E hënë, 20 Janar, 2025

Presidenti I jep dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ish-futbollistit të madh Robert Jashari

Share

Presidenti Ilir Meta, dekoroi së fundmi ish-lojtarin e Partizanit dhe të Kombëtares, të madhin e brezit legjendar të futbollit shqiptar, Robert Jasharin, i cili është ndarë nga jeta në janar të këtij viti. Institucioni i Presidencës, i ka akorduar (pas vdekjes) të madhit Bert Jashari, dekoratën më të lartë, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, gjë që tregon jo vetëm personalitetin e madh të ikonës së futbollit shqiptar, kontributin e tij në fushë, por edhe për vlerat e spikatura njerëzore dhe kontributin shoqëror në përgjithësi. “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje, për kontributin e madh në futbollin shqiptar, si lojtar i spikatur i ekipit “Partizani” dhe Ekipit Kombëtar, me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.

I përsosur në fushën e futbollit dhe i rrallë në lojën e tij”, shkruhet në motivacionin e dhënies së dekoratës. Në këtë vlerësim, shihet qartë dekorimi i një prej emrave më të mëdhenj që ka nxjerrë futbolli ynë. Robert Jashari ka lindur më 10.05.1937 dhe në rininë e tij arriti rezultate shumë të larta në lojën e futbollit, i një brezi me legjendat e topkëmbës, i shquar veҫanërisht për virtuozitetin e lojës së tij, një lojë që Jashari e ktheu në art, duke lënë gjurmë brenda e jashtë vendit me Partizanin dhe Kombëtaren.

I madhi Bert Jashari, profilizohet si futbollisti i parë që shënoi gol për Shqipërinë në eliminatoret e një Kampionati Botëror (ndaj Irlandës). Tri herë është shpallur golashënuesi më i mirë me fanellën e Partizanit. Dekorata e lartë që iu dha pas vdekjes, shënon vlerësimin më të lartë të dhënë deri më sot për një futbollist. Dekorimi i tij nga Presidenti i Republikës, pas vdekjes, bën krenarë familjarët e tij, por i bën nder të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, pasi Robert Jashari e ka shkruar emrin e tij me germa të arta në historinë e kësaj loje në Shqipëri.

Te tjera

Lajme te tjera