E hënë, 19 Janar, 2026

Putini zhvendos trupat në oborrin e shtëpisë së Trumpit

Share

Forcat ushtarake klandestine amerikane nuk janë të vetmet trupa ushtarake të huaja që veprojnë në Venezuelë. Rusia ka dërguar në heshtje këshilltarët e saj ushtarakë në vend, ka ndërmarrë hapa për të përforcuar mbrojtjen ajrore të Venezuelës dhe ka sinjalizuar gatishmëri për të thelluar bashkëpunimin ushtarak.

Ndërsa Donald Trump ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta në tokën venezueliane dhe vetëm pak ditë më parë miratoi sekuestrimin nga trupat amerikane të një cisterne nafte që po largohej nga Venezuela, Vladimir Putin ka premtuar mbështetjen e tij për Nicolas Maduron.

Në një telefonatë me Maduron të enjten, pasi u kap cisterna, presidenti rus “shprehu solidaritet me popullin venezuelian”. Putin gjithashtu “konfirmoi mbështetjen e tij për politikën e qeverisë Maduro që synon mbrojtjen e interesave kombëtare dhe sovranitetit përballë presionit të jashtëm në rritje”. Maduro ka vizituar Moskën, më pare këtë vit, dhe mori pjesë në një paradë ushtarake dhe nënshkroi një marrëveshje partneriteti me Putinin.

Lidhjet e ngushta ushtarake midis dy vendeve janë të qarta me ushtarët rusë që shfaqen në paradat venezueliane dhe ushtrinë venezueliane që qarkullon postera të burrave të saj të armatosur me armë ruse. Por forca që Rusia ka dërguar në terren është shumë e vogël për të qenë kuptimplotë në një konflikt. Cili është, pra, qëllimi përfundimtar i Rusisë?

Bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Venezuelën u pjekë në një partneritet strategjik gjatë viteve Chávez-Putin, kur Karakasi u bë një nga klientët më të mëdhenj të armëve të Moskës. Ushtria e Venezuelës është ndërtuar pothuajse tërësisht mbi pajisje të vjetra ruse që datojnë që nga epoka sovjetike, ajo përfshin avionë luftarakë rusë, tanke, sisteme raketash dhe automjete të blinduara.

Në qendër janë sistemet e mbrojtjes ajrore të prodhuara në Rusi. Këto variojnë nga bateritë e raketave S-300 me rreze të gjatë veprimi deri te sistemet Buk dhe Pechora me rreze të mesme veprimi dhe lëshuesit portativë Igla. Pajisjet e vendit përfshijnë gjithashtu avionë luftarakë Su-30 që Venezuela kohët e fundit shfaqi duke mbajtur raketa anti-anije. Disa F-16 të vjetër amerikanë nga periudha para Chávez ende fluturojnë, por ato nuk janë më një pjesë e rëndësishme e forcës. Në total, forcat e armatosura të Venezuelës numërojnë pak më shumë se 120,000 persona. “Është vlerësuar se regjimi ka investuar të paktën 12 miliardë dollarë në armë dhe pajisje ushtarake nga Rusia”, thotë David Smolansky, një këshilltar i lartë për sigurinë dhe punët e jashtme i Maria Corina Machado, udhëheqëses së opozitës së Venezuelës.

Ndërsa Putini mund të dëshirojë të projektojë pushtet, lufta e Rusisë në Ukrainë ka zvogëluar aftësinë e Kremlinit për të ndërhyrë në mënyrë kuptimplote në Venezuelë. “Para se Putini të ndihmojë dikë, ai ka nevojë për paqe me Ukrainën. Nuk është e qartë se çfarë mendon se mund të bëjë ushtarakisht, ndoshta pak sabotim të grupit Wagner, por është mjaft i vogël”, tha Vanessa Neumann, një diplomate venesuelano-amerikane.

Kufijtë e pushtetit rus nuk duhet të jenë mister për Maduron. Vetëm vitin e kaluar në Siri, një vend ku Kremlini kaloi vite duke mbështetur Bashar al-Asadin ushtarakisht, diplomatikisht dhe në terren, Moska nuk u gjet gjëkundi kur forcat rebele më në fund u afruan. Asadi iku në Moskë, qeveria e tij u shemb dhe ai iu bashkua listës në rritje të udhëheqësve të fortë të mbështetur nga Rusia që tani po dridhen në mërgim pasi ia mbathën nga klimat shumë më të ngrohta.

Ndërsa bombarduesit dhe anijet luftarake amerikane B-52 rrethojnë brigjet e Venezuelës, Uashingtoni këmbëngul se qëllimi i tij është të shkatërrojë rrugët e drogës, jo regjimin. Drogat janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për Maduron dhe rrethin e tij. Grupet e opozitës pretendojnë se regjimi fitoi më shumë se 8 miliardë dollarë nga trafikimi i drogës vitin e kaluar. Por ushtria e grumbulluar amerikane duket e gatshme për një pushtim, duke errësuar dallimin midis shkatërrimit të rrugëve të drogës dhe rrëzimit të regjimit. “Rezultati më i keq i mundshëm është të grumbullohet kjo forcë, pastaj t’i shkrihet në një farë mënyre dhe të mos ketë arritur asgjë në terren”, paralajmëron Douglas Farah, president i firmës së konsulencës për sigurinë kombëtare, IBI Consultants dhe vëzhgues i Amerikës Latine prej kohësh.  

Nuk është hera e parë që administrata Trump është përqendruar te Venezuela. Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara i dhanë mbështetje udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, duke e njohur atë si president të përkohshëm. Për një kohë, Guaido mobilizoi protesta masive dhe gëzoi njohje të gjerë diplomatike. Por ushtria nuk lëvizi kurrë, shpejt opozita u përça dhe vrulli u zbeh. Kur administrata Biden mori detyrën, i kushtoi pak vëmendje Karakasit dhe qeveria e përkohshme u shua ngadalë, duke i lejuar Maduros të shpallte fitoren.

Këtë herë, fushata amerikane ngre të njëjtën pyetje. Cili është qëllimi?

“Mund të nxirrni nga uji të gjitha varkat e vogla që dëshironi dhe kjo nuk do të bëjë ndonjë ndryshim strategjik”, thotë Farah. Uashingtoni është pozicionuar midis zgjedhjeve pa u angazhuar plotësisht për asnjërën prej tyre. Një ndërhyrje në shkallë të plotë është jorealiste, sulmet e kufizuara rrezikojnë të duken simbolike dhe presioni financiar mbetet vetëm i pjesshëm. Rezultati, thotë Farah, është ni quita ni limonada – as peshk as shpendë. “Nëse strategjia mbetet e papërcaktuar dhe presioni zbehet, atëherë regjimi fiton. Dhe ky është një opsion i keq. Maduro do të thotë se i mundi Shtetet e Bashkuara.”

Kjo është pikërisht ajo që shpreson Moska. Rusia nuk mund ta shpëtojë Maduron ushtarakisht, por mund të mos jetë e detyruar ta bëjë. Nëse fushata amerikane shuhet pa një rezultat, Kremlini mund të shënojë një fitore dhe të pretendojë, edhe një herë, se edhe një Rusi e lodhur nga lufta mund të presë më gjatë se vëmendja amerikane. /Përshtatur nga The Spectator/

Te tjera

Lajme te tjera