Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO nuk do të lejojnë që Rusia të nisë një luftë në Ballkan. Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh qartë ditën e djeshme se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nënvizon urgjencën dhe rëndësinë e punës së Shteteve të Bashkuara “për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë aspiratat e tyre për integrimin evropian dhe anëtarësimin në institucionet euro-atlantike”. Komenti është pjesë e një reagimi që një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i dha Zërit të Amerikës, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky javën e kaluar “se ka informacione që Rusia mund të përpiqet të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor”. “Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar për të çuar përpara reformat në qeverisje, në sundimin e ligjit, ato zgjedhore dhe në luftën kundër korrupsionit, që do të pakësonin shanset për ndikimin keqdashës rus dhe do të sillnin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie për rajonin”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Goditja me sanksione
Ai shtoi se sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit javën e kaluar kishin për qëllim pikërisht këtë problem, kryqëzimin midis ndikimit keqdashës rus dhe korrupsionit. Zëdhënësi i referohet shpalljes nga qeveria amerikane të politikanëve serbë si persona të padëshiruar dhe vendosjes së sanksioneve ndaj 12 entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, aktiviteti i të cilëve lidhet me ndikimin keqdashës rus në rajon dhe korrupsionin. “Të dyja pengojnë përpjekjet e rajonit për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe një të ardhmeje më të begatë. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe për të gjitha vendet në Evropë, është i rëndësishëm rezultati i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse është kritike që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha ai.
Lëvizjet e NATO
Për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë, shefi i NATO-s ka paralajmëruar dje mundësinë e shtimit të përhershëm të trupave të misionit euro-atlantik në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2023 KFOR-it i janë shtuar edhe mbi 330 pjesëtarë, pas sulmeve në veri të Kosovës, kjo sipas Jens Stoltenberg dhe alarmi se Rusia do të nxisë luftë në Ballkan e bëjnë të nevojshme rritjen e trupave. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, vend ky anëtarë i NATO-s thotë se shtimi i përhershëm nuk nënkupton ndërrim të mandatit të KFOR-it. “Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”, tha Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Sipas tij, shtimi i trupave është reagim i NATO-s ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë e nuk nënkupton kthim prapa në kohë kur siguria e Kosovës ishte përgjegjësi e ndërkombëtarëve. “NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri…. Është e rëndësishme që të ketë siguri”, deklaroi ai. Në vend shtimi i përhershëm shihet si përgatitje për sulme të mundshëm e ekspertët thonë që zgjedhjet në Serbi mund të jenë indikatorë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në kuadër të turit të tij në Ballkan të martën qëndroi në Serbi prej ku përsëriti se themelimi i Asociacionit është çelësi kyç i paqes në rajon dhe se Serbia nuk i ndihmon kësaj me vendosjen e trupave përreth kufirit me Kosovës, për çka presidenti serb, Aleksandër Vuciç tha se është çështje e Serbisë së ku vendosë trupa.
