Kosova shpalli ditë zie shtetërore datën 25 shtator. 1 polic kosovar ndërroi jetë dhe 2 të tjerë u plagosën pas shkëmbimit të armëve në Banjskë në veri Kosovës, mes policisë dhe grupit të personave të armatosur serbë. U raportua se efektivët u sulmuan nga mbi 30 persona të armatosur në drejtime të ndryshme, të kamufluar me rroba ushtarake dhe të maskuar. Nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të vrarë tre nga agresorët serbë dhe janë ndaluar 6 persona të tjerë, ndërsa janë plagosur 2 prej tyre. Gjithçka, nisi në orën 02:34 në Mitrovicë, ku Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare ka parë se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë ishin vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa, duke bllokuar rrugën. Rreshter Afrim Bunjaku mbeti i vrarë nga ky sulm. U plagosën tre policët e tjerë, më i lënduar mbeti efektivi, Alban Rashiti, i cili pas ndërhyrjes kirurgjikale, është jashtë rrezikut për jetën. Burimi i sulmeve me armë zjarri ishte manastiri në Banjska të Zveçanit, por policia e Kosovës kohë pas kohe u sulmua me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë. Sulmi ka ardhur nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme. Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth. Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për mediat mesditën e djeshme tha se grupi i armatosur ka ardhur të luftojë. Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç është distancuar nga ngjarja. Edhe pse pranoi se të vrarët dhe të arrestuarit janë serbë, Vuçiç deklaroi se Beogradi nuk ka lidhje. Në fund ai sulmoi KFOR.
Kronologjia
Lajmi për vdekjen e efektivit u bë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale. Kurti shkruante se krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin e tyre. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani reagoi menjëherë pas Kurti për vrasjen e policit në fshatin Banjska të Leposaviçit në orët e para të mëngjesit të së dielës. Gjithashtu Osmani cilësoi si autorët të ngjarjes bandat kriminale serbe. Pas disa orësh tensioni, pikëkalimi kufitar në Bërnjak të Kosovës në hyrje dhe dajle është mbyllur. Kjo masë u mor nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pas sulmit me armë nga serbët në veri të Kosovës. Reagime të shumta kanë ardhur nga SHBA, BE, ambasadorë të huaj dhe politikanë të Shqipërisë të cilët dënojnë sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe bëjnë thirrje që autorët të vihen sa më parë para drejtësisë.
Detajet zyrtare nga Ministria e Brendshme e Kosovës
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla zbuloi dje detaje për situatën e rëndë në veri të Kosovës. Sveçla tha se janë vrarë 3 kriminelë serbë, janë arrestuar 6, ndërsa janë plagosur 2 prej tyre. Ndërkohë, Sveçla u shpreh se janë nxjerrë 30 serbët e ngujuar nga Manastiri, ndërsa thotë se ishin jashtëzakonisht të armatosur. “I shpreh ngushëllimet më të sinqerta e të thella, familjes, shokëve dhe kolegëve të Afrimit dhe qytetarëve të Kosovës. Pas kësaj, përgjigja e policisë së Kosovës ishte e menjëhershme dhe profesionale, për një kohë të shkurtër vendosën të gjithë territorin në kontroll. Me këtë rast, ne kemi 6 të arrestuar 2 nga ata të plagosur. Si dhe 3 së paku, sulmues të vrarë. Policia e Kosovës zbuloi një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada. Mund të themi, se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Përgatitjet ishin që në mënyrë masive të sulmonin policinë e Kosovës, institucionet në Kosovës dhe të cenojnë sovranitetin e vendit. Ata dështuan falë sakrificës dhe profesionalizmit të Kosovës. Ata i bënë sot nder jo vetëm kujtimit të Afrim Bunjakut por gjithë Kosovës. Ky është grup terrorist”, tha Sveçla.
Albin Kurti zbulon detajet e forta
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur dje rreth sulmeve në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se nga ato që ka mësuar deri tani, bëhet fjalë për një strukturë mercenarë e cila është përhapur politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar. “Urojmë që ky të jetë i fundit në këtë rrugën e vështirë për ligj e për drejtësi”, ka thënë Kurti. Ai është pyetur edhe për numrin e të arrestuarve, por ai ka thënë se është Policia e Kosovës ajo që informon për të dhënat nga terreni. “Kemi të plagosur dhe 3 të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Procesi në vijim do të na japë të dhëna se kush saktësisht janë këta dhe kush janë urdhërdhënësit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e Kosovës. Nga ato që kemi mësuar deri më tani që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal i cili ka planifikuar gjatë këtë që kanë kryer sot… Bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është përkrahur, politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti. Gjithashtu Kurti, së bashku me Drejtorin e Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, kanë shkuar për ngushëllime te shtëpia e policit të vrarë, nga grupi i organizuar kriminal në veri të vendit.
Reagimi i Vu֛çiç
Vuçiç deklaroi se Beogradi nuk ka lidhje me ngjarjen dhe në fund sulmoi KFOR-in. “Aty duhej të ndërhynte KFOR. Por KFOR i ka dhënë Kurtit kartën të vrasë sa më shumë njerëz. Në bazë të vlerësimeve tona 3 serbë janë vrarë. Dy janë vrarë me snajper, ku nuk ka qenë e nevojshme të likujdohen. 2 janë plagosur dhe ka të dhëna se mund të ketë një viktimë të katërt. Një person i plagosur është në pikëpyetje nëse do mbijetojë sepse nuk i kanë dhënë ndihmë dhe kemi incizim ku policia dëgjohet duke thënë: “Lëreni të vdesë””, ka thënë ai. Më tej ai sulmoi Albin Kurtin, duke deklaruar se e gjitha që po ndodh në veri të Kovës është për shkak të tij. “Njerëzit tanë nuk kanë dashur të durojnë terrorin e Kurtit nga 3 nëntori kur Kurti e ka zëvendësuar komandantin e policisë. Ata kanë përdorur 62 herë policinë kundër serbëve. Ka pasur 56 sulme të motivuara politike. Në asnjë mënyrë nuk dua të justifikoj vrasjen e policit. Kjo është për tu gjykuar dhe askush nuk ka pasur nevojë për këtë dhe aq më pak publiku serb se të gjithë e kanë pranuar se Kurti është autori i kosit në Veri. Serbia nuk ka lidhje me ta dhe më vjen turp të flas. Autoblindi nuk është i xhandarmërisë, por është përdorur nga ne në vitet 1998-1999. Uniformat nuk janë të policisë dhe ushtrisë serbe. Uniformat mund të blihen kudo”, tha Vuçiç. Po ashtu presidenti serb sulmoi dhe SHBA. Më tej ai u shpreh se nuk ka pasur lidhje as grupi mercenar Wagner, teksa më pas sulmoi dhe SHBA. Ai u shpreh se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe sikur t’i vrasin. “Dyfytyrësia është emri i tyre i mesëm. Gjatë gjithë kësaj kohe kanë kërkuar të fajësojnë Serbinë për të njohur Kosovën. Kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur, mund të na vrisni të gjithëve, kurrë Serbia nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Një krijesë që e krijuat duke bombarduar Serbinë. Për të biseduar, do të bisedojmë. Por njohja e Kosovës të harrohet”, tha ai.
