E shtunë, 2 Maj, 2026

SPAK merr në dorë “Matrix”, alarm në radhët e politikës dhe botës së krimit!

Share

Prokuroria e Posaçme ka marrë në dorë zbërthimin e komunikimeve në “Matrix”.

Në fund të vitit që lamë pas u bë një operacion ku u sekuestruan serverët e platformës së kriptuar, e ngjashme me “SkyECC”. Por duket se të dhënat janë gati dhe SPAK ka konfirmuar sot se ka nisur bashkëpunimin me autoritetet holandeze për marrjen e mesazheve.

SPAK dërgoi sot për gjykim dosjen ndaj ish-deputetit Jurgis Çyrbja, i cili ka qenë gjithashtu përdorues i platformës “Matrix”. SPAK ka siguruar mesazhet e tij me persona të tjerë, por jo vetëm. Prokuroria bën me dije se ka pasur letërkëmbime mbi disa përdorues të “Matrix”. 

Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024)…

Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale). Për interesa të këtij procedimi penal është bërë e mundur ekzekutimi i letërporosisë drejtuar autoriteteve të drejtësisë holandeze për disa përdorues të platformës së enkriptuar “Matrix””, shprehet SPAK.

Por çfarë do të sjellë zbërthimi i “Matrix”?

Në Shqipëri, ndër të parët që e pranoi se e përdorte ishte Nuredin Dumani, i cili tha se aty merrte porosi për vrasje. Po ashtu përmendi edhe Suel Çelën.

Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në “Matrix” më dha një kontakt të një miku të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës “Wilson”. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë, dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës “Wilson” për shumën 150.000 Euro. Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro”, ka treguar ai.

Pra, në vendin tonë ky aplikacion është përdorur masivisht dhe në momentin që do të dalin bisedat, mund të kemi tërmet në politikë, drejtësi dhe botën e krimit. Madje ky tërmet mund të jetë shumë herë më i fortë se ai që ka shkaktuar “Sky Ecc”.

Arsyeja është e thjeshtë. Bisedat në “Sky Ecc” janë zhvilluar deri në vitin 2021. Pas kësaj periudhe ka një terr informativ. Pra, falë “Sky Ecc”, SPAK ka zbardhur vrasje e krime të shumta që kanë ndodhur deri në 3 vite më parë, por për periudhën 2022-2024 nuk ka biseda. Ndërkohë në këtë periudhë ka pasur shumë ngjarje të mëdha kriminale. Atentatet gjatë viteve 2022-2023 kanë shkundur nga themelet vendin. Që nga vrasja e Brilant Martinajt, e deri te zhdukja e Vis Martinajt. Po ashtu mund të hidhet dritë edhe mbi fatin e Talo Çelës, i cili thuhet po ashtu se është zhdukur.

Shumë grupe kriminale, pas mbylljes së “Sky Ecc”, kaluan te “Matrix” dhe pazaret për vrasje, trafiqe kanë vijuar aty. “Matrix” ka qenë funksional deri më tani dhe çdo gjë që është komunikuar aty, përfshirë video, audio dhe foto, do të dalë.

Por sinjalet janë se do të kemi edhe aty emra politikanësh, policësh, gjyqtarësh dhe prokurorësh. Madje që kur ka nisur punën SPAK, shumë pushtetarë nuk flasin më në “WhatssApp” apo “Mesenger”. Të gjithë përdorin aplikacione të kriptuara nga frika se përgjohen, mes tyre dhe “Matrix”. Pra falë aksionit të Europol, do të zbardhen shumë ngjarje kriminale që kanë ndodhur në 3 vitet e fundit dhe mund të dalin shumë emra, si të krimit ashtu dhe politikës. 

Te tjera

Lajme te tjera