Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një realitet i prekshëm dhe procesi drejt mbylljes së kapitujve e dëshmon këtë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me të rinjtë në Jalë, teksa tregoi se me 14 korrik, me ftesë të presidenti Francez Emmanuel Macron, do të jetë në Paris për të vijuar më pas në Bruksel.
“Është një proces që ka një kompleksitet të natyrës teknike, politike dhe gjeopolitike. Sot e bëjmë transpozimin në një kohë shumë më të shkurtër dhe me një saktësi 99.5%, ku dora e juristëve ndërhyn vetëm për rregullime të vogla. Ti mund t’i bësh të gjitha dhe t’i kalosh të gjitha aktet në rrugën legjislative, por nuk mjafton. Duhet edhe t’i zbatosh. Ka një proces monitorimi. Mund të bësh edhe zbatimin, por prapë nuk mjafton. Duhet që 27 vendet të bien dakord që ti të hedhësh hapin tjetër. Ajo familje funksionon me konsensus, nuk ka votim me shumicë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal të protesta që po mbahet për më shumë se 40 ditë. Rama tha se janë 2 “lloj” protestuesish. Ata që realisht kanë halle dhe dalin në shesh edhe ana tjetër “armiqësorët”.
“Është e padiskutueshme që çdo protestë mbart një mesazh, cilado qoftë arsyeja apo ata që dalin në protestë. Protesta mbart mesazhe dhe patjetër që detyra ime është t’i kuptoj sa më mirë ato. Po ashtu, detyra ime është të kuptoj edhe më shumë se kaq, të kuptoj organizatorët, çfarë ka më shumë sesa ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve apo të forcave të angazhuara në protestë. Ashtu si algoritmi nuk është organizatori i një proteste, ashtu edhe diçka tjetër që unë e kam vënë në dukje: forcat e përfshira që janë armiqësore apo dashakeqe me Shqipërinë dhe që janë përfshirë fuqishëm, nuk janë as ato organizatorët ose arsyeja themelore pse njerëzit kanë dalë në protestë”, tha Rama.
Rama foli edhe për projektin në Zvernec, që ka qene edhe “shkëndija” e protestës. Sipas tij, ky investim do të synojë turistët elitar që do të ndihmojnë në ekonominë e vendit.
“Ata vijnë në një vend ku, në radhë të parë, do të punësohen njerëzit këtu. Do të merren edhe filipinas, nëse ti nuk do të shkosh të punosh. Sot këtu ku jemi, nuk ka paga më të ulëta se në Greqi. A do të vijnë me bukë me vete? Jo. Do të konsumojnë produktet që prodhohen këtu. Ai resort është një fabrikë përpunimi për produktet e zonës dhe më gjerë”, tha Rama.
Kryeministri madje theksoi se edhe pse protesta nisi me Zvërnecin, sot është harruar. Kjo sipas kreut të qeverisë ka ndodhur pasi realiteti ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit.
