E martë, 20 Maj, 2025

Vuçiç nuk iu bind Bashkimit Europian, Rusia “shpërblen” menjëherë Serbinë, inteligjenca e Moskës “pastron” Beogradin nga akuzat për topin zanor, ja çfarë zbulon raporti i fundit

Share

Rusia vazhdon të japë sinjale të forta mbështetjeje për aleatin e saj tradicional në Ballkan, Serbinë. Këtë herë, jo përmes fjalëve, por me një raport zyrtar të FSB-së, një prej shërbimeve më të fuqishme të inteligjencës në botë, që “pastron” autoritetet serbe nga akuzat për përdorimin e topit zanor kundër protestuesve më 15 mars në Beograd. Ky veprim nuk shihet thjesht si një analizë teknike, por si një lëvizje e qartë gjeopolitike, një “përqafim” ndaj regjimit të Aleksandçr Vuçiçit, në një moment kur ai po përballet me presion të madh ndërkombëtar dhe refuzon të rreshtohet me qëndrimet e Bashkimit Europian. Vendimi i Vuçiçit për të marrë pjesë në paradën ushtarake të 9 majit në Moskë, në Ditën e Fitores, duket se nuk është i rastësishëm. Në një Europë që kërkon distancim nga Kremlini, presidenti serb po afrohet sërish me Rusinë, edhe kur flaka e protestave nuk është shuar ende në rrugët e Beogradit.

Raporti për topin zanor

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi publikun dje se kishte mbërritur një raport i FSB-së, duke konkluduar se pajisjet akustike të përdorura nga forcat policore serbe nuk ishin përdorur më 15 mars. “Arriti raporti i FSB-së, ata konstatuan se më 15 mars nuk janë përdorur pajisjet në pronësi të autoriteteve policore serbe. Ata deklaruan se, në bazë të rezultateve të marra, mund të arrihet një përfundim kategorik se pajisjet akustike të tipit emitues, të gjitha të listuara, në pronësi të autoriteteve policore serbe, nuk janë përdorur gjatë protestave”, tha Vuçiç, transmeton RTS. “Përfundimi është, bazuar në informacionin e marrë, se ky është FSB, shërbimi më i famshëm në botë, së bashku me FBI-në, por FSB-ja, ata bëjnë punë disi të ndryshme. FSB është një shërbim. Ata deklarojnë kategorikisht se nuk janë përdorur pajisje akustike. Tani do t’ju tregoj se çfarë kanë bërë. Ata analizuan, hulumtimi u krye në tre drejtime. E para është studimi i karakteristikave teknike të emetuesve të zërit LRAD, kështu që nuk do të lexoj gjithçka tani, do ta lexoni vetë. Të cilat janë në posedim të autoriteteve policore serbe, për të cilat forcat opozitare pretendonin se ishin përdorur nga autoritetet zyrtare për të ushtruar ndikim mbi civilët që morën pjesë në tubim, tha Vuçiç”, duke treguar dokumentet.

Aludimet në Serbi

Kujtojmë se prej javësh në Serbi ka pasur diskutime dhe zënka nëse policia serbe përdori top zanorpër të sulmuar protestuesit në protestën e madhe kundër regjimit të Vuçiqit në Beograd më 15 mars. Policia dhe mediat që mbështesin Aleksandër Vuçiçin, natyrisht pretendojnë se kjo është gënjeshtër, ndërsa përfaqësues të opozitës dhe analistë të pavarur ushtarakë pretendojnë se është përdorur një top zanor.Qeveria serbe fillimisht e mohoi se posedonte armë të tilla. Më vonë, deputetja e opozitës, Marinika Tepiç publikoi një dokument që tregonte se Ministria e Brendshme kishte marrë dy lloje topash zanorë. Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç më pas pranoi se Ministria e Brendshme posedon të ashtuquajturat sisteme LRAD, por mohoi se ato janë përdorur.

Arsyeja e “shpërblimit”

Në daljen e djeshme, Vuçiç iu referua edhe paradës së Ditës së Fitores që do të mbahet në Moskë më 9 maj. Ai tha se po përballej me presion të madh, por se nuk e kishte ndryshuar vendimin.Media shtetërore ruse raportoi se Vuçiç do të jetë një nga zyrtarët e huaj që do të marrë pjesë në 9 maj, si dhe do të kontribuojë me pajisje ushtarake në spektakël. Zyrtarët evropianë e paralajmëruan shprehimisht Vuçiçin se vizita e tij do të përbënte shkelje të kritereve për anëtarësim në Union.Kallas paralajmëroi anëtarët e tjerë të BE-së që të mos marrin pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores së Putinit, e cila këtë vit shënon 80-vjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Sllovakia, një vend i BE-së me një marrëdhënie të ngushtë me Moskën, është ftuar gjithashtu.

Te tjera

Lajme te tjera