E hënë, 28 Shtator, 2026

U dënua me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia bën rekurs në Gjykatën e Lartë, ja saga 24-vjeçare e përplasjeve të tij me Berishën dhe tentativa për ta eliminuar në 2019 kur do padiste ish-kryeministrin 

Share

Ish-truproja i liderit “de facto” të PD, Sali Berisha në vitet 1992-1998, Izet Haxhia po kërkon pafajësinë nga drejtësia shqiptare lidhur me vrasjen e deputetit demokrat, Azem Hajdari në 12 shtator 1998. Ditën e djeshme, njëri prej ish-njerëzve më të besuar të Berishës në kohën kur ishte president dhe më pas lider i opozitës, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila në 31 tetor 2022 la në fuqi verdiktin e shkallës së parë, që e shpalli fajtor Haxhinë për të ashtuquajturën “Vrasja e shekullit”, duke e dënuar me 21 vite burg. Ish-badigardi i famshëm u shpall fajtor për veprën penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Ai ka qenë protagonist dhe në tentativën për grusht shteti në 14 shtator 1998, ku militantë të PD dhe qytetarë të shumtë tentuan të rrëzonin qeverinë e Fatos Nanos. Aktualisht, drejtësia vendosi se vrasësi i “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari ishte Jaho Mulosmani, i cili që prej vitit 2002 vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Çështja “Hajdari” ka kaluar në një kalvar të gjatë gjyqësor dhe politik prej 20 vitesh, ku ka pasur pretendime për deformim të procesit, manipulim të provave, dhe mbi të gjitha, refuzimi i Sali Berishës për të dhënë dëshminë e tij, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.
Nga bashkëpunëtor në armik, si u kthye Izet Haxhia në njeriun e urryer të Berishës?
Në 14 shtator 1998, Departamenti Amerikan i Shtetit kërcënoi Berishën se nuk do ta njihte si lider të Shqipërisë nëse e merrte pushtetin me dhunë. Pasi tërhoqi militantët dhe mbështetësit e vet nga Kryeministria dhe godina e Radio Televizionit Shqiptar, Berisha filloi të “flakte” bashkëpunëtorët e vet. Fillimisht, ai akuzoi kryeministrin Fatos Nano, kryeparlamentarin Skënder Gjinushi, shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar Fatos Klosi, si organizatorë të vrasjes së Hajdarit, kurse në rolin e qitësit lideri i opozitës e drejtoi gishtin te Jaho Mulosmani. Në të vërtetë, vrasjet e Hajdarit, truprojës Blerim Çera dhe Naim Çangut dhe plagosjen e Zenel Nezës, u kryen nga Fatmir Haklaj, ish-komisar i policisë në Tropojë. Berisha nuk nguroi të fajësonte dhe bashkëpunëtorin e tij, të cilit i kishte besuar jetën, Izetë Haxhinë, si personin që nxori në pritë Hajdarin mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 para selisë së PD, ku dhe u qëllua për vdekje. Izet Haxhia, i cili del haptazi në ngjarjet e 14 shtatorit 1998 edhe në pamjet e kohës së mediave, u akuzua nga shteti shqiptar si njëri prej organizatorëve të “puçit” të 1998. Në 1999, ai u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Turqi. Nga ky moment, marrëdhëniet e tij me Berishën u përkeqësuan, aq sa filloi ta akuzonte jo vetëm për vrasjen e Azem Hajdarit dhe 14 shtatorin 1998, por dhe për shumë ngjarje të tjera të rënda.
“Vrasja e shekullit”, Mulosmani u dënua përjetë, Haxhia me 25 e më pas me 21 vite burg
Në vitin 2002, Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmanin, ish-shefin e komisariatit të Tropojës, Izet Haxhinë me 25 vite burg, Ismet Haxhinë me 15 vite burg dhe Isamedin Haxhinë për armëmbajtje pa leje. Fatmir Meta, ish-shef i policisë së Tropojës u shpall i pafajshëm.  Në 2016, Ismet Haxhia përfitoi nga amnistia, ndërsa fajtorë mbetën Izeti dhe Jaho. Në 2006, Izet Haxhia u arrestua nga policia turke pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga shteti shqiptar. Ai kërkoi azil në Turqi me pretendimin se i rrezikohej jeta në atdhe. Por, në 2018, drejtësia turke aprovoi kërkesën për ekstradim të Haxhisë nga shteti shqiptar, pas vendimit për të rigjykuar nga themeli vrasjen e Azem Hajdarit. Haxhia u soll në maj 2018 me pranga në duar dhe u dërgua në burgun 302. Edhe pse kërkoi që Sali Berisha apo familjarë të Azem Hajdarit të vinin në gjyq, Haxhisë nuk iu pranuan as 12 kërkesat për t’u nxjerrë nga qelia. Në 11 shkurt 2022, Gjykata e Tiranës e dënoi Izet Haxhinë me 21 vite burg për “Vrasjen e shekullit”. Edhe pse e apeloi vendimin në Apelin e Gjykatës së Tiranës së bashku me avokatin e tij Idajet Beqiri, Haxhia u dënua sërish me 21 vite burg. Në bazë të Kodit Penal, ai do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.
Vrasja e Azem Hajdarit, shumë mistere ende pa përgjigje, Berisha nuk dëshmoi
Mënyra si ndodhi vrasja e Azem Hajdarit, por dhe procesi gjyqësor për zbardhjen e tij, u pasuan me dilema të mëdha mosbesuese. Hajdarit iu zhduk një telefon privat që përdorte, badigardi i tij Zenel Neza u mor në pyetje nga Berisha në spital natën e krimit, por kurrë nuk e firmosi dëshminë dhe u largua me familjen nga Shqipëria, Berisha nuk dëshmoi kurrë, as këshilltarja e tij Linda  Ihsani, e cila pa krimin, nuk u morr asnjëherë në pyetje nga drejtësia. Ajo vdiq vite më pas. Po ashtu, në vendngjarje u gjetën një palë gëzhoja. Edhe pse është pranuar publikisht se Hajdarin e vrau Fatmir Haklaj, drejtësia ia faturoi autorësinë e krimit Jaho Mulosmanit. Në 2002, pati zëra se Berisha dhe Nano bënë një pakt të fshehtë për të mbyllur çështjen “Hajdari” me dënimin e Mulosmanit dhe vëllezërve Haxhia. Nga ana tjetër, Berisha denoncoi Mulosmanin si vrasësin e Hajdarit dhe ka pretendime se ai ka parë nga zyra e tij skenën e krimit. Por, këto pikëpyetje u lanë pa përgjigje edhe sot e kësaj dite. Berisha ishte në konflikt me fisin e Fatmir Haklajt, pasi akuzohej prej tyre se kishte porositur vrasjen e vëllait të Fatmirit, Shkëlqim Haklaj. Ata fajësonin dhe Azem Hajdarin, por disa ditë para se të vritej, Azem Hajdari u takua me babain e Haklajve, Muharremin dhe shfajësoi veten për vrasjen e të birit. Me kalimin e viteve, djemtë e fisit Haklaj u eliminuan në mënyrë misterioze njëri pas tjetrit. Për këto ngjarje, gishti i fajit u drejtua nga klasa politike e drejtuar nga Nano dhe Berisha.
Avokati i Haxhisë: Izetin tentuan ta vrisnin në 2019 kur do padiste Berishën
Në 11 tetor 2019, teksa po nga burgu 313 drejt Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të paditur Berishën për 23 krime, automjeti që transportonte Haxhinë u përplas. Avokati i tij, Idajet Beqiri pretendoi se ka patur tentativë të qartë për të eliminuar klientin e tij, me qëllim që ta frikësonin për të mos dëshmuar. Por, drejtori i Burgjeve në atë kohë, Agim Ismaili e përgënjeshtroi lajmin se Haxhia të ishte aksidentuar.

Kolonë
23 akuzat e Izet Haxhisë ndaj Sali Berishës, nga 2 prilli 1991 te porosia e eliminimit të tij
1) Ngjarjet tragjike të 2 Prillit 1991, pas humbjes së zgjedhjeve të 31 marsit 1991, ku u vranë Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, pas sulmit ndaj godinës së Komitetit Qendror të PPSH në Shkodër.
2) Revolta e kadetëve në Shkollën e Bashkuar në 21 shkurt 1991, pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, ku u plagosën disa persona dhe u vra një tjetër. Kjo ngjarje ishte tentativë për grusht shteti nga enveristët kundër Byrosë Politike dhe Ramiz Alisë.
3) Ideimi, ngritja e skemave të firmave piramidale në vitet ’90 me ndihmën e strukturave shterërore e partiake bashkë me SHIK.
4) Manipulimit dhe vjedhjes së votave në çdo votim të radhës, nëpërmjet blerjeve favoreve fiksimit, dezinformimit dhe nxitjes së anarkisë dhe kaosit. Kujtojmë këtu vjedhjet e zgjedhjeve parlamentare të 1996 dhe shtypja me dhunë e protestës paqësore të opozitës socialiste.
5) Djegia e gazetës “Koha Jonë” në 3 mars 1997 dhe vënia e tritolit në shtëpinë e korrespondentes së gazetës Zenepe Luka në Vlorë.
6) Organizator dhe nxitës i funksionimit të linjës së sulmeve me tritol
7) Vjedhja e Thesarit të Shtetit në Krrabë në 14 prill 1997, e cila u përfundua nga Ilir Meta.
8) Rrëmbimi, torturimi dhe vrasja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha në 1995, nëpërmjet zyrtarëve të SHIK, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi.
9) Hapja e qëllimshme e depove të armëve pas falimentimit të firmave piramidale në fillim të ’97, armatosja e vullnetarëve në mbrojtje të Berishës në Dajt, thirrja e rezervistëve për të nisur sulmin ushtarak në jug të Shqipërisë ku kishin shpërthyer revoltat dhe hartimi i planit ushtarak për bombardimin e jugut.
10) Vendosja e shefit famëkeq të SHIK, Bashkim Gazidede, në krye të operacionit të shtypjes së revoltave në jug në 1997, duke marrë detyrën Komandant i Përgjithshëm. 11) Fajtor dhe nxitës për vrasjet e shumta në Tropojë në vitet 1997-1998, që filluan me vrasjen e Shkëlqim Haklajt, vëllai i Fatmir Haklajt, shef komisariati të Tropojës.
12) Përgjegjës për vrasjet e ish-shefit të logjistikës së UÇK, Ilir Konushevci dhe mjekut Hazir Mala në 9 maj 1998 rrugës për në Bajram Curri.
13) Ideimi dhe urdhri i bombardimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
14) Ideator i planeve për të vrarë liderët e opozitës Skënder Gjinushi, Sabit Brokaj, Arben Imami dhe deputetin e PD, Shaban Memia.
15) Urdhëruesi i një serie sulmesh ndaj anëtarëve të fisit Haklajt me snajper, mina me telekomandë, angazhim grupesh speciale, etj.
16) Nxitës dhe në akuzimin, arrestimin dhe dënimin e Izet Haxhisë dhe vëllezërve të tij Isamedinit dhe Ismetit për vrasjen e Azem Hajdarit në 12 shtator 1998.
17) Përgjegjës për vrasjen e Azem Hajdarit
18) Berisha është arkitekti i grushtit të shtetit në 14 shtator 1998 dhe kthimin e selisë së PD në një fortesë militare dhe të rrezikshme për ndarje kombëtare.
19) Shpërthimi në qendrën tregtare “VEFA” në Tiranë në 26 shkurt 1996, ku vdiqën 4 veta dhe u plagosën 11 të tjerë.
20) Vjedhja e parave të shqiptarëve në 1997 dhe zhdukja e valutës monetare nga banka e Shkodrës.
21) Përgjegjës për organizimin e referendumit të ndryshimit të formës së qeverisjes në 29 qershor 1997 dhe përdorimin e Princit Leka Zogu I, i cili drejtoi një rebelim të përgjakshëm pas humbjes së rezultatit.
22) Bashkëpunim në akte kriminale me Bujar Bukoshin, kryeministër i qeverisë së Kosovës në mërgim në vitet ’90.
23) Porositja e vrasjes së Izet Haxhisë për shumën 1 milionë euro.  

Te tjera

Lajme te tjera