SHBA u shpall luftë karteleve të drogës, kush janë udhëzimet që ka marrë Altin Dumani në DASH, si rrezikohen të tronditen pozitat e Edi Ramës, ja fijet që implikojnë kryeministrin me bandat kriminale
Rigels Seliman
Një furtunë politike dhe diplomatike duket se është hapur mes Tiranës dhe Uashingtonit, pas vizitës së kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Departamenti i Shtetit ka dhënë një sinjal të prerë: Amerika ka shpallur luftë totale kundër karteleve të drogës dhe e sheh Shqipërinë si një terren ku kjo betejë duhet të fillojë urgjentisht. Burime diplomatike flasin për një udhëzim të drejtpërdrejtë që Dumani ka marrë në Uashington, ku linja e re e Presidentit amerikan Donald Trump, të cilën gazeta “SOT” e njoftoi pak ditë më parë, është komunikuar pa ekuivok. Trafikantët e drogës konsiderohen si “terroristë ndërkombëtarë”, dhe çdo bashkëpunim i SPAK me SHBA do të fokusohet te shkulja e tyre nga rrënjët. Reagimi i DASH ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër. “Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta të ndalimit të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dumani, për të diskutuar fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë”, theksoi DASH gjatë një reagimi për “Top Channel”. Por ky mesazh ka rënë si një goditje e fortë mbi elitën politike shqiptare, pasi për herë të parë përmendet qartazi bashkëpunimi frontal kundër bandave.
Fijet që çojnë te Rama dhe pazaret e nëndheshme me baronët e krimit
Në qendër të këtij zhvillimi dyshohet se qëndron kryeministri Edi Rama, i cili sipas burimeve të ndryshme, është lidhur në mënyrë të përsëritur me eksponentë të botës së krimit. Lejet e ndërtimit për kulla gjigante në Tiranë dhe projektet e bregdetit kanë qenë një nga format kryesore të pastrimit të parave të drogës. Një rast flagrant është firma e Ramës për lejet e ndërtimit të Elvis Doçit dhe Altin Hajrit, dy emra të njohur të botës kriminale në Durrës. Në sy të partnerëve ndërkombëtarë, kjo ka qenë prova më e qartë se qeveria shqiptare ka bërë pazare të nëndheshme me baronët e drogës dhe krimit të organizuar. Alarmi ka ardhur prej kohësh nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, që kanë dokumentuar tonelata kokaine të trafikuara nga Amerika Latine në Europë me rrjete shqiptare. Por tani, SHBA duket se ka vendosur të shkojë deri në fund. Kreu i SPAK, Altin Dumani është kthyer në figurën kyçe të këtij operacioni ndërkombëtar. Ai ka marrë premtimin për mbështetje të plotë teknike, logjistike dhe politike nga Uashingtoni. Madje burimet flasin për një plan të detajuar aksionesh, ku pritet të shënjestrohen jo vetëm grupet kriminale, por edhe lidhjet e tyre me politikën shqiptare.
A do të shpërthejë furtuna mbi Tiranën?
Ky është një skenar që trondit themelet e pushtetit të Edi Ramës. Nëse hetimet avancojnë, pritet që të ekspozohen lidhjet direkte të kreut të qeverisë me figura të botës së nëndheshme. Zyrtarë të DASH kanë nënvizuar se “bashkëpunimi i ndërsjellë” nuk do të ketë kufij, duke përfshirë edhe hetime ndaj eksponentëve politikë që kanë shfrytëzuar krimin e organizuar. Kjo e kthen Shqipërinë në një rast testues për strategjinë e re amerikane kundër karteleve. Rama, i cili deri më tani ka hedhur poshtë çdo akuzë, ndodhet përballë një skenari ku gjithçka mund të përmbyset. Grupet e strukturuara kriminale shqiptare janë të lidhura ngushtë me rrjetet më të mëdha të trafikut global të kokainës. Në fushata zgjedhore, këto grupe janë angazhuar drejtpërdrejt për të garantuar fitore të kandidatëve të mazhorancës. Mirëpo tani, SHBA e ka vendosur qartë: nuk do të tolerojë më asnjë marrëveshje mes politikës dhe krimit. Nëse fijet që implikojnë kryeministrin Edi Rama dalin në dritë, kriza qeveritare është e pashmangshme. Dhe pikërisht këtu lind pyetja dramatike: a do të hapet furtuna? Shenjat e para tregojnë se rrufeja është gati të bjerë, dhe askush nuk do të mund t’i shpëtojë pasojave të saj. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht, ndërkohë që sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. Ndërkohë kujtojmë se vizita e kryeprokurorit special, Altin Dumani këtë javë në Uashington erdhi në një moment vendimtar për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që pas pak javësh të hapë garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa shumë shpejt pritet të zgjidhet edhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Vitin e kaluar Dumani u nderua me çmimin “Kampion në Luftën Kundër Korrupsionit”, dhënë nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
