E martë, 28 Korrik, 2026

Sesioni i ri parlamentar nis me kaos/ PD bllokon foltoren dhe kërkon largimin e Ballukut nga salla: Dorëzojani drejtësisë

Share

Seanca e parë e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2026 ka nisur ashtu siç u mbyll më 11 dhjetor. Pas nderimit të himnit kombëtar, Partia Demokratike e të tjerë opozitarë u dyndën në foltoren e Kuvendit duke tentuar bllokimin e vijimit të seancës dhe shkak për këtë u bë prezenca e zv.kryeministres Belinda Balluku. Ndaj kësaj të fundit, SPAK ka kërkuar heqje të imunitetit të deputetit dhe hapjen rrugë për arrestim. 

Opozita ka kërkuar me të madhe largimin nga salla të Ballukut ndërsa mazhorancën e etiketuan si mburojë të krimit. Kjo për shkak se Partia Socialiste ka refuzuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.

Vetëm opozitarët Fatmir Mediu, Agron Shehaj, Erlad Kapri, Artan Luku, Ana Dajko dhe Redi Muçi, të cilët qëndruan të ulur në karriget e tyre.

Tedi Blushi e mori fjalën nga foltorja si kreu i grupit të Partisë së Lirisë, ndërsa iu drejtua Niko Peleshit duke e cilësuar si provokator dhe mbrojtës të Ballukut.

“Po bëni provokim jo ndaj opozitës, por ndaj qytetarëve. Nuk mund të bëheni mburojë e korrupsionit. Niko je damkosur sot pas Ramës si provokatori më i madh. Prania e ballukut në sallë kur duhet ti ishte dorëzuar drejtësisë, është krim nga ana juaj”, tha Blushi.

Revoltës së demokratëve iu përgjigj kreu i grupit të PS-së Taulant Balla, i cili theksin e vuri tek ftesa e Trump për Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Balla tha se Rama është miku më i mirë i Trump në Ballkanin Perëndimor.

Kreu i grupit të PS vijoji më tej për thirrjen e deputetëve të PD-së për t’iu bashkuar komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale. Për këtë ata kanë kohë deri javën tjetër, në të kundër do të zhbëjnë formulën për 2 komisionet dhe mazhoranca do të marrë shumicën.

“Edi Rama është partner i besueshëm i SHBA-ve, këto janë dy çështjet në parantezë dhe dëgjoheni mirë, kohë për të humbur me ju kemi zero, nguliteni mirë. Doni reformë territoriale e zgjedhore, hajdeni këtu. Nëse nuk vini javën e ardhshme, jeni të mirëpritur”, tha Balla.

Pas fjalës së Ballës, kryetari i Kuvendit kaloi në votim dhe më pas mbylli seancën. Pas daljes nga Kuvendi, deputetët e opozitës në prononcim për mediat, e cilësuan si turp dhe provokim prezencën e Belinda Ballukut në sallë.

Te tjera

Lajme te tjera