E premte, 14 Gusht, 2026

SHBA i “kërcet dhëmbët” Beogradit që të ndalë provokimet dhe të zhdukë ushtrinë, Blinken ultimatum Vuçiçit se do nisin sanksionet

Share

Rigels Seliman

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhanë ditën e djeshme mesazhe shumë të forta duke paralajmëruar masa tronditëse për Serbinë. Ultimatumet e qarta dhe të prera erdhën nga Shtëpia e Bardhë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Gjermania, kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrel etj. Perëndimi i kërkoi menjëherë Serbisë të tërheqë forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën. Mesazhin përvëlues të Blinken e zbuloi vetë Vuçiç. Në bisedë, siç tregon Vuçiç, Blinken i ka përmendur dje në një telefonatë disa masa që mund të merren nëse “Serbia nuk sillet siç duhet”, për të cilat presidenti serb është shprehur kundër. Ai e ka përshkruar bisedën me Blinkenin si jo të lehtë, “të gjatë” dhe se për disa gjëra nuk janë pajtuar.  “Nuk është një bisedë e lehtë me Blinkenin, për disa gjëra ramë dakord, disa jo. Nevojitet shtensionim, një rol më i madh i KFOR-it. Serbia gjithmonë do ta mbështesë atë rol, ne do të donim që të ishte ekskluziv, sidomos në veri. Mohova të pavërteta që thonë se kemi shkallën më të lartë të gatishmërisë të ushtrisë sonë. Unë nuk kam nënshkruar dhe nuk jemi pajtuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës. Blinken më foli gjithashtu për disa masa. Unë thashë se jam kundër”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Zbardhet mesazhi nga Shtëpia e Bardhë

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për atë që tha ai, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën. “Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator. Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak. “Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin nuk mund ta them tani”, tha ai. Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese. Përfaqësuesi i Pentagonit tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet. Ai shtoi se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s. “Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar”, tha ai.

Borrell nuk përjashton masat për Serbinë

Kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i cili është një prej negociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi ka deklaruar se Brukseli po monitoron nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së për qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe nëse gjykon se Beogradi nuk i respekton ato, është i gatshëm të shqyrtojë vendosjen e masave ndëshkuese ndaj autoriteteve në Serbi.  Deklaratat e Borrell erdhën pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në ver, ku humbi jetën një polic i Kosovës dhe tre sulmues. “Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë de-përshkallëzim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërputhjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, tha Borrell.

Reagimi i Gjermanisë

Një zëdhënës i qeverisë gjermane thotë se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij për paqen në rajon. “Pas përshkallëzimit të fundit të dhunës në veri të Kosovës, qeveria gjermane i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiç të veprojë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij për paqen në rajon dhe të bëjë gjithçka për të de-përshkallëzuar”, tha të premten në Berlin një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.

 

Te tjera

Lajme te tjera