Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka sulmuar ditën e djeshme Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) të cilët i quajti “gënjeshtarë”. “Kurti po krijon një situatë kriminale dhe tani e di që ka mbështetjen e vendeve perëndimore. Vetëm komanda e NATO-s dhe ushtarët e KFOR-it ishin të saktë, dhe EULEX-i dhe pjesa tjetër e bandës… Ne i kemi shkruar në raport, policisë serbe, i kemi ofruar ekspertë të EULEX-it që të vijnë në Beograd dhe ta sjellin aparatin e tyre të testimit të poligrafit, për të testuar anëtarët e MPB-së tonë për arrestimin e personave të caktuar. Pastaj informoni publikun botëror nëse gënjejmë apo jo. Unë do të qëlloja këdo që e solli EULEX-in me këtë stilolaps”, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një konferencë për media mëngjesin e djeshëm. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 dhe funksionon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet në ueb faqen e EULEX-it.
Çfarë tha Tadiç në 2008
Ky ishte edhe një nga parakushtet për pranimin e këtij misioni, të cilin e kishte deklaruar lidershipi i atëhershëm serb i udhëhequr nga presidenti Boris Tadiç. Kujtojmë se në tetor të vitit 2008, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi se Brukseli dhe Beogradi kanë rëndë dakord për vendosjen e misionit BE-EULEX në Kosovë dhe se marrëveshja do të konfirmohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve. “Ne po punojmë për këtë me të gjitha forumet ndërkombëtare, me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me BE-në, me përfaqësuesit e Rusisë dhe SHBA-së, me të gjithë ata që janë me rëndësi jetike për të ardhmen e Kosovës dhe Metohisë në Serbi”, tha Tadiç. Ai theksoi se nuk është e vërtetë që ardhja e EULEX-it nënkupton fundin e Serbisë në Kosovë, duke treguar se misioni i BE-së është i pranueshëm për Beogradin me tre kushte: të jetë prezent në Kosovë me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. që të jetë një mision neutral ndaj statusit dhe se nuk e zbaton planin e Ahtisaarit. “Kushdo që ka kundërshtime për ato parime, ka problem me logjikën. Ka parti politike që mashtrojnë qytetarët e Serbisë dhe ‘garantojnë’ se EULEX-i do të vendosë pavarësinë në Kosovë. Varet nga ne që të luftojmë që kjo të mos ndodhë”, tha Tadiç në 2008.
Çfarë thuhet në faqen e EULEX
Në faqen e EULEX-it thuhet se është misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian. “Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është të ofrojë mbështetje për institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt efikasitetit më të madh, qëndrueshmërisë, multietnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.” Mandati aktual i EULEX-it ka filluar për periudhën deri më 14 qershor 2025 bazuar në Vendimin e Këshillit 2023/1095. Si pjesë e mandatit të tij, Misioni kryen aktivitete monitoruese, mësimore dhe këshilluese dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive. Një vit pas mbërritjes së EULEX-it në Kosovë, është nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërmjet misionit të EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Marrëveshja parasheh veprimin e bashkërenduar të policisë serbe dhe policisë së BE-së të stacionuar në Kosovë për kontroll më të rreptë kufitar, d.m.th. vijën ndarëse administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Qëllimi është një luftë më efektive kundër krimit të organizuar, shtypjes së kontrabandës, trafikimit të njerëzve, narkotikëve dhe armëve. Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EULEX-it është një nga kushtet që ministrat e brendshëm të BE-së i kanë vendosur Serbisë, për heqjen e vizave për qytetarët e Serbisë për vendet e Marrëveshjes Shengen nga 1 janari 2010, në bazë të rekomandimit të Komisionit Evropian. Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, në një prononcim për Danas, ka thënë se kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në mes të MPB-së dhe EULEX-it dhe se nuk e ka sjellë EULEX-in, ai tashmë ka qenë aty. “Dhe kjo nuk ka të bëjë me MPB-në. Unë do t’ju referoja në vendimin e Këshillit të Sigurimit, më duket se Tadiqi dhe Jeremiqi janë pajtuar me këtë, nuk ka të bëjë me mua. Kjo ishte një marrëveshje teknike për bashkëpunim me misionin që tashmë është në Kosovë”, tha Daçiç në një deklaratë për Danas.
