë bilanc, askush nuk e di me saktësi sa milionë euro janë ndalur përfundimisht dhe sa janë rikthyer në qarkullim.

Megjithatë, ky boshllëk nuk duhet të errësojë faktin që SPAK ka hyrë në një terren ku shumë struktura të ngjashme në rajon ende nuk kanë guxuar të futen. Gjurmimi dhe ngrirja e aseteve digjitale kërkon ekspertizë teknike, bashkëpunim ndërkombëtar dhe vendime të shpejta, dhe fakti që janë realizuar bllokime konkrete në shuma milionëshe tregon një avancim të madh. Ky hap duhet inkurajuar, por njëkohësisht duhet shoqëruar me transparencë më të madhe për të garantuar besimin publik dhe për të shmangur çdo hapësirë për dyshime.

Shqipëria ndodhet në një realitet të ri ku krimi përdor kripto për çdo transaksion të madh dhe ku SPAK përdor urdhra të fshehtë për t’i ndaluar. Bllokimet ndodhin në prapaskenë, tek kompanitë e mëdha që bëjnë exchange, aty ku Bitcoin, USDT dhe monedha të tjera kthehen në euro dhe dollarë. Ky është mekanizmi i padukshëm që vendos nën kontroll miliona euro të krimit shqiptar.

Te tjera

Lajme te tjera