E hënë, 28 Shtator, 2026

“Parlamenti po përdoret për t’i vendosur pengesa drejtësisë”, Tabaku ngre alarmin për SPAK: Ka presion politik

Share

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi se SPAK është nën presion politik dhe verbale, duke theksua se po bwhen përpjekje për t’i vendosur pengesa drejtësisë. Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare, ajo e cilësoi depërtimin e drejtësisë në institucionet e rëndësishme të shtetit, përfshirë së fundmi SHISH-in, si një arritje, por paralajmëroi se politika nuk duhet të ndërhyjë në punën e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Tabakut, prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet për këdo, por nuk mund të përdoret për të shmangur përgjegjësinë politike dhe profesionale. Ajo kërkoi gjithashtu që imuniteti parlamentar të mos shërbejë si mburojë përballë drejtësisë.

Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, deputetja e PD-së tha se hapja dhe mbyllja e kapitujve nuk mjaftojnë, pasi Shqipërisë i kërkohen rezultate të qëndrueshme dhe bindëse. Sipas saj, vendi duhet të hyjë në Bashkimin Europian nga “dera e reformave”, duke e përdorur procesin e integrimit për forcimin e shtetit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Tabaku theksoi gjithashtu se, pavarësisht përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës, anëtarësimi në BE mbetet një nga çështjet ku ekziston konsensus i gjerë politik dhe mbështetje e qytetarëve.

“Procesi i integrimit matet me mënyrën si funksionon shteti, si shpenzohen paratë publike dhe si zbatohet ligji. Anëtarësimi në BE është aspiratë politike, e mbështetur nga të gjithë shqiptarët. Një Europë më e bashkuar do të thotë edhe një Shqipëri më e drjtë. Pavarësisht ndasive tona politike, Shqipëria duhet patjetër ta përfundojë me sukses anëtarësimin në BE. Ky konsensus është një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria. Ne duhet ta shohim këtë proces si mundësi transformimi, shtetformimi, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Hapja e kapitujve, përmbyllja e kapitujve janë arritje të Shqipërisë, por BE do zbatim, rezultate të qëndrueshme dhe bindëse.

Respektimi i prezumimit të pafajësisë nuk na ndalon të kërkojmë përgjegjësi politike e profesonale. Mosndërhyrja te SPAK duhet të jetë zbatim i Kushtetutës, jo si nder që politika ia bën drejtësisë. Sot SPAK është nën presion, qoftë politik, qoftë verbal. Shohim përpjekje shohim avokati politike, provat minimizohen ose parlamenti përdoret për t’i vendosur pengesa drejtësinë. Prezumimi i pafajësisë nuk mund të përdoret për të vendosur prezumimin e fajësisë ndaj prokurorëve. Në procesin e integrimit duhet të kujdesemi që imuniteti parlamentar të mos ofrohet kurrë si mburojë ndaj drejtësisë. Duhet të angazhohemi për emërime në bazë të meritës. Lufta ndaj korrupsionit të mos ndalet vetëm te arrestimet. Një ekonomi konkurrente që lufton paranë e pistë. Duhet të hyjmë nga dera e reformave”, tha Tabaku.

Te tjera

Lajme te tjera