“Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar Shabana Mahmood të përmendë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rinisjen e kthimeve familjare.
Si mundet një Ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post Brexit pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm.
Dua t’i kujtoj Ministres së Brendshme se falë punës së përbashkët intensive që nga fundi i vitit 2022 mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse janë zhdukur. Kontrolli i migracionit ka funksionuar. Ndërkohë kufizimet e lëvizjes dhe të vizave nga pala britanike mbeten një relike dështimi e epokës Braverman që dëmton si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve ashtu edhe ekonominë britanike.
Të jemi të qartë, shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe numri i shqiptarëve që marrin përfitime në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. T’i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie.
Shqipëria është dhe do të mbetet një nga aleatët më aktivë të Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin më të gjerë të migracionit në Ballkan. Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë nga mbrojtja te kontrolli kufitar, dhe jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara përfshirë nga grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla.
Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
700 familje shqiptare do dëbohen nga Anglia, Rama: Zhgënjyese që Sekretarja e Brendshme i bën jehonë! Ne jemi kontribuues në ekonominë tuaj
Share
Te tjera
