Nëse macja juaj ju shikon dhe pulit sytë ngadalë, mos u çudisni — sipas studiuesve të sjelljes së maceve, kjo është një shenjë dashurie.
Ky gjest njihet shpesh si “puthja e maces” dhe përdoret nga macet për të treguar besim dhe afeksion ndaj njerëzve ose maceve të tjera.
Sytë e maceve janë një mënyrë shumë e rëndësishme komunikimi.
Mënyra se si ato i hapin ose i mbyllin qepallat mund të tregojë shumë për emocionet e tyre.
Me pak vëmendje, edhe njerëzit mund të mësojnë t’i kuptojnë këto sinjale.
Një shikim i gjatë dhe pa u pulitur mes maceve zakonisht konsiderohet kërcënues.
Një mace dominante mund ta përdorë këtë shikim për të frikësuar një mace tjetër dhe për të mbrojtur territorin e saj.
Për shembull, një mace mund të “ruajë” hyrjen drejt kutisë së rërës vetëm duke e parë vazhdimisht një mace tjetër, duke e detyruar atë të largohet.
Për këtë arsye, nëse përpiqeni të afroheni me një mace të panjohur, është gabim ta shikoni drejt e në sy për një kohë të gjatë.
Kjo mund ta trembë macen ose ta bëjë agresive, duke e bërë të vështirë krijimin e një marrëdhënieje miqësore.
Macet përdorin gjithashtu sytë për të treguar ose për të fshehur emocionet e tyre.
Kur i kanë sytë gjysmë të mbyllur, kjo mund të tregojë emocione të forta si frikë ose agresivitet.
Ky pozicion i syve gjithashtu i ndihmon të mbroohen nga ndonjë sulm i mundshëm.
Nga ana tjetër, kur macet i kanë sytë plotësisht të hapura, kjo zakonisht tregon miqësi, kuriozitet ose dëshirë për të luajtur.
Ky lloj komunikimi shihet shpesh tek kotelet e maceve, të cilat ende nuk e kanë mësuar plotësisht “hierarkinë” e botës së maceve.
Një nga mënyrat më paqësore të komunikimit mes maceve është mbyllja e ngadaltë e syve.
Kur një mace e bën këtë ndaj një maceje tjetër ose ndaj njeriut që i beson, ajo po sinjalizon se nuk ka qëllime armiqësore.
Në thelb, është një mënyrë për të thënë: “Jam e qetë dhe të besoj.”
Ky fenomen është studiuar edhe nga specialistja e sjelljes së maceve Anita Frazier – autore e librit “The Natural Cat”, e cila e identifikoi këtë gjest si një sinjal të rëndësishëm paqeje mes maceve.
Nëse macja juaj ju shikon dhe pulit sytë ngadalë, mund të provoni të bëni të njëjtën gjë.
Shumë pronarë maceje thonë se macet shpesh e “kthejnë” këtë gjest — një mënyrë e vogël, por shumë e veçantë për të ndarë dashuri me mikun tuaj me gëzof.
