E hënë, 10 Gusht, 2026

“Trazohen sërish ujërat” në Ballkan, Dodik mund të zërë vendin e Vuçiçit, një propozim i çmendur ka ardhur nga Beogradi, ja planet që po thurin dy miqtë e vjetër

Share

Në mes të një periudhe të tensionuar politike në Ballkan, Milorad Dodik, lideri i Republika Srpska, nuk tregon shenja të heqjes dorë nga pushteti, edhe pse një vendim i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës e ka larguar formalisht nga posti i Presidentit të RS-së. Në një kohë kur ai vazhdon të bëjë thirrje për referendume dhe të shpallë se vullneti i popullit do të triumfojë, Dodik po e kërkon mënyrën për të qëndruar në qendër të skenës politike. Por këtë herë, ndihma po vjen një figurë me peshë në politikën serbe: Aleksandër Vuçiç. Presidenti i Serbisë, i cili ka njoftuar se do të largohet nga posti i tij në zgjedhjet e ardhshme, po i ofron Dodikut një mundësi të pazakontë: të bëhet kandidati i mundshëm për President të Serbisë, duke e bërë një lëvizje që mund të ndryshojë drejtimin e politikës ballkanike. Në një moment kur Dodik duket i rrethuar nga sfida dhe akuza, Vuçiç i hedh atij një “litar” shpëtimi, që mund të ketë pasoja të rënda.

Revolta e Dodik

Milorad Dodik, të cilit iu hoq ligjërisht mandati i tij si president i Republika Srpska të hënën, tha në Doboj se “nuk e pranon qeverinë pushtuese dhe fundamentalizmin mysliman”. “Ose do të fitojnë të huajt, ose do të fitojë vullneti i popullit. Unë besoj se vullneti i popullit tonë do të fitojë. Unë kam një mandat dhe do të vazhdoj të bëj punën time. Nuk do të lejoj që Republika Srpska të poshtërohet”, u tha Dodik gazetarëve në Doboj, ku mori pjesë në festimin e pagëzimit të atij qyteti.Ai deklaroi se “u gjykua nga gjyqtarë që ishin gjyqtarë ushtarakë gjatë luftës civile në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe të cilët njihen si urrejtës të serbëve, të vendosur për t’u shkaktuar goditje dhe të këqija vetëm serbëve”, raportoi Radiotelevizioni i RS-së (RTRS). Duke deklaruar se RS do të “zgjidhë gjithçka në mënyrë paqësore”, ai u bëri thirrje qytetarëve të entiteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës të mbajnë dy referendume. “I pari do të jetë ai që do ta refuzojë përpjekjen e tyre, dhe i dyti do të jetë në bazë të mospranimit të vullnetit të referendumit të parë, sepse ne besojmë se do të jetë kështu”, theksoi ai.

Propozimi i Vuçiçit

Pas vendimit të Dhomës së Apelit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Dodik zyrtarisht nuk e mban më postin e Presidentit të RS-së. Megjithatë, siç kanë parashikuar shumë analistë, ai nuk do të heqë dorë lehtë. Zëvendëspresidenti i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP) Borko Stefanoviç deklaroi dje se aktualisht po shqyrtohet mundësia që Milorad Dodik , i cili, pas vendimit të djeshëm nga Dhoma e Apelit e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk është më President i Republika Srpska, të jetë kandidat për President të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme. Stefanoviç i tha televizionit Nova S se kjo po “negociohet seriozisht”, pasi Presidenti aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk do të jetë në gjendje të kandidojë përsëri, pasi mandati i tij i dytë po skadon, raportoi SSP në një deklaratë. “Vuçiç dëshiron të jetë kryeministër, të kthehet në pozicionin e kryeministrit, ai po përgatit Dodikun meqenëse ai ka shtetësi serbe dhe tani nuk mund të jetë president i Republikës Srpska”, tha Stefanoviç.

Largimi i presidentit serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar së fundmi se nuk do të rikandidojë për zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Gjatë një konference të nxehtë për shtyp pas takimit me kancelarin austriak Christian Stoker, Vuçiç u shpreh prerë për të hequr dorë nga politika. “Jam veteran politik, s’mund të kandidoj më për president!”, tha Vuçiç.  Ai theksoi se do të mbyllë karrierën presidenciale pas një viti e gjysmë, duke hedhur poshtë çdo mundësi për ndryshime në Kushtetutën e Serbisë që do t’i lejonin një mandat tjetër. Në një ton sfidues, Vuçiç iu përgjigj kritikëve: “Nuk jam diktator!” një deklaratë që ka ndezur debatin në një kohë kur tensionet politike në Serbi janë në kulm.Vuçiç njoftoi se zgjedhjet në Serbi do të shpallen përpara afatit të parashikuar me ligj, por nuk dha një datë të saktë, duke theksuar se kjo është në kompetencë të institucioneve shtetërore, raporton N1.

Te tjera

Lajme te tjera