Kryeministri Edi Rama, për disa arsye teknike ajrore nuk mundi të merrte pjesë dje
në samitin për zgjerimin e BE-së të zhvilluar në Bruksel. Për të ‘rikuperuar’ mosprezencën, Rama dha një intervistë live për Euronews teksa komentoi raport-progresin e BE-së për Shqipërinë si dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit në Evropë.
Rama tha se ky vit ka qenë mjaft pozitiv, duke theksuar kohën rekord të çeljes së 5 nga 6 grupkapitujve. I pyetur nga moderatorja se kush është sekreti i të qenurit më i sukseshsëm se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kryeministri tha se ekipi nuk u dorëzua në asnjë moment dhe kur këshilli refuzonte t’i jepte dritën jeshile për hapjen e negociatave. Kur ky moment erdhi, grupi ishte tejet i përgatitur për të vijuar me bisedimet dhe përmbushjen e detyrave të caktuara më pas.
“Raporti është pozitiv dhe i gjithë viti ka qenë tejet pozitiv. Kemi hapur 5 nga 6 grup kapituj brenda pak muajve që është rekord absolut. Është diçka që vetëm deri pak vite më parë nuk mund ta imagjinonim.
Përveç të zakonshmes që lidhet me punë e madhe, do të shtoja dhe shpejtësia lidhet me…nga njëra anë gjatë atyre që unë i quaj vitet te poshtërimit, ato vite kur komisioni i BE rekomandonte këshillin të çelte bisedime dhe ne refuzoheshim nga disa vende, ndërsa ne përgatiteshim për momentin e çeljes dhe u stërvitëm në fort duke i thënë vetes se momenti ynë do të vijë dhe duhet të jemi gati. Kur momenti mbërriti ne ishim më të përparuar se të tjerët.
Ja ku vjen faktori numër 2 që është Brukseli i cili ndryshoi qasjen e tij dhe u zgjua. Për fat të keq u desh një agresion në tokën evropiane për të bërë Brukselin të zgjohej jo vetëm në nivelin e komisionit, por dhe në nivelin e këshillit ku fjalët na thuheshin më përpara, përfundoi. Shpresoj që më së fundmi do të ulemi së bashku rreth të njëjtën tryezë”, tha Rama.
