E enjte, 13 Shkurt, 2025

Nesër publikohet drafti i fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe, Rama: E hedhim në konsultim publik! Të mbrojmë shqipen nga barbarët e rrjeteve sociale

Share

Ditën e nesërme do të bëhet publik drafti i fjalorit të madh i Gjuhës Shqipe, i cili do të hidhet për një konsultim të gjerë publik. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe, ku u diskutua për sfidat e gjuhës shqipe në epokën moderne.

Moment historik për gjuhën shqipe e quan Rama Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, i cili po përfundon pas një pune gati 4 vjeçare dhe do të përmbajë rreth 120 mijë fjalë, gati trefishi i fjalorit aktual.

Në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe Rama tha se edhe ky fjalor është pjesë e rezistencës për të mbrojtur gjuhën shqipe nga gjithfarë barbarësh dhe injorantësh që gjejnë hapësirë në rrjetet sociale.

“Sot më vjen mirë se si pjesë e kësaj rezistence mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket gjuhës së prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që më në fund përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori. Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produktet të përbashkëta të një rezistence të domosdoshme dhe një përpjekje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm se jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarë lloj injorantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale. Por e kemi detyrim, të jemi në mbrojtje dhe të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”, tha Rama.

Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe hapi siparin sot me një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave në Tiranë, duke shënuar fillimin e një forumi dyditor, ku do të diskutohet për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne. Ky Kuvend i pari për gjuhën ka bashkuar përfaqësues të institucioneve arsimore figura të shquara nga arsimi, gjuhësia, letërsia, kërkimi shkencor dhe komunikimi publik, si dhe të rinj, nxënës dhe gjimnazistë.

Te tjera

Lajme te tjera