E shtunë, 15 Gusht, 2026

Qeveria e Kosovës mbyll televizionin “Klan Kosova”, ja si Baton Haxhiu ua “besoi” median familjes së afërt me Millosheviçin dhe diktatorin bjellorus Lukashenko, zbardhet dokumenti

Share

Rigels Seliman

Me urdhër të qeverisë së Kosovës është pezulluar ditën e djeshme certifikata e biznesit të televizionit Klan Kosova, me pretendimin se është shënuar adresa gabim, që është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit. Në dokumentin e lëshuar theksohet se në certifikatën e biznesit është regjistruar Pejë-Serbia dhe Gjakovë-Serbia, duke shkelur në këtë mënyrë Kushtetutën e vendit. Por çfarë qëndron pas këtij vendimi? Pronarët e televizionit Klan Kosova janë vëllezërit Devolli, miqtë e ngushtë të kryeministrit Rama. Ata kanë hyrë masivisht në tregun mediatik të Shqipërisë, përveçse të Kosovës. Për të hyrë në tregun e Shqipërisë u duhej një ndërmjetës që t’i i lidhte me njeriun më të pushtetshëm të vendit, Ramën. Vëllezërit Devolli ia blenë Aleksandër Frangajt televizionin Klan Kosova, por duke ruajtur të njëjtin drejtues, Baton Haxhiun. Nëse përmendet emri i Baton Haxhiut, pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri e dinë se bëhet fjalë për një gazetar shqiptar nga Kosova i cili ka marrëdhënie të posaçme me kreun e qeverisë shqiptare, duke u bërë shpesh paraprakisht zëdhënës i tij në media. Ditët e fundit, si vëllezërit Devolli dhe Baton Haxhiu kanë ndjekur një linjë të fortë pro-serbe dhe kundër Albin Kurtit në situatën në Veri të Kosovës. Madje Beogradi e cilësoi analistin si “agjentin” e tyre në Tiranë.

Ja çfarë shkruhet në dokumentin që bllokoi Klan Kosovën

Duke u bazuar në datën 14 Qershor është iniciuar kallëzimi penal në departamentin për krime të rënda në kuadër të policisë së Kosovës me pretendimin se në certifikatat e biznesit tek ndërtimi i pronarëve figuron vendbanimi Pejë-Serbia dhe Gjakovë-Serbia, meqë nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumentacioni vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë, në bazë të nenit 85 të Ligjit nr. 05/L-031 të Procedurës së Përgjithshme Administrative u vendos si në dispozitiv të këtij vendimit.

Investigimi që fundosi televizionin

Ishte investigimi i “KosovaNews” lidhur me pronësinë e televizionit kombëtar Klan Kosova që zbuloi lidhjet e errëta të kësaj medieje. “KosovaNews” zbuloi se për 5 vite me radhë “Kumbari” Baton Haxhiu me manovrimet e tij pronësinë e Klan Kosovës ua “beson” njerëzve të “Braça Kariç” familjes së afërt me Sllobodan Millosheviçin dhe diktatorin bjellorus Lukashenko. Pra, që nga viti 2015 e deri më 2020 aksionet e Klan Kosovës  ndodheshin në “Parajsën në det të hapur” vendit ideal për pastrimin e parave të politikanëve të korruptuar e oligarkëve botërorë dhe sidomos oligarkëve rusë. Sipas Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ)  studiuesit analizuan të dhënat nga Baza e të dhënave të rrjedhjeve në det të hapur të, e cila përmban informacione për më shumë se 810,000 subjekte në det të hapur. ICIJ mori të dhënat përmes pesë rrjedhjeve masive: Pandora Papers  Paradise Papers, Bahamas Leaks, Panama Papers dhe emri i bazës së të dhënave, Offshore Leaks. Të dhënat lidhen me njerëz dhe kompani në më shumë se 200 vende të botës të cilat  tregojnë se këto kompani kishin deponuar para prej dhjetëra miliarda dollarësh. Gjithashtu, avokati Marinos Stylianides ishte  sekretar i kompanisë dhe mbajtës i aksioneve të kompanisë “Seine Group LTD” kompani që e kishte në pronësi Klan Kosova “Sh.P.K”. Nga viti 2015-2020 Marinos Stylianides  figuron edhe tek një skandal i fshehjes së pasurisë nga e bija e diktatorit Bjellorus dhe aleatit të Putinit, Aleksander Lukashenko dhe familjes Kariç, me origjinë nga Peja. Familja Kariç ishte e afërt me kasapin e Ballkanit Sllobodan  Millisheviç. Bogolub Kariç perandorinë e tij biznesore e ngriti gjatë kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviçit duke ngritur biznese të fuqishme si ato të telefonisë mobile (Mobtel), banka dhe kompani ndërtimore, ai u arratis nga Serbia dhe për 10 vite me radhë gjeti strehë në Bjellorusi tek miku i tij diktatori Llukashenko. Pas plasjes së skandalit Panama Paper në vitin 2016  Bashkimi Europian kompanitë që i menaxhonte avokati grek u ka vënë sanksione. I gjithë ky skandal kishte ndodhur kur drejtor dhe përfaqësues i autorizuar i Klan Kosovës ishte Baton Haxhiu”, thuhet në investigimin e “KosovaNews”.

Reagon “Klan Kosova”

Televizioni Klan Kosova është alarmuar nga ky lajm. Sipas televizionit, Klan Kosova është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim dje rreth orës 18:00 dhe nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria. “Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime. Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë. Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në reagim.

Te tjera

Lajme te tjera