E enjte, 20 Mars, 2025

Rama shpall ‘Shtetin Bektashi’: Monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet nga shteti!

Share

Kryeministri Edi Rama, në aktivitetin për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, 

Rama deklaroi se Selisë së Kryegjyshatës Botërore do t’i jepet një Status i ngjashëm me atë të Vatikanit. Ai u shpreh se bektashizmi është një monument i gjallë kulture.

Rama tha se rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale mistike tolerance dhe uniteti. Ai e konsideroi bektashizmin jo një sekt fetar, por një monument kulturor që duhet të mbrohet nga shteti.

“Bektashizmi është një monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet medoemos nga shtetit dhe populli shqiptar. Dhe këto mund ti them pa gajlen më të vogël sepse në këtë rast shyqyr zotit nuk jam bektashi dhe nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj diçka në favor të një pale.

Bektashinjtë nuk janë palë, rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale mistike tolerance dhe uniteti që mishërohet një fjalët e poetit tonë kombëtar, nuk mundem në mes tyre por edhe në gjithë njerëzinë bektashinjtë janë vëllezër në shpirt. Ka ndikuar në identitetin kombëtar, mësimin e gjuhës shqipe, jo në mënyrë ekskluzive por krah për krah me Komunitetin Mysliman dhe përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo katolik. Nuk është sekt fetar, por dritë udhëzuese që shkon përtej kufijve të besimit, duke ofruar një mesazh dashurie, dhembshurie dhe largpamësie, bektashizmi ka edhe atdheadashurinë, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se krijimi i Shtetit Bektashi nuk do të përçajë askënd, nuk do të kërcënojë askënd dhe as nuk do të vendosë në diskutim sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë.

“Historia e bektashinjve është thirrja imponuese për ti dhënë selisë së kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, nuk do të vendosë në diskutim sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë se çfarë nuk dëgjon njeri nga shqipet dhe shqipot kur u shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë, që të tjerët se kanë bërë. Jo, Shqipëria është shtet unitar, nuk është shtet federal. Edhe Italia i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla.

Komunitetet e tjera fetare nuk kanë asnjë arsye që të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë, se nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete, por trajtimi i merituar i në komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur të mos e kishin. Ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë.

Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë si shembull i respektit të asaj harmonie aq shumë të bekuar dhe kërkuar sot në mbarë botën që Papa Françesku kur erdhi këtu e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare në mbarë botën”, tha Rama.

Kujtojmë se disa muaj më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi në fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, se Shqipëria ishte e gatshme që të transformonte Urdhrin Botëror Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, të ngjashëm me Vatikanin.

Kjo ide e padëgjuar më parë u paralajmërua më herët nga Rama në një intervistë për New York Times, sipas së cilit qëllimi i këtij mikroshteti ishte promovimi i një Islami tolerat.

Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj e duartrokiti idenë e Ramës dhe tha përmes një deklarate se ‘shteti i ri” nuk kishte të bënte me politikën, por me udhëheqjen shpirtërore.

“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative,” thuhej në deklaratën e shpërndarë për mediat.

Te tjera

Lajme te tjera