E premte, 24 Prill, 2026

15 mijë dollarë garanci për një vizë amerikane, Shqipëria nuk preket nga rregullat e reja të DASH!

Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojnë nga qytetarët që duan vizë amerikane një garanci me vlerë 15 mijë dollarë, me rregullin që do të nisë të aplikohet nga 20 Gushti. Fatmirësisht Shqipëria nuk përfshihet në listën e vendeve, për shtetasit e të cilëve do të kërkohet garanci deri në 15 mijë dollarë.

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se projekti pilot 12-mujor, që nis të zbatohet më 20 gusht, do të aplikohet fillimisht për shtetasit nga Malaui dhe Zambia, dy vende të Afrikës Jugore.

Burime nga Ministria e Jashtme thanë se deri tani nuk ka njoftim për këtë program pilot, por me hyrjen në fuqi të programit, do të njoftohen vendet që mund t’i shtohen listës. Subjekt i kësaj mase janë aplikantët për viza turistike dhe biznesi.

Projekti parashikon 3 nivele garancish: 5 mijë, 10 mijë dhe 15 mijë dollarë, dhe do të jenë punonjësit e ambasadave që do të përcaktojnë se cilën shumë duhet të vendosin si garanci aplikantët, duke u bazuar në kriteret e rrezikshmërisë së shkeljes së vizave, një prej të cilëve është historiku i udhëtimeve.

Sipas një raporti për vitin 2023 të Departamentit për Sigurinë e Brendshme, 5 milionë nga 11 milionë të huajve që jetojnë në SHBA kanë hyrë me vizë të rregullt me afat dhe nuk u larguan më.

Përqindjen më të lartë të shtetasve që shkelën afatin e vizave gjatë 2023-shit e ka Çadi me 50%, Laosi me 35% dhe Haiti me 31%. Shifra e shtetasve shqiptarë që shkelën afatin gjatë 2023-shit është rreth 2.3%.

Te tjera

Lajme te tjera