Nga Rigels Seliman
Pas 11 muajsh nën “arrest shtëpie”, ish-kryeministri Sali Berisha është i lirë. Për ata që e kanë ndjekur gjatë karrierës së tij politike, ky është një kthim që nuk befason askënd. Gjyqtarja e Posaçme, e cila shpesh është shfaqur si një figurë me integritet në ligjin shqiptar, ka vendosur ta heqë masën e “arrestit shtëpiak” dhe ka lënë Berishën të dalë nga izolimi. Ky moment, që në dukje duket si një fitore për kreun e Partisë Demokratike ka ngjallur një lavdërim të papritur të sistemit të drejtësisë nga Berisha, një njeri që në të kaluarën ka sulmuar dhe denigruar pa mëshirë të njëjtët gjyqtarë dhe prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që tani i sheh si heronj të “përsosmërisë”. Ironia, natyrisht, nuk ka munguar.
Berisha, i cili ka shpenzuar vitet e fundit duke i quajtur gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut si pjesë të një sistemi të korruptuar dhe të kontrolluar, tani, pas një periudhe të shkurtër të “lirisë”, i nderon ata dhe flet për një drejtësi të pavarur, të patundshme. Po, sigurisht, ky është një moment ku politika dhe praktika e Berishës bëhen të qarta: kur është në nevojë, ai nuk ka asnjë problem t’i mbajë nën “përshëndetje” ata që dikur i konsideronte armiq. Në këtë lojë të dyfishtë, Berisha është një mjeshtër i adaptimit dhe oportunizmit, gjithmonë në kërkim të mundësive që i ofrohen.
Por, nuk mund të kalojmë pa kujtuar një detaj tjetër shumë të rëndësishëm. Pas gëzimit të lirisë për disa ditë, situata e Berishës nuk është asgjë më shumë sesa një periudhë e shkurtër e “klithjes së një bishe të ngordhur që ka dalë nga izolimi dhe u zgjidh nga zinxhiri”, por që nuk premton asgjë, pasi koha e tij tashmë ka perënduar”. Ky “gëzim” i tij është i përkohshëm, pasi SPAK-u ka apeluar vendimin Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe kërkon rikthimin e tij në “arrest shtëpie”. Ky është një moment që na kujton se liria e Berishës mund të jetë vetëm një periudhë kalimtare në një histori shumë më të gjatë, ku dosjet e tij vazhdojnë të hetohen nga Prokuroria Speciale dhe akuzat e rëndë nuk janë asgjë më shumë se hije që do ta ndjekin gjithmonë.
Çfarë mund të premtojë Sali Berisha në këtë pikë? A është ai një figurë që mund të kthehet në një lider të besueshëm që do të shpëtojë Shqipërinë nga e kaluara e saj e errët dhe qeverisja e Partisë Socialiste? A mund të jetë ai udhëheqësi që do t’i ofrojë vendit një të ardhme më të ndritur? Për fat të keq, përgjigja është e qartë: Jo. Pas kaq shumë dosjeve dhe akuzave që ende janë të hapura, dhe pas gjithë atyre viteve të shpenzuara në pushtet, Sali Berisha nuk ka më asgjë për të ofruar, veçse një përsëritje të historisë së tij të konsumuar. Ai është një njeri që ka humbur çdo mundësi për të kaluar përtej asaj që ka qenë, një lider që përherë do të mbetet i lidhur me të kaluarën e tij të ngarkuar.
Në fund, ky është një mësim i thjeshtë: Berisha mund të jetë i lirë, por kjo liri është e përkohshme. Shpejt ai do të përballet me pasojat e të kaluarës së tij dhe do të përballet me sfidat që i vijnë nga një sistem drejtësie që nuk është më në shërbim të tij. SPAK ka apeluar vendimin, dhe kjo do të thotë se periudha e “lirisë” do të jetë vetëm një episod kalimtar, pasi Sali Berisha do të kthehet shumë shpejt aty ku i takon, prapa grilave të një gjyqi të mundshëm, dhe nën syrin e drejtësisë që një ditë do ta marrë përfundimisht në dorë.