Serbia dhe Kroacia janë përfshirë së fundmi në një tjetër përplasje që i shtohet tensioneve edhe kështu të larta mes dy vendeve. Kësaj radhe është një notë proteste e Serbisë, drejtuar Kroacisë që ka tensionuar situatën. Kjo erdhi për shkak të deklaratave të kreut të diplomacisë kroate, Gordan Grliç Radman, se presidenti Aleksandër Vuçiç është një “satelit rus”, njoftoi dje agjencia Tanjug. Këto deklarata “paraqesin vazhdimin e mëtutjeshëm të ndërtimit të një atmosfere të urrejtjes ndaj Serbisë dhe popullit serb dhe minojnë politikën e përbashkët për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në “vërejtjet” e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë. Beogradi zyrtar pret që në të ardhmen zyrtarët e lartë kroatë do të përmbahen nga deklaratat “që përfaqësojnë ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Serbisë dhe do të ndjekin një politikë pajtimi dhe marrëdhëniesh të mira fqinjësore,” shtoi ai. Kjo është nota e dytë e protestës këtë muaj, pasi autoritetet serbe protestuan për djegien e një imazhi të presidentit serb Aleksandër Vuçiç në karnavalet në Kastela.”Po ta kishim bërë ne, Zoti na ruajt, do të na ishte kthyer gjithë Europa, këto janë standardet tuaja të dyfishta, asgjë e veçantë”, tha Vuçiç asokohe dhe mesa duket nuk i ka lënë pas “inatet”, siç tregon edhe rasti i fundit.
Komentet e kryediplomatit kroat
Të shtunën, Grliç Radman tha në N1 se Serbia po ndjek një politikë të dyfishtë me të cilën përpiqet të afrohet me BE-në dhe Rusinë në të njëjtën kohë, por në fund do të duhet të vendosë në anën e kujt është. Duke vepruar kështu, ai bëri një dallim midis popullit serb dhe regjimit aktual në Beograd dhe e quajti Vuçiçin një “satelit rus”. “Sa i përket Serbisë, njëri janë qytetarët, tjetri është Vuçiç dhe politika e tij, të cilët duhet të vendosin se në cilën karrige do të ulet, sepse është e pakëndshme të ulesh në dy karrige. Vuçiç nuk duhet të ketë dilemë të madhe. ai e di se nga e ka mbështetjen, ai e di se ku financohet Ballkani Perëndimor”, tha Grliç Radman. “Ai mund të jetë një lloj Trabanti apo sateliti i Rusisë, por si aleatë dhe partnerë me SHBA-në, ne nuk do të lejojmë asnjë ndikim rus apo ndikime të tjera malinje që do të cenonin stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi kreu i diplomacisë kroate.
Reagimi i Serbisë
Kjo shkaktoi reagime të ashpra në Beograd. Të shtunën në mbrëmje, Vuçiç akuzoi Grliç Radmanin për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, fyerje dhe kërcënime. “Ministri kroat jo vetëm që përzihet brutalisht në punët e brendshme të Serbisë, por si zakonisht gënjen dhe fyen popullin serb dhe kërcënon qytetarët e Serbisë. Grliç Radman ka të drejtë për një gjë, ndoshta unë jam rob i dikujt, por kurrë nuk kam ka qenë porosi dhe shërbëtor i kujtdo, gjë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Grliq Radman”, ka shkruar Vuçiç në Instagram. Kolegu serb i Radman, Ivica Daçiç, dikur bashkëpunëtor besnik i Millosheviçit, tha se urrejtja ndaj serbëve po ndërtohet sistematikisht në Kroaci dhe se Kroacia nuk ka të drejtë t’i mësojë askujt mësime.
Akuzat e Daçiç
“Në Kroaci prej vitesh është krijuar sistematikisht një atmosferë urrejtjeje ndaj Serbisë dhe popullit serb. Vetëm një shembull i tillë është deklarata e ministrit të Jashtëm kroat, Grliç Radman, duke sulmuar Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç. Askush nuk ka të drejtë e më së paku Kroacia të ndajë mësime dhe brutalisht të ndërhyjë në punët e brendshme të Serbisë.Serbia është një vend që udhëheq politikë të jashtme sovrane dhe të pavarur, e cila është ekskluzivisht në interes të qytetarëve tanë dhe kombit tonë”, tha Daçiç. Duke theksuar se “Serbia dhe Vuçiç nuk janë sateliti i askujt”, Daçiç deklaroi se “ministri kroat nuk ka marrë mësimet e historisë, ndaj harron ose do të donte të harronte se Kroacia ishte sateliti më besnik i Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë naziste” dhe se “NDH luftoi edhe pas vetëvrasjes së Hitlerit, deri më 15 maj, gjashtë ditë pas kapitullimit të Gjermanisë”. “Ishin si Trabantë, nazistë më të mëdhenj se nazistët. Ne jemi shërbëtorë vetëm të Serbisë dhe qytetarëve”, ka shkruar Daçiç.
