Shteti simbol i botës, i lirisë dhe i demokracisë, Amerika, shënoi dje festën më të madhe kombëtare, 247-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në Shqipëri për festën e Pavarësisë së Amerikës, ndodhet edhe presidentit 42-të i SHBA-së Bill Clinton i cili u mirëprit dje nga kryeministri Edi Rama me ceremoni shtetërore si dhe u nderua me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” për ti thënë faleminderit për atë që ka bërë për shqiptarët dhe Kosovën. Kryeministri Rama zgjodhi momente nga vizita e ish Presidentit të SHBA Bill Clinton në Tiranë në prag të 4 korrikut, për t’i uruar Pavarësinë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Gëzuar 4 korrikun Amerikë. Zoti ju bekoftë”, shkroi dje Rama në rrjetet sociale. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi dje se Parimet e Deklaratës së Pavarësisë u bënë filozofia politike e zhvillimit dhe demokratizimit të kombeve të qytetëruara. “Nuk ka një rast tjetër, kur pavarësia e një vendi të ketë ushtruar në historinë botërore atë ndikim e fuqi ndryshimi të Deklaratës dhe shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësia e ShBA i dha jetë shtetit më të madh demokratik të botës dhe jetërsimit në parimet kushtetuese të të drejtave të patjetërsueshme të individëve: Jetës, Lirisë dhe kërkimit të Lumturisë”, shkroi Nikolla në rrjetet sociale. Po ashtu, edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar dje Ditën e Pavarësisë së Amerikës. Nëpërmjet një fotoje të publikuar në ‘Facebook’, Basha falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i ka dhënë vendit. “Gëzuar 4 korrikun. Zoti e Bekoftë miqësinë mes dy kombeve tona!”, shkroi Basha. Ndërkohë edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar dje Pavarësinë e Amerikës, teksa e konsideroi një “shembull dhe burim frymëzimi për kombet që aspirojnë demokraci”. “Aty ku strehohet liria, atje gjendet vendi im”.- Benjamin Franklin SHBA kanë qenë dhe mbeten shembull dhe burim frymëzimi për të gjithë njerëzit dhe kombet që aspirojnë për demokraci të vërtetë, për liritë dhe dinjitetin njerëzor. Gëzuar Festën e Pavarësisë SHBA, popullit amerikan dhe të gjithë shqiptaro – amerikanëve, të cilët kanë kontribuar pa reshtur për forcimin e miqësisë afatgjatë dhe të marrëdhënieve tona strategjike!”, shkroi Meta në rrjetet sociale.
Share
Te tjera
