Pavarësisht sulmeve, akuzave dhe ofendimeve, politika e mbylli në “paqe” vitin 2022. Meta, Rama e Berisha janë tërhequr nga daljet publike, por duket se viti 2023 nuk do jetë aspak i qetë për të tre.
Rama me shumë mundësi do vuajë pasojat e ministrave të tij, ndërsa Meta e Berisha kanë telashet e tyre. SPAK pritet të mbyllë hetimet për disa dosje me rëndësi dhe në rrjetë mund të bien disa bashkëpunëtorë të kryeministrit, i cili nuk i ka lëshuar deri tani.
Sa i takon Metës e Berishës, për ta telashet janë nga të gjitha anët. Nëse nisim me ish-presidentin, problemi i parë do të jetë dosja e Sigurimit. Meta dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 2023 do të zbulohet dosja e tij, ku do të bëhet e ditur një herë e mirë se kush është spiuni I.M. Në tetor u miratua ligji për dosjet e Sigurimit dhe pas dekretimit të Bajram Begajt, në dhjetor ai ka hyrë në fuqi. Pritet që në janar të nisë zbatimi dhe të dalin në dritë spiunllëqet e Metës.
Telash tjetër i ish-presidentit janë dosjet që ka në SPAK. Prokurorët kanë nisur procedim penal ndaj tij për fshehjen e shpenzimeve për lobime në SHBA, për fshehje pasurie, për shpërdorim detyre, për korrupsion dhe për mosdeklarim të shpenzimeve për ndërhyrje estetike, bashkë me Monika Kryemadhin. Këtë vit Meta qëndroi larg dyerve të SPAK, por gjatë 2023-shit pritet që të merret dhe në pyetje.
Sa i takon Berishës, vështirësitë e parë e tij do të jetë data 17 janar. Në këtë datë do të mbahet gjyqi i radhës për vulën e PD. Në seancën e kaluar, grupi i Alibeajt kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja. Më 17 janar do mbahet seanca dhe do vendoset nëse do bëhet apo jo zëvendësimi i saj. Mirëpo problemi është se sa më shumë zvarritet gjyqi, aq më shumë shtohen telashet për Berishën. Nëse Apeli nuk merr një vendim, në KQZ ai nuk regjistrohet dot në logon e PD. Kjo do të thotë se Berisha do i “ulet në gjunjë” Metës, për të hyrë në zgjedhje nën logon e Partisë së Lirisë.
Në këtë aspekt, telashi tjetër për Berishën është se ai në zgjedhjet vendore do të garojë përballë PS dhe përballë kandidatëve të Alibeajt. Pra 14 maji do jetë një test për të pasi nëse pëson disfatë në zgjedhje, do duhet të japë dorëheqjen sikundër bëri Basha.
Ashtu si Meta edhe ai ka telashe dhe me drejtësinë. Në SPAK janë disa dosje kundër tij, duke filluar nga afera me kompleksin “Partizani”, shpërthimi në Gërdec, dosja e CEZ, etj. Berisha pritet që të merret në pyetje për aferën me kompleksin “Partizani”, ndërsa në telashe janë dhe dhëndri dhe djali i tij. Pra duket se vitit 2023 do jetë një vit sfidash për dyshen opozitare.
