E martë, 28 Korrik, 2026

“Jam njishi për numrin e sharjeve!” Rama KËSHILLON të rinjtë e sipërmarrjeve inovative: Mos i lexoni fare komentet, nuk jeni të shitur se merrni fonde

Share

Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje të rinjve përfitues të startup-eve që të mos bien pre e bullizimit online.

Gjatë shpalljes së fituesve të “Grant 2026”, Rama u shpreh se ky është një fenomen shumë i shëmtuar i kohëve të fundit që ka prekur edhe një pjesë të vajzave dhe djemve që kanë përfituar nga programi i startup-ve.

“Bullizimi online i tyre me gjithfarë lloji sharjesh, fyerjesh, akuzash, nga burime që janë të padenja për vëmendjen tuaj. Dhe duke qenë se në këtë fushë, unë jam njëshi për volumin e sharjeve, të akuzave, të shpifjeve, të sajesave, dua të ndaj me ju një eksperiencë shumë të thjeshtë. Mos zbrisni tek komentet. Kaq e thjeshtë është e gjitha! Komentet janë jo përfaqësuese për çfarë ti bën, për si e bën, për kush je dhe jo vetëm në këtë kohë, që është një kohë shumë e ngarkuar për arsye se algoritmi ka kaluar në një fazë histerie, por në çdo kohë”, shtoi Rama.

Kryeministri u shpreh se dikur i përgjigjej komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe vëmendje, por e kuptoi që ishte e gabuar.

“Në vend se minimumi të merrja mbrapsht respektin për faktin që impenjohesha për t’i dhënë përgjigje, vetëm rrisja angazhimin edhe rrisja sasinë e baltës që më kthehej mbrapsht. Kështu që, qysh atëherë jo vetëm që nuk i ktheva më përgjigje, por nuk zbres më nën postim për të parë se çfarë thuhet. Kategorikisht! Po bëtë këtë, do të kuptoni që bota është ajo që ju shihni dhe ajo në të cilën ju jetoni dhe ju jeni ata që ju doni të jeni”, tha Rama.

Sipas tij, impakti psikologjik i bullizimit ka raste që bëhet shumë problem. “Kështu që, injorojeni totalisht. Ju nuk jeni të shitur pse merrni fonde nga programi i startup-eve. Programi i startup-eve është një program, i cili financohet me taksat e të gjithë qytetarëve nga buxheti i shtetit. Juve nuk ju kërkohet absolutisht asgjë tjetër përveçse të zhvilloni idetë tuaja si aplikant fitues. Kështu që nuk keni asnjë arsye që të merrni seriozisht asgjë tjetër përveç realitetit që ju perceptoni dhe ideve dhe punës që ju bëni”, iu drejtua Rama të rinjve.

Te tjera

Lajme te tjera