105 nenet e ndryshuara apo të shtuara në Kodin e Procedurës Penale shihen si një paketë ekuilibri mes nevojës së shoqërisë për t’u mbrojtur nga krimi dhe të drejtës së individit për t’u mbrojtur nga gabimi ose abuzimi i pushtetit gjyqësor me jetën e tij.
Në draftin që propozon një reformë të thellë, i cili do të jetë në konsultim publik deri më 28 tetor, fokusi kryesor është te ajo që konsiderohet plaga e madhe e sistemit të drejtësisë në vend, masat e arrestit me burg. Në këtë aspekt drafti ndryshon thelbësisht, për herë të parë që nga viti 1995, kriteret dhe procedurat që kanë të bëjnë me privimin e lirisë përpara dënimit.
Mesazhi është i qartë: gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme.
Drafti ndryshon thuajse totalisht nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale që parashikon “arrestin me burg”. Ndaj personave nën akuzë për vepra penale që parashikojnë dënim deri maksimumi 5 vite heqje lirie nuk do të vendoset “arrest me burg”, me disa raste përjashtuese si mosrespektimi i masave të tjera më të lehta. Të gjitha kundravajtjet penale përjashtohen nga “arresti në burg”.
Edhe në rastet kur vetë gjykata mendon se dënimi nuk do t’i kalojë 3 vite apo do të konvertohet në shërbim prove në rastin konkret, i dyshuari nuk mund të lihet në paraburgim.
Nuk do të vendoset në masë arresti me burg asnjë grua shtatzënë apo nëna që kanë fëmijë deri në 6 vjeç. Masa nuk do të vendoset as ndaj babait të një fëmijë 6 vjeç kur nëna ka vdekur, me përjashtim të krimeve të rënda.
Edhe të moshuarit mbi 70 vjeç, të sëmurët apo personat nën varësi të drogës kanë mbrojtje të veçantë.
Sa i përket të gjitha masave shtrënguese, domethënë arrestin në shtëpi, detyrimin për t’u paraqitur, ndalimin jashtë vendit apo garancia pasurore si rregull nuk do të lejohen për të gjitha veprat penale që parashikojnë dënim maksimal deri në 3 vite burg.
Drafti e sanksionon prerë se gjykata duhet të japë vendim të argumentuar për ccdo masë sigurie të marrë, vlerësim të pavarur nga pretendimet e prokurorit.
Nuk do të jetë më 2 muaj afati që detyron prokurorin të raportojë para gjykatës për ecurinë e hetimeve dhe nevojën e vazhdimit të masës së sigurisë, por përgjysmohet në një muaj.
Garancia pasurore, si një prej masave shtrënguese, do të kërkohet në varësi të mundësive ekonomike të të akuzuarit.
Një ndryshim madhor, që tregon një revolucion në aspektin e mendësisë, është sanksionimi në ligj se prokurori i çështjes është i detyruar që të kërkojë të vërtetën dhe jo vetëm provat që dënojnë të dyshuarin. Prokurori do të kërkojë edhe provat që e shfajësojnë atë, dhe do t’ia vendosë në dispozicion. Avokati mbrojtës nga ana tjetër do të ketë të drejtën të hetojë veçmas, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Këto materiale i paraqiten gjyqtarit njëlloj të vlefshme me ato të prokurorisë.
Personi nën hetim apo i pandehuri do të kenë akses të pakushtëzuar te provat, dhe si rregull prokuroria ka detyrimin t’ia vendosë në dispozicion.
Rregulla më të forta, favorizuese për të dyshuarin, përcaktohen edhe për procesin e marrjes në pyetje, në polici apo prokurori. Avokati do të jetë i domosdoshëm dhe deklarimet e marra vetëm si person në dijeni nuk mund të përdoren kundër tij. Të gjitha marrjet në pyetje do të regjistrohen me pamje dhe audio.
Prokurorit apo OPGJ-së nuk i lejohet t’i ushtrojë presion personit që merr në pyetje, ndryshe deklarimet do të cilësohen si të papërdorshme.
Jeta private, korrespondenca sidomos telefonike, do të mbrohet në mënyrë të posaçme. Organet hetuese do të ndalohen të marrin të dhëna jashtë objektit të hetimit, vetëm pas vendimit të gjykatës. Do të jetë gjykata që do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Çdo informacion që merret jashtë këtyre rregullave është i papërdorshëm. Edhe në përgjime do të ndiqet e njëjta logjikë. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit.
Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.
Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale normojnë edhe rregulla të qartë se si regjistrohet çështja penale. Për të shmangur hetimet e zgjatura pafundësisht në kohë, procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme
Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e pritshmërisë së arsyeshme për dënim. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.
Prezumimi i pafajësisë merr peshë më të madhe. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin hetimor, duke nxjerrë të dhëna, do të mbajë përgjegjësi. Në lidhje me prezumimin e pafajsisë organet hetimore detyrohen që të kenë kujdes të veccantë me gjuhën që përdorin në dokumentet zyrtare.
Ndryshime të tjera mes 105 neneve kanë të bëjnë me mbrojtjen e viktimës. Pwr dhunën në familje parashikohet largim i dhunuesit menjëherë nga familja, të cilës nëse ka vështirësi financiare gjykata mund t’i caktojë një pagesë.
Një ndryshim i rëndësishëm është ai i publicitetit të seancave gjyqësore. Me kërkesën e të pandehurit dhe të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.
