Nga Rigels Seliman
Ishte një ditë e ftohtë dhe e zymtë janari, me një shi që dukej sikur donte të shpëlante mëkatet e një kombi të mbërthyer nga padrejtësia. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë më 21 janar 2011, qytetarë të thjeshtë, të lodhur nga varfëria, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit, u ngritën për të kërkuar dinjitetin e tyre të mohuar. Por atë ditë, në vend të drejtësisë, ata morën plumba. Katër jetë të pafajshme u shuan tragjikisht nga armët e Gardës së Republikës, ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur. Njollat e gjakut në bulevard janë zhdukur prej kohësh nga shirat, por plagët në zemrat e shqiptarëve vazhdojnë të kullojnë gjak.
Sot mbushen 14 vite nga ajo ditë tragjike, dhe prapë drejtësia mbetet një fjalë boshe. Asnjë nga përgjegjësit e asaj masakre nuk ka marrë dënimin e merituar. As Garda e Republikës, as urdhëruesit politikë nuk kanë dalë përpara një drejtësie të vërtetë. Në vend të kësaj, ata që duhej të përgjigjeshin kanë gjetur strehë në politikat e pandëshkueshmërisë dhe heshtjes, duke i shtuar krimit një tjetër plagë, mungesën e përgjegjësisë.
Partia Socialiste, atëherë në opozitë, premtoi solemnisht para popullit dhe para familjeve të viktimave se do ta zbardhte këtë masakër sapo të merrte pushtetin. Ata premtuan drejtësi dhe dënimin e atyre që e shndërruan bulevardin e kryeqytetit në një arenë dhune. Sot, pas më shumë se një dekade në pushtet, ky premtim ka mbetur një fjalë e zbrazët. Drejtësia është përdorur si një vegël politike, jo si një mjet për të shëruar plagët e kombit.
Por kjo nuk është vetëm një çështje e së kaluarës. Plagët e “21 janarit” janë një kujtesë e dhimbshme se kur drejtësia mungon, dhuna dhe padrejtësia fitojnë terren. Shqipëria, që aspirohet të bëhet një vend me institucione të forta dhe europiane, mbetet një vend ku vlerat e drejtësisë dhe transparencës shpesh shkelen nga interesat e një elite të korruptuar. Katër viktimat e “21 janarit”, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, nuk janë vetëm emra të skalitur në memorialin e një bulevardi. Ata janë simbol i rezistencës dhe i luftës për një Shqipëri më të drejtë.
Çdo vit që kalon pa zbardhjen e së vërtetës për masakrën e “21 janarit” është një vit që shton barrën e fajit kolektiv të shoqërisë sonë. Drejtësia e munguar për atë masakër nuk është thjesht një dështim politik apo ligjor, është një dështim moral, një humbje për çdo qytetar që shpreson për një të ardhme më të ndritur. Sa kohë që autorët dhe urdhëruesit e vrasjeve shëtisin të lirë, hija e “21 janarit” do të qëndrojë mbi politikën dhe ndërgjegjen e këtij vendi.
Sot, 14 vite më pas, shi dhe ftohtësi ka sërish. Por ky shi nuk do të mund të lajë plagët e hapura. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Dhe shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë atë që ndodhi atë ditë, sepse harresa është aleatja më e madhe e padrejtësisë. Bulevardi mund të ketë marrë një pamje tjetër, por në zemrat e shqiptarëve të ndershëm, ai do të mbetet gjithmonë një vend, ku u derdh gjak për liri, dinjitet dhe të drejtën për të protestuar.
Plagët e “21 janarit” nuk do të shërohen derisa drejtësia të vijë. Jo vetëm për katër viktimat dhe familjet e tyre, por për të gjithë ata që ende besojnë se e drejta mund të triumfojë mbi të keqen. Sepse pa drejtësi, një komb mbetet i gjymtuar, një shoqëri mbetet e gjunjëzuar, dhe një e ardhme e drejtë bëhet thjesht një iluzion.