Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe centralizim të pushtetit.
Berisha u ndal te protestat qytetare, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në shtator dhe për intensifikimin e protestave dhe mosbindjes civile. Ai theksoi se PD do të vijojë mbështetjen për protestën qytetare, ndërsa deklaroi se nuk do të marrë pjesë personalisht, për të shmangur politizimin e saj.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua sigurisë dhe kriminalitetit. Lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi mënyrën e menaxhimit të ngjarjeve të fundit, përfshirë vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ndërsa për rastin e përleshjes së parandaluar në Kombinat tha se ai dëshmon, sipas tij, shkallën e inkriminimit të vendit.
Kryedemokrati kërkoi masa të ashpra kundër pastrimit të parave, duke propozuar krijimin e një agjencie kombëtare të posaçme dhe konfiskimin e objekteve të ndërtuara me para të paligjshme.
Berisha kundërshtoi gjithashtu projektin për krijimin e një shteti sovran bektashi, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe në kundërshtim me karakterin laik të shtetit shqiptar. Sipas tij, PD do ta kundërshtojë këtë nismë.
Në planin ekonomik, Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal te çmimi i naftës, duke premtuar se një qeveri e ardhshme e PD-së do të përgjysmonte taksën mbi karburantet. Ai foli gjithashtu për subvencionimin e qirave për studentët, duke i konsideruar kostot e banimit në Tiranë një pengesë serioze për të rinjtë.
Duke folur për zhvillimet politike, Berisha kërkoi që vendi të shkojë drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ai deklaroi se shtatori duhet të shënojë një fazë të re të protestave kundër qeverisë Rama.
Në mbyllje, kryetari i PD-së tha se opozita duhet të intensifikojë betejën në disa fronte dhe të punojë për largimin e qeverisë aktuale, duke e lidhur këtë me nevojën, sipas tij, për rikthimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
