Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen e vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt BE-së në tre vitet e fundit si të jashtëzakonshëm dhe në kohë rekord. Në konferencën për shtyp, Von der Leyen theksoi faktin se Shqipëria e ka bërë të qartë rrugën e saj evropiane, ndërsa kryeministri Edi Rama përsëriti sërish ambicien për të mbyllur kapitujt me Unionin brenda vitit 2027.
“Është një progress i mrekullueshëm, shpejtësi rekord dhe përshpejtim të vërtetë në tre vitet e fundit. 5 nga 6 kapitujt janë hapur dhe të fundin do ta hapim këtë vjeshtë. Qëllimi është mbyllja e negociatave brenda 2027, na pëlqen ambicia dhe ne jemi të gatshëm dhe me ju në çdo hap”, tha Von der Leyen.
Kryeministri, teksa tha se Shqipëria po ecën me shpejtësi dhe mbarësi, vlerësoi edhe mbështetjen e palëkundur të Von der Leyen. Sipas tij, mbyllja e kapitujve deri në 2027 nuk është një ëndërr por një bindje e përbashkët e Tiranës dhe Brukselit.
“Viti 2027 nuk është një vit që e pamë ne në ëndërr dhe tani po jua tregojmë shqiptarëve. E kemi përcaktuar së bashku me KE si objektivin e negociatave. Ky objektiv lidhet me detyrat që ne bëjmë këtu. Nëse vazhdojmë kështu me këtë ritëm e këmbëngulje e sukses, ne do t’ia dalim që në 2027 të bëjmë detyrën tonë.”, tha Rama.
Drejtuesja e KE, duke u ndalur te Plani i Rritjes, tha se ekonomia shqiptare ka fituar akses në tregun e përbashkët. Më tej, ajo argumentoi se kjo iniciativë ka potencialin që të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda kësaj dekade.
“Dyert e sektorit të tregut të vetëm janë të hapura, kompanive tuaja, por edhe për kompanitë tona, sepse kemi një treg të tërë të përbashkët. Pra është një situatë “win – win”. Dhe Plani i Rritjes në fakt, ka potencialin që të dyfishojë ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë dekadë. Jam e kënaqur që të them dhënien e 100 milionë eurove dhe tani kemi për ta zbatuar këtë plan, tani që jemi në rrugën e duhur. Kjo është rruga që Shqipëria të aksesojë të gjithë fondin në bazë të Planit të Rritjes, ka afërsisht 1 miliardë euro.”, tha diplomatja.
Kryeministri dha një përgjigje edhe për deklaratat e tij të mëparshme kur “akuzonte” BE-në për burokraci. Sipas Ramës, atëherë ka qenë një tjetër realitet, ndërsa sot vendi ynë po përparon bindshëm drejt objektivave.
“Përsa i përket çfarë kam thënë unë për BE-së, ka një kohë relativisht të gjatë që i kam thënë ato që kam thënë dhe të cilave nuk i heq asnjë presje, pasi në atë periudhë KE i propozonte Këshillit që të hapeshin negociatat dhe Këshilli refuzonte për shkak të 2 a 3 vendeve që po bëheshin pengesë këtij procesi. Sot jetojmë prej disa kohësh që jetojmë në një realitet tjetër në raport me Shqipërinë dhe BE.”, shtoi ai.
Von der Leyen në fillim u prit në presidencë edhe nga Presidenti Bajram Begaj, më pas nga kryeministri Rama në një ceremoni zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pas Tiranës, Von Der Leyen do të vijojë turin në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mal të Zi, Bosnjë Hercegovinë, Serbi, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
