E hënë, 20 Janar, 2025

Rusia nis sulmin ndaj Ukrainës, fëmijë dhe të moshuar në stacionet e metrove, ja pamjet që vijnë nga Kievi

Share

Rreth dy orë më parë Rusia nisi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës. Shumica e njerëzve në Kiev kanë vrapuar në stacionet e nëndheshme të metrove. Të jterë qytetarë kanë vendosur të largohen nga Kievi me makina, duke shkaktuar kaos dhe duke bllokuar autostrada.

Me nisjen e bombardimeve të para në Ukrainë, banorët e Kievit kanë nisur të braktisin qytetin. Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi operacionin ushtarak në Ukrainë në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës, dhe vetëm pak minuta më vonë u lëshuan raketat e para në Ukrainë.

Dëshmitë në rrjetet sociale flasin për një ndjenjë paniku në rritje, me disa që thonë se ata po dërgohen me nxitim në strehimoret e bombave dhe në bodrume. Pamjet televizive kanë treguar njerëz duke u lutur në rrugë, të grumbulluar në grupe.

BBC raporton se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t’i ofrojë armë kujtdo që dëshiron teksa Rusia ka nisur pushtimin e këtij shteti.

Kujtojmë se pak ditë më parë, kanë qarkulluar imazhe të qytetarëve ukrainas që trajnoheshin për t’i bërë ballë luftës.

Ukraina ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Rusinë pas nisjes së pushtimit mëngjesin e sotëm.

Fituesi rus i Çmimit Nobel për Paqe: Putin po luan me armët bërthamore, ndjehem i turpëruar

Një gazetar rus dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe ka thënë se ai dhe kolegët e tij janë “të pikëlluar” për pushtimin e Ukrainës. Dmitry Muratov, i cili redakton gazetën Novaya Gazeta, një nga pak botimet e pavarura të mbetura të Rusisë, thotë: “Ashtu si pikëllimi, ne po përjetojmë edhe turpin”.

Ai akuzon Putinin se “po luan me një buton bërthamor sikur të ishte çelësi i një makine të shtrenjtë” dhe pyet: “Çfarë më pas – një goditje bërthamore?”

“Unë nuk shoh ndonjë interpretim tjetër të fjalëve të Vladimir Putin për “një armë ndëshkimi”.

Muratov fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2022 si mirënjohje për luftën e tij për lirinë e shprehjes në Rusi.

Mediat në Rusi i cilësojnë sulmet e Ukrainës si vetëmbrojtje: Nuk kërcënohen civilët

Shumica e mediave në Rusi janë të kontrolluara nga shteti – gjë që shpjegon se përse kanalet televizive të vendit po e paraqesin pushtimin si një akt vetëmbrojtjeje që synon vetëm nxjerrjen e ushtrisë së Ukrainës.

Shumë kanale kanë cituar një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes duke theksuar se “armë me precizion të lartë” po përdoreshin kundër vendeve ushtarake ukrainase, pa asnjë kërcënim për civilët.

Televizioni zyrtar shtetëror Rossiya 1 filloi një buletin lajmesh duke thënë: “Sot Rusia ka filluar një operacion special ushtarak që synon mbrojtjen e njerëzve që për tetë vitet e fundit janë nënshtruar abuzimit dhe gjenocidit nga regjimi në Kiev”.

Ndërkohë, disa buletine lajmesh kanë paraqitur intervista vox-pop në rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore me vendasit në dukje të gëzuar.

Kanali zyrtar shtetëror i lajmeve Rossiya 24 tregoi dy persona në Donetsk duke folur me një gazetar.

“Është madhështore. Nuk ka fjalë të tjera për ta përshkruar ,” tha një burrë. “Jam vërtet e lumtur. Ne kemi pritur tetë vjet për këtë,” tha një grua për kanalin.

Vijojnë sulmet ruse, Ukraina paralajmëron për bombardime në Kiev, banorët urdhërohen të gjejnë strehim

Një paralajmërim për sulm ajror në Kiev është lëshuar nga qeveria e Ukrainës. Të gjithë banorëve u kërkohet të kërkojnë strehime nëntokësore, ndërsa sirenat e alarmit mund të dëgjohen në të gjithë Kievin.

Te tjera

Lajme te tjera