Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se kryediplomati serb, Ivica Daçiç është kriminel lufte dhe se për këtë duhet të dalë para drejtësisë.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Gërvalla është shprehur në tri gjuhë, anglisht, shqip dhe serbisht teksa akuzoi Daçiçin se është përgjegjës për vrasje masive dhe përdhunime.
“Që Daçiç është kriminel, ta thotë në tri gjuhë, shqipe, anglisht dhe serbisht. Ivica Daçiç është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive e përdhunime. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte. Vuçiç e Daçiç që duan një rend që dirigjohet nga Moska, por kjo s’mund të ekzistojë. BE, NATO dhe Kombet e Bashkuara s’e lejojnë një vend ku pushtimi e invazioni janë mënyra të udhëheqjes.”, u shpreh Gërvalla.
Më tej, ajo e ka cilësuar Daçiçin si dorë e djathtë e kriminelit serb, Slobodan Millosheviç.
“Ata që janë përgjegjës për gjenocid janë ende në pushtet në Serbi. Vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviçit. Nga 1999 deri 2000 ishte Daçiç, ishte dora e djathtë e Millosheviçit, e duartrokiti si hero dhe ishte pasardhësi i tij. Dhe ja sot e kemi para. Ne negociojmë me to sepse jemi për paqe. E dimë që ka një Serbi tjetër, por që ende është e dobët. Po presim atë Serbi. Shpresojmë që ajo të vijë sa më shpejtë.”, u shpreh Gërvalla.
Kryediplomatja po ashtu ka deklaruar se Vuçiç e Daçiç i kanë duart me gjak.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Në seancën që po mbahet në Nju Jork dhe kryesohet nga Rusia, Kosova dhe Serbia përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schëartz dhe Ivica Daçiç.
