Glauk Konjufca është kandidati zyrtar për President i Propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Partia e Albin Kurtit njoftoi publikisht pas disa takimesh me partitë politike se do të propozojë Minsitrin aktual të Jashtëm për të zëvëndësuar Vjosa Osmanin.
Vetëvendosje në një njoftim thotë se partitë e opozitës nuk propozuan asnjë emër gjatë takimeve të ditëve të fundit dhe me dështimin për të arritur një marrëveshje, VV propozoi emrin e Konjufcës për President.
Partia qeverisëse në Kosovë, thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të askujt, ndërsa nuk përmend në asnjë moment Vjosa Osmanin e cila kërkoi mbështetjen për një mandat të dytë.
Sot në orën 19:00 do të mbahej seanca e posacme për votimin për Presidentin, pasi nesër skadon afati për kryerjen e procedurave, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu deklaroi se nuk mund të thërriste seancë parlamentare pa pasur 2 kandidatë për President. Pra duhet edhe një kandidat i propozuar nga partitë opozitare, të cilave Kurti u ka bërë thirrje që të dalin me një emër.
Seanca për presidentin përcakton që të ketë të pranishëm të paktën 80 deputetë ndërsa votimi për kandidatin mund të zhvillohet në 3 raunde. Në dy raundet e para kushtetuta përcakton se kandidati votëbesohet me 80 vota ndërsa në raundin e 3-të ai mund të miratohet më një shuymicë prej 61 votash.
Vetëvendosje ka 57 deputetë në parlament dhe së bashku me pakicat joserbe në parlament, me të cilat miratoi qeverinë e re, mund të arrijë deri në 66 vota. Të mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri.
Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:
Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës. Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.
Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit.
Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar.
Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.
Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.
Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar.
Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara.
