E martë, 14 Korrik, 2026

Sot feston ditëlindjen, Rama poston foton me simbolin e flamingos: Urrejtësit më besnikë janë prova se nuk po jeton kot

Share

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët për urimet e shumta që ka marrë me rastin e 62-vjetorit të ditëlindjes së tij.

Mesazhin e tij në rrjetet sociale, Kryeministri e ka shoqëruar edhe me një fotografi ku shfaqet i veshur me ngjyrë rozë dhe pranë një flamingoje, element që simbolizon edhe protestat që po mbahen në kryeqytet prej më shumë se një muaji kundër investimit në Zvërnec, Vlorë.

Rama shprehet se e ka të pamundur t’u përgjigjet të gjitha urimeve dhe, për këtë arsye, zgjodhi t’i falënderojë publikisht, duke kërkuar njëkohësisht ndjesë për pamundësinë për t’iu përgjigjur telefonatave.

“Faleminderit për urimet e panumërta për ditëlindjen, e pamundur t’u përgjigjem të gjithave e prandaj po ju’a përcjell këtu falënderimin, bashkë me ndjesën e mospërgjigjes në telefon”, shkruan Rama.

Në të njëjtin reagim, Kryeministri iu referua edhe komenteve kritike që, sipas tij, shoqërojnë postimet në rrjetet sociale.

“E me këtë rast faleminderit edhe për sharjet që nuk do të mungojnë më poshtë, sepse urrejtësit besnikë janë prova më e sigurt që nuk po jeton kot”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste feston sot ditëlindjen e tij të 62-të.

Te tjera

Lajme te tjera