E premte, 14 Gusht, 2026

“Inceneratorët, testi i lakmusit për drejtësinë”, Jorida Tabaku: Nuk mund të anashkalohet roli i kryeministrit! Hetimi duhet të ndjekë paratë, firmat dhe përgjegjësitë deri në fund

Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për aferën e inceneratorëve, duke kërkuar që hetimi të shkojë më tej dhe të zbardhë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes dhe lëvizjes së parave. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku kujton se që prej vitit 2018 ka denoncuar çështjen e inceneratorëve, ndërsa thekson se hetimet dhe Komisioni Hetimor Parlamentar kanë nxjerrë në pah një skemë që, sipas saj, përfshinte abuzime, kontrata korruptive dhe vendimmarrje në nivele të ndryshme të administratës. Sipas Tabakut, përllogaritjet e Komisionit Hetimor e çonin vlerën e skemës në mbi 430 milionë euro. Ajo akuzon qeverinë se ka përdorur ligje dhe kontrata që kanë prodhuar përfitime private, ndërsa shprehet se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te personat që tashmë janë përballur me drejtësinë. “Skema e inceneratorëve nuk mund të copëzohet në tri apo më shumë histori të palidhura. Është e vështirë të besohet se një seri prej 17 vendimesh mund të merrej brenda një dite për inceneratorin e Elbasanit; se pikëzimet dhe bonuset qeveritare mund të sajoheshin për një tjetër; apo se Tiranës mund t’i ngarkohej një faturë mbi 300 milionë euro pa vendim të Këshillit Bashkiak, duke u dhënë të njëjtëve persona edhe monopolin de facto të dherave”, shkruan Tabaku.

Më tej deputetja Tabaku kërkon që drejtësia të ndjekë “paratë, firmat dhe përgjegjësitë” deri në fund dhe pa përjashtime, duke e cilësuar aferën e inceneratorëve si “testin e lakmusit” për drejtësinë dhe mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri. “Nuk mund të anashkalohet përgjegjësia politike dhe institucionale e drejtuesit të Bashkisë së Tiranës për një kontratë me këto përmasa. Ashtu siç nuk mund të anashkalohet roli i kryeministrit në një mekanizëm që vuri në lëvizje ministri, bashki dhe vetë Këshillin e Ministrave. Nuk është bindëse që miliona euro përfunduan në duart e vetëm tre personave, të cilët erdhën pa kapital, pa përvojë dhe pa histori në këtë sektor, pa pasur lidhje dhe pa korruptuar zyrtarë të qeverisë. Prandaj afera e inceneratorëve mbetet testi i lakmusit për drejtësinë”, shkruan deputetja e PD.

Reagimi: 

INCENERATORËT, TESTI I LAKMUSIT PËR DREJTËSINË

Në shkurt të vitit 2018, kur nga foltorja e Kuvendit thirra në interpelancë ministrin e Energjisë, nuk e imagjinoja se pas aferës së inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit fshihej një gropë shumë më e madhe: abuzime, manipulime, kontrata korruptive dhe një skemë që do të shtrihej deri tek inceneratori i Tiranës.

Një zinxhir vendimmarrjeje që kalonte nga kryetarët e bashkive dhe Ministria e Mjedisit, tek Këshilli i Ministrave dhe kryeministri Rama.

Asokohe ishte e vështirë edhe për mua të kuptoja përmasat e plota të një skeme që, sipas përllogaritjeve të Komisionit Hetimor, kapte mbi 430 milionë euro. Një skemë që vuri në lëvizje një qeveri të tërë dhe nxori në punë, edhe ditëve të diel, funksionarë publikë për t’u dhënë, në dukje, vetëm tre personave tri kontrata, përfitime dhe monopole të tjera.

Milionat e atëhershme sot, me shumë gjasë, janë bërë miliarda.

Komisioni Hetimor për inceneratorët ishte çelësi për të kuptuar jo vetëm përmasat e abuzimit, por edhe mënyrën se si qeveria socialiste kishte zgjedhur ta administronte shtetin: ligje me porosi, kontrata të shkruara në kompjuterët e përfituesve dhe ndryshime ligjore që prodhonin përfitime private, me firmat dhe miratimin e zyrtarëve të lartë.

Gjithçka u ekspozua në orë të tëra dëshmish, pyetjesh dhe përgjigjesh, të cilat zbuluan mënyrën se si ishte ngritur dhe funksiononte sistemi.

Për mua, afera e inceneratorëve mbetet testi i lakmusit jo vetëm për drejtësinë, por edhe për mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri.

Përpara nisjes së Komisionit Hetimor ishin depozituar tri kallëzime penale. Në përfundim të punës së tij u depozituan edhe 15 kallëzime të tjera. Kushdo që ka parë një pjesë të konsiderueshme të provave mund të kuptojë se hetimi duhej të kishte shkuar më shpejt, më thellë dhe më lart.

Fakti që SPAK e ka dërguar dosjen e inceneratorit të Tiranës për gjykim edhe me akuza për grup të strukturuar kriminal është i rëndësishëm. Por kjo nuk mund të jetë fundi i çështjes.

Skema e inceneratorëve nuk mund të copëzohet në tri apo më shumë histori të palidhura. Është e vështirë të besohet se një seri prej 17 vendimesh mund të merrej brenda një dite për inceneratorin e Elbasanit; se pikëzimet dhe bonuset qeveritare mund të sajoheshin për një tjetër; apo se Tiranës mund t’i ngarkohej një faturë mbi 300 milionë euro pa vendim të Këshillit Bashkiak, duke u dhënë të njëjtëve persona edhe monopolin de facto të dherave.

Po aq e pashpjegueshme mbetet që Erion Veliaj nuk figuron mes të pandehurve të dërguar për gjykim në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Nuk mund të anashkalohet përgjegjësia politike dhe institucionale e drejtuesit të Bashkisë së Tiranës për një kontratë me këto përmasa. Ashtu siç nuk mund të anashkalohet roli i kryeministrit në një mekanizëm që vuri në lëvizje ministri, bashki dhe vetë Këshillin e Ministrave.

Nuk është bindëse që miliona euro përfunduan në duart e vetëm tre personave, të cilët erdhën pa kapital, pa përvojë dhe pa histori në këtë sektor, pa pasur lidhje dhe pa korruptuar zyrtarë të qeverisë.

Prandaj afera e inceneratorëve mbetet testi i lakmusit për drejtësinë.

Drejtësia duhet të na japë panoramën e plotë të rrugës së parave, firmave dhe vendimeve. Duhet të shpjegojë se si tre persona pothuajse të panjohur arritën, nga kompjuterët e tyre personalë, të vinin në lëvizje katër ministri, tri bashki dhe një Këshill Ministrash.

Dhe si arritën ta bindnin kryeministrin Rama që fushatën elektorale të vitit 2021 ta niste pikërisht nga impianti i tyre.

Hetimi duhet të ndjekë paratë, firmat dhe përgjegjësitë — deri në fund dhe pa përjashtime.

Te tjera

Lajme te tjera