Shqipëria po hedh bazat për një treg të ri të financimit të gjelbër, në një kohë kur ndryshimet klimatike po shndërrohen jo vetëm në një problem mjedisor, por edhe në një rrezik për ekonominë dhe sistemin financiar.
Banka Evropiane e Investimeve vë theksin në faktin se Shqipëria po zhvillon taksonominë e parë kombëtare të gjelbër, një sistem që do të përcaktojë qartë se cilat aktivitete dhe projekte mund të klasifikohen si investime të gjelbra. Drafti i parë pritet të jetë gati deri në fund të shtatorit 2026.
Procesi mbështetet me asistencë teknike nga Banka Evropiane e Investimeve dhe financohet nga qeveritë e Gjermanisë dhe Luksemburgut.
Nevoja për një sistem të tillë lidhet drejtpërdrejt me ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike.
Sipas Bankës Europiane të Investimeve, testi i Bankës së Shqipërisë për rrezikun e tranzicionit klimatik, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, ka treguar se më shumë se gjysma e kreditimit bankar në Shqipëri është e përqendruar në sektorë të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, përfshirë transportin dhe ndërtimin, të cenueshëm nga përmbytjet dhe zjarret.
Shifrat tregojnë përmasat e problemit.
Sipas të dhënave të cituara nga Banka Botërore, Shqipëria renditet ndër vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive në Europë. Gjatë dy dekadave të fundit, përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e tokës dhe tërmetet kanë prekur 95% të bashkive të vendit.
Vlerësimet konservatore tregojnë se dëmet e lidhura me klimën mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë deri në vitin 2050.
Veçanërisht i ekspozuar mbetet sektori energjetik. Pjesa më e madhe e energjisë elektrike të Shqipërisë prodhohet nga hidrocentralet, çka e bën bilancin energjetik të vendit të varur nga reshjet.
Pikërisht për këtë arsye, zgjerimi i energjisë diellore konsiderohet kritik për diversifikimin e miksit energjetik dhe reduktimin e varësisë nga hidrocentralet.
Por ndryshimi që po përgatitet shkon përtej energjisë.
Shqipëria synon të zhvillojë edhe tregun e kapitaleve dhe një kuadër për emetimin e obligacioneve sovrane të gjelbra. Taksonomia do të përcaktojë se çfarë quhet investim i gjelbër; kuadri i obligacioneve do të vendosë rregullat për financimin e këtyre projekteve, ndërsa më pas mund të nisë emetimi i instrumenteve financiare.
Sistemi financiar shqiptar aktualisht mbetet i përqendruar kryesisht te bankat, ndërsa tregu i kapitaleve, obligacionet e korporatave dhe financimi përmes aksioneve janë ende pak të zhvilluara.
Sipas ekspertëve, Shqipëria në thelb po përpiqet të ndërtojë një treg kapitalesh pothuajse nga e para dhe të krijojë mekanizma të rinj financimi.
Një shembull konkret mund të jetë ndërtimi i një centrali diellor përmes një obligacioni të gjelbër. Investitorët financojnë projektin duke blerë obligacionin, ndërsa paratë e mbledhura përdoren vetëm për investimin e përcaktuar. Emetuesi duhet më pas të raportojë se si janë përdorur fondet dhe çfarë rezultatesh mjedisore janë arritur.
Investitorët e parë potencialë mund të jenë institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët rajonalë dhe diaspora, por edhe bankat dhe fondet e pensioneve në Shqipëri.
Ndërkohë, presioni mbi bizneset shqiptare do të rritet edhe nga integrimi europian dhe rregullat e reja të BE-së për karbonin, raportimin klimatik dhe standardet mjedisore.
Në këtë panoramë, taksonomia e gjelbër synon të krijojë një gjuhë të përbashkët mes bankave, bizneseve, shtetit dhe investitorëve. Se çfarë është realisht një investim i gjelbër dhe ku duhet të drejtohet kapitali në ekonominë shqiptare të së ardhmes.
