Një vit pas arrestimit me urdhër të SPAK, GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë.
Ndonëse avokatët e të pandehurve të tjerë bojkotuan seancën, pasi pretendojnë për shkelje të rënda të procesit ligjor gjatë seancave paraprake, në sallën e gjyqit ishte avokatja e caktuar kryesisht për Veliajn, Valentina Teodoresku.
“Për shkak të shkeljeve të rënda të procesit të rregullt ligjor gjatë seancave paraprake, avokatët e çështjes ku po gjykohen kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të pandehur të tjerë, kane bojkotuar seancën e sotme ku merret vendimi për të kaluar gjykimin në themel ose jo”, thuhet në reagimin e avokatëve të ndarë për mediat.
Dosja Veliaj kalon për gjykim, ndërsa vetë kryebashkiaku në të gjitha seancat ka pretenduar se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi ende nuk është njohur me dosjen hetimore. Një debat i tillë u zhvillua edhe në seancën e 2 shkurtit mes tij dhe gjyqtares Etleva Deda, pasi kryebashkiaku kërkoi shtyrjen e seancës, por gjyqtarja e cilësoi si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Veliaj u largua nga salla dhe kërkoi përjashtimin e saj, kërkesë që u rrëzua më pas.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
EMRAT E PERSONAVE QË KALOJNË PËR GJYKIM
Erion Veliaj
Klotilda Bushka
Fatjon Baci
SHOQËRITË QË KALOJNË PËR GJYKIM
“Rametal” shpk,
“Agi Kons” shpk
“Kontakt” shpk
“Palushi” shpk
“Fusha” shpk
“Gerard-A”
“Lani” shpk
OJF “Eventus”
OJF “Muza”
OJF “BYL-A”
OJF “Frobolous”
OJF “Harabel”
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
