Kosova nuk ka arritur ende të dalë nga ngërçi politik në të cilin është futur prej 15 prillit. Pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës u mblodh sot për rë rinisur seancat konstituive, por takimi përfundoi me dy dështime të reja.
Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje propozoi si kryetare Kuvendi sërish Albulena Haxhiun dhe më pas Donika Gërvallën. Por asnjëra prej tyre nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme për tu zgjedhur kryetare Kuvendi. Secila mori nga 57 vota pro, 56 kundër e nga 3 abstenime. Pas dështimit, seanca e radhës është shtyrë për më datë 22 gusht.
Menjëherë erdhën edhe reagimet nga partitë opozitare. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij vazhdon me qëndrimin se voton vetëm një kandidat nga LVV-ja për kryeparlamentar që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka votë për Albulena Haxhiun dhe për dikë që ka qenë ministër.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha LVV nuk është e interesuar për konstituimin dhe se e dinte që as kandidatura e Gërvallës nuk do i merrte votat e nevojshme.
“LVV-ja sot propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e akuzoi LVV-në se me qëllim sot propozoi kandidate që nuk e kanë mbështetjen e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Ajo tha se partitë që ishin në opozitë kanë ofruar alternativa për daljen nga ngërçi politik, por LVV-ja nuk i ka pranuar këto opsione.
“Do të shihni, edhe në seancat në vijim do të propozohen figura të tilla që nuk kanë përkrahje”, tha ajo.
Vazhdimi i seancës konstituive u mbajt pasi Gjykata Kushtetuese urdhëroi deputetët që brenda 30-ditësh, duke nisur nga 18 gushti, të themelojnë organin ligjvënës. Votimi për kryeparlamentarin u bë në mënyrë të hapur dhe, sipas vendimit një kandidat mund të hidhet në votim vetëm deri tri herë.
Seanca konstituive për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill. Por, për shkak se asnjëra parti nuk ka arritur ta bëjë e vetme shumicën dhe nuk u arrit një marrëveshje politike, çështja ngeci te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
