E martë, 14 Korrik, 2026

Zgjedhjet e pjesshme/ Pas Tiranës, Kryesia e PS zyrtarizon kandidatët edhe në 5 bashkitë e tjera! Në Vlorë kandidon deputetja, në Tepelenë ish-kreu i Gardës (EMRAT)

Share

Kryesia e Partisë Socialiste ka miratuar kandidaturat në të 6-ta bashkitë e vendit ku do të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Siç tashmë dihet, për Tiranën do të jetë Ogerta Manastirliu që do të kërkojë të drejtojë bashkinë e kryeqytetit.

Por surpriza ka ndodhur në Vlorë, ku në garën për kryetar të bashkisë socialistët kanë zgjedhur të kandidojnë një deputete. Fjala është për Brunilda Mersinin, deputete e re e Kuvendit që hyri në Parlament në zgjedhjet e 11 majit 2025. Me kandidimin e saj për të fituar drejtimin e Bashkisë së Vlorës, do të duhet që të heqë dorë nga mandati i deputetes. Kështu, do t’i hapet rruga për të hyrë në Kuvend, Briseida Cakerrit.

Në Tepelenë, kandidati i PS do të jetë Gramoz Sako, ish-drejtues i Gardës së Republikës, institucion prej nga u dorëhoq në shkurt 2024.

Në Mat, PS do të kandidojë Altin Bojnin, kandidaturë që u propozua nga strukturat vendore të PS. Altin Bojni është me profesion financier dhe aktualisht mban postin e drejtorit të Shëndetit Publik. Më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Postës dhe drejtorit të burgut të Burrelit.

Në Berat, kandidati i PS do të jetë Ervin Ceca, aktualisht kryetar i komanduar i kësaj bashkie detyrë të cilën e ka marrë më 13 mars pas dorëheqjes së Ervin Demos.

Ndërsa në Cërrik kandidati i PS do të jetë Florenc Doka, i cili është kryetar i komanduar që prej emërimit të Andi Sallës si ministër në qeveri.

Emrat e kandidatëve të PS-së në 6 bashkitë e vendit u prezantuan pas mbledhjes së sotme të kryesisë së PS, nga 5 drejtuesit e qarqeve ku ka zgjedhje, me përjashtim të Tiranës pasi Ogerta Manastirliu ishte zyrtarizuar ditë më parë.

Mbledhja e sotme e Kryesisë së PS, që nisi në orën 18:00, zgjati vetëm 20 minuta.

6 bashki të vendit do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme më 9 nëntor.

Tirana është pa kryetar për shkak të arrestimit të Erion Veliajt, Ermal Dredha u dorëhoq papritur nga drejtimi i Vlorës, emërimi ministër i Andis Sallës la Cërrikun pa kryetar, dhe zgjedhja deputet e Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, la gjithashtu vakancë në Bashkitë Berat, Tepelenë dhe Mat.

Nga ana tjetër, opozita nuk ka ende kandidatë në 5 bashki. Vetëm në Tiranë, Partia Demokratike ka mbështetur kandidatin e pavarur Florjan Binaj.

KANDIDATËT E PS PËR ZGJEDHJET E PJESSHME NË 6 BASHKI:

Bashkia Tiranë – Ogerta Manastirliu

Bashkia Vlorë – Brunilda Mersini

Bashkia Tepelenë – Gramoz Sako

Bashkia Mat – Altin Bojni

Bashkia Berat – Ervin Ceca

Bashkia Cërrik – Florenc Doka

Te tjera

Lajme te tjera